Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti u takua me deputetin gjerman, Frank Schwabe

16 Shkurt, 2024

Mynih, 16 shkurt 2024

Në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u takua me anëtarin e bundestagut gjerman Frank Schwabe, njëherësh anëtar i delegacionit gjerman të asamblesë parlamentare në Këshillin e Evropës (PACE), me të cilin diskutuan mbi hapat e ardhshëm drejt anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

U theksua se është e domosdoshme që qytetarët e Kosovës të kenë qasje në mekanizmat e Këshillit të Evropës. Hapat drejt anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës nënkuptojnë një moment kyç në rrugëtimin e Kosovës drejt konsolidimit të shtetit dhe integrimit në organizata e mekanizma ndërkombëtarë, si dhe përkushtimin e palëkundur në integrimin e vendit në familjen evropiane.

Me pjesëmarrjen tonë në mekanizmat e Këshillit të Evropës, të gjithë qytetarët do të kenë qasje thelbësore në burimet dhe platformat jetike për promovimin e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit.

Ky ishte takimi i fundit që kryeminstri Kurti realizoi në pjesëmarrjen e tij njëditore në Konferencën e Sigurisë në Mynih që këtë vit po shënon 60-vjetorin jubilar.

Last modified: 17 Shkurt, 2024

Comments are closed.

×