Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti vizitoi Komitetin Olimpik të Kosovës

10 Gusht, 2023

Prishtinë, 10 gusht 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendësministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, ka vizituar sot Komitetin Olimpik të Kosovës.
Gjatë kësaj vizite, kryeministri Kurti i cili u prit nga presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi, Sekretari i KOK-ut, z. Besim Aliti dhe anëtarët e bordit të KOK-ut, ka parë nga afër renovimet që janë bërë në zyrat e tyre në “Shtëpinë e Sportit” në fillim të këtij viti me mbështetje të MKRS-së, dhe pati rastin të bashkëbisedoj dhe stafin e këtij institucioni.

“I urova për punën, angazhimin dhe sukseset e deritanishme” tha kryeministri pas përfundimit të vizitës. Ai u shpreh mirënjohës për punën sistematike që po bëhet në Komitetin Olimpik të Kosovës, dhe me besim se tash e tutje do të shënojmë edhe më shumë suksese nga bashkëpunimi ndërinstitucional, duke konfirmuar edhe një herë mbështetjen e Qeverisë në procesin e aplikimit të Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.

Presidenti i KOK, Ismet Krasniqi, falënderoi kryeministrin dhe zëvendësministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, për vizitën e sotme, të cilën e cilësoi si shumë të rëndësishme edhe për faktin që ndodhi pikërisht para vendimet që pritet të merret me 8 shtator për vendin mikpritës të Lojërave Mesdhetare 2030. Ai gjithashtu e falënderoi kryeministrin dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit edhe për përkrahjen që po i jep sportit, teksa u shpreh me shpresë që së shpejti do të festojmë së bashku kandidaturën e suksesshme për organizimin e Lojërave Mesdhetare, Prishtina 2030.

Last modified: 10 Gusht, 2023

Comments are closed.

×