Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti u takua me Përfaqësuesin e Përhershëm të ShBA-ve në OSBE, Ambasadorin Michael Carpenter

16 Qershor, 2023

Strugë, 16 qershor 2023

Takimin e radhës, në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Forumin e Prespës në Strugë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e zhvilloi me Përfaqësuesin e Përhershëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Ambasadorin Michael Carpenter.

Aty u bisedua për situatën në vend pas rrëmbimit nga forcat serbe të tre zyrtarëve policorë brenda territorit të Republikës së Kosovës dhe për përkushtimin e institucioneve të vendit për depërshkalëzim dhe normalizim të plotë të situatës në katër komunat në veri të Republikës së Kosovës.

Ambasadori Carpenter tha se sundimi i ligjit duhet të mbështetet, derisa theksoi kërkesën për lirimin e menjëhershëm dhe pakushte të tre zyrtarëve policorë të Kosovës të rrëmbyer nga Serbia.

Në lidhje me veprimin agresor të Serbisë, Kryeministri Kurti, tha se ky akt është shkelje e Kushtetutës, rendit ligjor, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, si dhe kërkoi që agresioni të dënohet nga faktori ndërkombëtar.

Edhe në këtë takim, i pranishëm ishte Ambasadori i Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja.

Last modified: 16 Qershor, 2023

Comments are closed.