Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti vizitoi familjet e dy heronjve të Kosovës, Afrim Bunjaku dhe Enver Zymeri  

31 Dhjetor, 2023

Vushtrri, 31 dhjetor 2023

Në prag të ndërrimit të motmoteve, në ditën e fundit të vitit 2023, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policës së Kosovës, Gazmend Hoxha, vizituan familjet e dy heronjve të Kosovës, Afrim Bunjaku dhe Enver Zymeri.

Vizitën e filloi në Samadrexhë te familja Bunjaku, i shoqëruar edhe nga djali i Enver Zymerit, Sokoli. Aty kryeministri Kurti u shprehu edhe një herë mirënjohjen e thellë për sakrificën dhe kontributin e rreshterit të Policisë, heroit tonë Afrimit, gruas Lumnijes, vajzës Arbenitës dhe dy djemve Fatlumit e Jetlumit, motrës Fexhrijes si dhe të afërmve të tjerë.

E nga aty i shoqëruar edhe nga dy djemtë e Afrim Bunjakut, Fatlumin e Jetlumin, vizituan familjen e Enver Zymerit, ku u pritën nga vëllai Egzoni, gruaja Drita, djali Sokoli, vajzat Luljeta e Rinesa, axha Ramadani dhe shumë të tjerë.

Enverin e kujtoj dy herë, tha kryeministri, një herë për shërbimin dhe sakrificën e tij dhe një herë tjetër për Bacën Rremë, babain e tij, Muharremin, shokun tim të burgut, me të cilin e kam ndarë të njëjtën qeli për një vit, në burg të Serbisë, e i cili ndërroi jetë para dy vitesh.

“Festat e fundvitit do të ishin më të plota me Afrimin e Enverin, por ne nuk i harrojmë asnjëherë, sepse ata janë historia krenare e Republikës sonë”, tha kryeministrit Kurti.

Oficerët e policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku e Enver Zymeri ranë në krye të detyrës për sundimin e ligjit, integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror të Republikës së Kosovës.

Last modified: 3 Janar, 2024

Comments are closed.

×