Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti vizitoi Komunën e Gjilanit

1 Dhjetor, 2023

Gjilan, 1 dhjetor 2023

Ditën e sotme, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e filloi me një vizitë në Komunën e Gjilanit, ku takoi kryetarin, Alban Hyseni, dhe me të cilin bisedoi për të arriturat e projektet e komunës.

Kryeministri Kurti shprehu kënaqësinë që vizitonte sot Gjilanin, duke kujtuar punët që janë nisur e të cilat kanë përfunduar tashmë.

‘’Vizita ime e fundit te Kryetari i Komunës së Gjilanit, këtu në zyrën e tij, ishte me 10 tetor të vitit të kaluar, pra 2022, ku atë ditë, së bashku me kryetarin Alban Hyseni dhe me Ambasadorin e Katarit në Shqipëri, Shkëlqesinë e tij, Ali bin Hamad Al Marri dhe me Drejtorin e “Qatar Charity”, z. Esam Dabab, e patëm vënë gurthemelin bashkë, të mjekësisë së Qendrës së Mjekësisë Familjare në lagjen “Arbëria” në Gjilan’’ u shpreh kryeministri.

Qendra tashmë ka nisur punën dhe nga 6 tetori qytetarët kanë filluar të marrin shërbime nga ajo. Gjithashtu, çerdhja në fshatin Miresh së shpejti do të jetë e përfunduar, gurthemeli i së cilës pati filluar më 13 tetor të vitit 2022.

Me këtë rast, kryeministri përmendi tri projekte gjigande të cilat janë tejet të rëndësishme për Gjilanin. ‘’I pari është stadiumi i qytetit me rreth 15 milionë euro. Procedura e tenderimit fillon javën e ardhshme. I dyti është unaza rrugore e qytetit, me përafërsisht 26 milionë euro, i cili tashmë është buxhetuar për vitin e ardhshëm 2024. Dhe i treti është bulevardi, me rreth 20 mijë metër katrorë hapësirë publike, me infrastrukturë nëntokësore, me parking nëntokësor, i cili ka një kosto përafërsisht prej 12 milionë euro dhe gjithashtu është buxhetuar për vitin e ardhshëm’’, shtoi ai.

Gjatë kësaj vizite në Gjilan, kryeministri Kurti do të ndjekë nga afër punimet që po bëhen në rrugën “Hamdi Kurteshi”, dhe po ashtu do të marrë pjesë në përurimin e Parkut “Banja”, në Gjilan.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, tha se e ka njoftuar nga afër kryeministrin për projektet që i kanë përfunduar dhe realizuar, në fushën e infrastrukturës, shëndetësisë, mirëqenies sociale e të arsimit ndër të tjera. ‘’ Kemi bërë renovimin e shumë shkollave në komunën tonë. Një prej atyre ndoshta që vlen të theksohet me rëndësi të veçantë është Shkolla e Mesme Teknike e komunës tonë, ku kemi rreth 12 profile të ndryshme nga mekatronika, shkencat kompjuterike, deri tek hidroinstaluesit, instaluesit e ngrohjeve qendrore, profile të tjera që janë inxhinieria e kështu me radhë. Atje kemi investuar rreth 1 milion euro, ndërkaq numri i nxënësve është dyfishuar vetëm në dy vitet e para në krahasim me numrin total që e kemi gjetur për tri vite të nxënësve’’ tha ai.

Deklarimi i kryeministrit Kurti në Komunën e Gjilanit:

Faleminderit shumë kryetar Alban.

Ishte kënaqësi që të bashkëbisedojmë për të arriturat në Komunën e Gjilanit, për punët e mbara e të mira, që janë bërë e po bëhen.

Vizita ime e fundit tek Kryetari i Komunës së Gjilanit, këtu në zyrën e tij, ishte me 10 tetor të vitit të kaluar, pra 2022, ku atë ditë, së bashku me kryetarin Alban Hyseni dhe me Ambasadorin e Katarit në Shqipëri, Shkëlqesinë e tij, Ali bin Hamad Al Marri dhe me Drejtorin e “Qatar Charity”, z.Esam Dabab, e patëm vënë gurthemelin bashkë, të mjekësisë së Qendrës së Mjekësisë Familjare në lagjen “Arbëria” në Gjilan.

Ajo çfarë është e rëndësishme të theksohet me këtë rast, një vit më vonë, është që Qendra tashmë ka nisur punën dhe nga 6 tetori qytetarët kanë filluar të marrin shërbime nga kjo qendër. Pra, Kryetari më informoi, që gurthemeli që e kemi vënë në tetorin e vitit 2022, tashmë paraqet një ndërtesë dhe shërbim të përfunduar e aktual për qytetarët e Gjilanit.

Gjithashtu, më 13 tetor, patëm vizituar vitin e kaluar edhe fshatin Miresh, ku vendosëm gurthemelin e çerdhes, investim nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe kryetari Alban Hyseni më njoftoi, që 90 për qind të punimeve kanë përfunduar. Pra shumë shpejt, fshati Miresh do të jetë me çerdhen e re.

Ajo çfarë kemi vënë gurthemelin po përfundon së shpejti dhe do të mund ta gëzojnë fëmijët e prindërit atje. Këtë vit herën e fundit isha në Gjilan më 29 mars ku e vizituam bashkë me kryetarin shkollën ‘’Hello Academy Education’’ dhe fabrikën ‘’Albimi LTD’’, të dyja përfituese të masave mbështetëse të qeverisë përfshirë këtu edhe platformën Superpuna që ndihmon të rinjtë e moshës prej 18 deri në 28 vjeç, ndërkaq sot, prej këtu siç e tha edhe kryetari do të shkojmë bashkë për të përuruar parkun ”Banja” me një hapësirë prej 17 metër katrorë apo 1.7 hektarë e para saj do të vizitojmë edhe punimet në rrugën ‘’Hamdi Kurteshi’’ një projekt ky shumë i rëndësishëm për qytetarët dhe për banorët e zonës aty të cilët kanë vuajtur tepër gjatë me ato korsi shumë të ngushta në një trafik përgjithësisht të dendur.

Në Gjilan pra siç shihet po vij për punë dhe po gjejmë punë sepse popullsia e Gjilanit ashtu sikurse edhe kryetari i Gjilanit janë njerëz punëtorë. Për të filluar projekte, për të parë punimet, për t’i përuruar ato, dhe këso lloj vizitash do të vazhdojnë të shpeshtohen për shkak se edhe punët janë gjithnjë e më të mëdha.

Me këtë rast më lejoni të përmend tri projekte gjigande, të cilat janë tejet të rëndësishme për Gjilanin, si kryeqytet i Anamoravës le të themi. I pari është stadiumi i qytetit me rreth 15 milionë euro. Procedura e tenderimit fillon javën e ardhshme. I dyti është unaza rrugore e qytetit, me përafërsisht 26 milionë euro, i cili tashmë është buxhetuar për vitin e ardhshëm 2024. Dhe i treti është bulevardi, me rreth 20 mijë metra katrorë hapësirë publike, me infrastrukturë nëntokësore, me parking nëntokësor, i cili ka një kosto përafërsisht prej 12 milionë euro dhe gjithashtu është buxhetuar për vitin e ardhshëm.

Faleminderit shumë kryetar Alban, edhe të dëshiroj suksese, të arritura gjithnjë e më të mëdha për të mirën e qytetarëve të Gjilanit e të Anamoravës në përgjithësi.

 

Last modified: 1 Dhjetor, 2023

Comments are closed.

×