Prishtinë, 7 shtator 2022
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mirëpriti Ambasadorin e ri të Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen.
Në këtë takim të parë, kryeministri Kurti e uroi ambasadorin Nissinen për detyrën dhe përgjegjësinë e re duke i ofruar në të njëjtën kohë bashkëpunimin e plotë të Qeverisë në përparimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy vendeve. Kryeministri Kurti e njoftoi për arritjet e qeverisë dhe për reformat e filluara, veçanërisht në sistemin e drejtësisë. Ai gjithashtu e uroi ambasadorin Nissinen për aplikimin e Finlandës në NATO dhe falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme që Finlanda i bën Kosovës.
Falënderues për urimet dhe mirëpritjen, ambasadori Nissinen vendosi theksin te marrëdhëniet e mira dhe bashkëpunimi i frytshëm ndërmjet Finlandës dhe Kosovës. Ai tha se ndër synimet kryesore gjatë mandatit të tij janë promovimi i sektorit të bizneseve dhe thellimi i mëtejmë i bashkëpunimit bilateral. Ambasadori Nissinen tha se Finlanda e mbështetë anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe proceset tjera integruese.
Last modified: 7 Shtator, 2022