Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti uron Ditën Ndërkombëtare të Rinisë

12 Gusht, 2023

Prishtinë, 12 gusht 2023

Në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, kryeministri Kurti, organizoi një pritje sonte në Ballkonin e Hapur të Qeverisë së Kosovë, për të rinj e të reja të vendit tonë.

Fjalën e tij kryeministri e nisi duke u shprehur i lumtur se kishte mysafirë, rininë shembullore e aktive të Kosovës, pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, dhe uruar të gjithë për këtë Ditë të tyre.

“Kemi të rinj nga platforma SuperPuna e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, që në kohë të shkurtër, për 5 muaj,  ka siguruar punësimin e mbi 5 mijë të rinjve, prej të cilëve 2.327 janë  vajza ndërkaq 2.763 djem. Gati 50 me 50 për qind”, u shpreh kryeministri.

Ai përmendi studentë e bursistë të mbështetur drejtpërdrejt nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, që do studiojnë në universitetet tona e edhe në universitetet më të mira në botë, po ashtu edhe të rinj nga programi “Municipalities for Youth” e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal duke kontribuar nëpër lokalitetet e tyre gjithandej.

Kryeministri tha se kemi gjithashtu të rinj e organizata të mbështetura nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe Ministria për Punë të Jashtme dhe Diasporë, përmes skemave të thirrjeve publike që po zbatojnë projekte anembanë vendit, në qytete e në fshatra e po ashtu edhe partnerë e bashkëpunëtorë, që përgjatë 2023-tës e ndihmuan qeverinë t’i transformojë politikat karshi rinisë së vendit.

E teksa foli për sfidat e shekullit XXI që janë sfidat të cilat padyshim siç veçoi ai i tejkalojnë mandatet qeveritare, ai tha se tash më shumë se kurrë, qeveria është edhe për juve edhe e juaja.

Detyra juaj, shtoi kryeministri, është që me dashuri dhe optimizëm për të ardhmen, të shtyni shoqërinë përpara pra në progres të pandalshëm pjesë e së cilës bën secili prej nesh pra një progres i cili nuk e lë askë prapa.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Të dashur  të reja e të rinj!

Mirë se erdhët në Ballkonin e Hapur, hapësirë që tash e një vit i është dhënë publikut si vendtakim i qytetarëve me qeverinë.

Para rreth tre javëve, këtu u takuam me praktikantët e angazhuar në Qeverinë e Republikës së Kosovës përmes programit “Praktikë në Qeveri”, të cilët janë afro 250 të reja e të rinj. Ky program duket të jetë shumë i vlefshëm, sepse takuam shumë vullnete të zjarrta për punë e angazhim në institucione shtetërore, që kaq shumë i nevojiten vendit tonë.

Sonte jam i lumtur që u kemi mysafirë juve, rininë shembullore e aktive të Kosovës, pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë andaj të gjithë juve secilës  e secilit urime Dita Ndërkombtërae e Rinisë.

Kemi të rinj nga platforma SuperPuna e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, që në kohë të shkurtër, për 5 muaj,  ka siguruar punësimin e mbi 5 mijë të rinjve, prej të cilëve 2.327 janë  vajza ndërkaq 2.763 djem. Gati 50 me 50 për qind.

Gjithashtu studentë e bursistë të mbështetur drejtpërdrejt nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, që do studiojnë në universitetet tona e edhe në universitetet më të mira në botë. Janë 3.000 bursa për studime brenda dhe jashtë vendit. Dhe janë mbi 1.300 bursa për fushat STEM, Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë në vitin akademik 2021/22. E këtë vit ndamë edhe 2 milionë euro për 2000 bursa të tjera.

Të rinj nga programi “Municipalities for Youth” e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal duke kontribuar nëpër lokalitetet e tyre gjithandej. Është gjithashtu një iniciativë e cila padyshim se po jep rezultate. Deri me tani janë 1500 të rinj dhe është çështje ditësh kur do të nisë edhe pjesa e dytë e trajnimeve për edhe 1500 të tjerë.

Kemi gjithashtu të rinj e organizata të mbështetura nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe Ministria për Punë të Jashtme dhe Diasporë, përmes skemave të thirrjeve publike që po zbatojnë projekte anembanë vendit, në qytete e në fshatra.  Këtu kemi edhe partnerë e bashkëpunëtorë, që përgjatë 2023-tës e ndihmuan qeverinë t’i transformojë politikat karshi rinisë së vendit. Veçanërisht këtu dua të përmendi Projektligjin për Rini që pritet të dërgohet në Kuvend  të Republikës në shtator, e gjithashtu e kemi edhe Strategjinë Shtetërore për Rini 2024-2032, si dhe Planin e Veprimit 2024-2026.

Të nderuar të pranishëm,

Zonja dhe zotërinj,

Sfidat e shekullit XXI janë sfidat të cilat padyshim i tejkalojnë mandatet qeveritare apo ciklet demokratike katër vjeçare të  zgjedhjes përmes vullnetit të lirë e demokratikë të popullit.

Detyra jonë është të ju ofrojmë mundësi përtej asaj që ka edhe gjenerata jonë dhe që ka pasur në të kaluarën gjenerata jonë. Detyra juaj është që me dashuri dhe optimizëm për të ardhmen, të shtyni shoqërinë përpara pra në progres të pandalshëm pjesë e së cilës bën secili prej nesh pra një progres i cili nuk e lë askë prapa.

Le t’i festojmë arritjet e këtij viti së bashku. Tash më shumë se kurrë, qeveria është  edhe për juve edhe e juaja. Andaj edhe me shumë kënaqësi unë do t’ju bashkohem në këtë ndejë që të mos rri në këtë foltoren që na ndanë  në anën e rinisë e ku do të na shoqëroj me muzikë Dj Dandara, dhe aty e keni edhe këndin e koktejit nga Ideali me ekip kurse për ushqim është përkujdesur White Tree.

 

Last modified: 13 Gusht, 2023

Comments are closed.