Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti vizitoi familjet e Rexhep Malajt dhe Nuhi Berishës

11 Janar, 2024

 

Gjilan, 11 janar 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku e i shoqëruar nga Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, vizitoi familjet e dëshmorëve, Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, me rastin e 40-vjetorit të rënies heroike të tyre.

Vizitën e tij në Gjilan, Kryeministri Kurti e filloi tek shtëpia e familjes së Rexhep Malajt, pastaj qëndroi në shtëpinë e familje së Nuhi Berishës, për të vazhduar tutje te shtëpia e vjetër e Rexhep Malajt, e cila me vendim të Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku nga sot u fut në kategorinë e monumenteve të trashëgimisë kulturore dhe që në bashkëpunim me Komunën e Gjilanit dhe familjen Malaj do të shndërrohet në muze.

Në shekullin XX, Lëvizja Çlirimtare ka qenë shprehje tejet e rëndësishme e kulturës popullore në Kosovë dhe organizimi ilegal ka qenë infrastruktura e vullnetit të popullit për liri, e për bashkim. Andaj edhe ne tregojmë kujdesin tonë për këtë trashëgimi kulturore e cila vazhdon të na frymëzojë, por në të njëjtën kohë edhe na mbushë me përgjegjësi për punët dhe detyrat që i bëjmë gjithnjë në frymën e idealeve të heronjve dhe dëshmorëve të kombit”, tha kryeministri Kurti.

Gjatë vizitës në familjet Mala dhe Berisha, kryeministri Kurti, duke rikujtuar veprimtarinë patriotike të dy dëshmorëve tha se ata të cilët i kanë njohur, e kanë punuar bashkë me ta, por në të njëjtën kohë edhe me të tjerë aktivistë të cilët nuk i kanë njohur, frymëzohen e inspirohen prej tyre.

“Në fund të vizitës, kryeministri i inkurajoi të pranishmit që të lexojnë librin “Qëndresa”, i cili përmban kujtime nga burgu në të cilin ishte Rexhep Mala, sepse sipas tij janë të përshkruara në mënyrë autentike idealet dhe vuajtjet e tij të cilat kanë qenë në shërbim të popullit dhe brezave që vijnë pas tij.

Sonte në Prishtinë, në Bibliotekën Kombëtare, Qeveria e Republikës së Kosovës organizon akademi përkujtimore për 40-vjetorin e rënies së Nuhi Berishës dhe Rexhep Malës, në të cilën merr pjesë edhe Kryeministri Kurti.

Deklarimi i plotë i Kryeministrit Kurti:

Jemi këtu në oborrin e shtëpisë së Rexhep Malës, e cila do të jetë një aset i trashëgimisë kulturore i mbrojtur që do të shndërrohet në muze. Në shekullin XX, Lëvizja Çlirimtare ka qenë shprehje tejet e rëndësishme e kulturës popullore në Kosovë dhe organizimi ilegal ka qenë infrastruktura e vullnetit të popullit për liri, e për bashkim.

Andaj edhe ne tregojmë kujdesin tonë për këtë trashëgimi kulturore e cila vazhdon të na frymëzojë, por në të njëjtën kohë edhe na mbushë me përgjegjësi për punët dhe detyrat që i bëjmë gjithnjë në frymën e idealeve të heronjve dhe dëshmorëve të kombit.

Sot është 40-vjetori i rënies heroike të Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës, andaj edhe erdhëm për vizitë te këto dy familje, bashkë me të tjerët, të cilët i kanë njohur e kanë punuar bashkë me Rexhepin e me Nuhiun, por në të njëjtën kohë edhe me të tjerë aktivistë të cilët nuk i kanë njohur ata, por frymëzohen e inspirohen prej tyre.

Disa baza ilegale kanë qenë në këtë oborr shtëpie dhe ato kanë mundësuar organizimin e qindra e më vonë edhe mijëra veprimtarëve të cilët kanë dhënë gjithçka për Republikën e Kosovës dhe për bashkimin kombëtar.

Në anën tjetër, është e rëndësishme një bazë e veçantë tek pragu i dyerve të oborrit, të cilën Rexhep Mala e ka ndërtuar pasi që ka dalur nga burgu, me mendjen e tij të mprehtë duke llogaritur që edhe atëherë kur forcat policore okupatore armike do t’i thyejnë dyert e oborrit do të hyjnë me aq shpejtësi sa që nuk do ta shikojnë pragun dhe pragu i shtëpisë është menduar mençur dhe drejt prej tij si një vend i sigurt për bazën e organizimit ilegal. Besoj që Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës i kemi të gjithë aq shumë borxh për qëndresën e tyre, për organizimin e tyre dhe për flijimin e tyre.

Ndërkaq, ju që jeni më të ri, ju inkurajoj që ta lexoni “Qëndresën”, kujtime nga burgu të Rexhep Malës, sepse në mënyrë autentike janë të përshkruara edhe idealet e tij, po në të njëjtën kohë edhe vuajtjet e tij, për idealet e tij që kanë qenë në shërbim tonin, pra të gjithë popullit edhe të brezave që po vijnë pas tij.

Lavdi Rexhep Malës e Nuhi Berishës!

Last modified: 11 Janar, 2024

Comments are closed.

×