Prishtinë, 21 maj 2024
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Pastorin e Kishës Protestante Ungjillore “Bashkësia e Popullit të Zotit”, Artur Krasniqi, bashkë edhe me përfaqësues të tjerë nga Kisha Ungjillore, Arteida Krasniqi dhe Gani Mehmetaj.
Bashkërisht diskutuan mbi Projektligjin për liritë fetare, i cili u vlerësua pozitivisht nga përfaqësuesit e Kishës Ungjillore, teksa shprehën edhe keqardhjen që ky projektligj nuk po votohet në Kuvend. Kjo ndodhë për shkak që projektligji në fjalë duhet votuar edhe nga 2/3 e përfaqësuesve të komuniteteve, si ligj i interesit vital.
Votimi i tij nënkupton rregullimin e statusit të bashkësive fetare në vend, që çon drejt gëzimit të plotë të lirisë fetare, e cila garantohet me Kushtetutë e Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si pjesë e saj. Zyra e Kryeministrit ka shtyrë përpara këtë projekligj të rëndësishëm, me qëllim mbrojtjen e të gjitha bashkësive fetare që jetojnë e veprojnë në Kosovë.
Last modified: 21 Maj, 2024