Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti takoi kongresistet dhe kongresistët amerikanë, Pelosi, Tenney, Wagner, Turner, Guthrie, Meeks dhe Himes

16 Shkurt, 2024

Mynih, 16 shkurt 2024

Përpos senatorëve amerikanë, në Mynih, gjatë pjesëmarrjes në Konferencën e Sigurisë atje, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministren, njëherësh edhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz, takoi gjithashtu dhe kongresistë amerikanë.

Me kongresisten Nancy Pelosi, ish-kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, kongresistet Claudia Tenney dhe Ann Wagner dhe kongresistët, Mike Turner, Brett Guthrie, Jim Himes dhe Gregory Meeks, kryeministri Kurti foli për marrëdhëniet dhe partneritetin dypalësh, progresin ekonomik dhe demokratik të shënuar gjatë qeverisjes sonë, suksesin e Kosovës në prag të 16-vjetorit të Pavarësisë së saj dhe rolin e veçantë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë luajtur para, gjatë dhe pas shpalljes së pavarësisë.  

Si histori e suksesit të intervenimit të NATO-s në pranverën e vitit 1999, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kosova sot synon anëtarësimin në NATO, jo vetëm për të përfituar nga ajo por edhe për të kontribuar në këtë aleancë, u shpreh kryeministri. Ai përmendi bashkëzbarkimin e suksesshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) me ushtrinë amerikane të Gardës Kombëtare të Iowa-s në Kuvajt dhe tha se më shumë bashkëpunime të tilla janë të mirëseardhura.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleat dhe partner i pazëvendësueshëm i Kosovës, u shpreh kryeministri.

Më tej, u diskutua edhe për procesin e dialogut në Bruksel, raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës. Kryeministri tha se Kosova dhe Serbia kanë marrëveshje, Marrëveshjen Bazike dhe Aneksin e saj, por e cila është shkelur vazhdimisht nga Serbia, ndërkohë që përkundër insistimit të tij për ta nënshkruar atë, Serbia në vazhdimësi e ka refuzuar një gjë të tillë.

Last modified: 16 Shkurt, 2024

Comments are closed.

×