Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti: Programi për Diplomaci Qytetare përfshinë të rinjtë e diasporës në zhvillimin e mëtutjeshëm të diplomacisë

7 Nëntor, 2022

 

Prishtinë, 7 nëntor 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mori pjesë në Lansimin e Programit për Diplomaci Qytetare.

Me këtë rast, kryeministri pasi u uroi mirëseardhje të rinjve nga mërgata, në vendin e tyre të zemrës dhe njëherit në atdhe, të cilit siç u shpreh ai, vazhdimisht i kemi borxh, mirëpo askush sikur ata nuk ia shpreh dashurinë dhe besnikërinë. Kryeministri shprehu po ashtu edhe falënderimin e tij për angazhimin në kuadër të programit për Diplomaci Publike.

“Duke e ditur që sistemi ynë ka nevojë për dije dhe për përvoja të reja, pjesëmarrja juaj në këtë program nuk është thjesht një përvojë më shumë për ju, por mbi të gjitha është ndihmë e madhe për Kosovën. Një mundësi, pra për të ndërtuar një program të mirëfilltë për transferimin e dijës dhe përvojës tuaj këtu në vendin tuaj amë’’, theksoi kryeministri Kurti.

Mirënjohje të pafund shprehu kryeministri Kurti ndaj mërgatës sonë për kontributin e vazhdueshëm të secilit që ka qenë pjesë kyçe e zhvillimit të Kosovës, ekonomik, shoqëror e politik në çdo kohë.

Diaspora, tha më tej ai, luajti rol qendror në rezistencë ndaj okupimit e në rrugën drejt lirisë. “Profesionistët tanë në diasporë kudo ku punonin u bashkuan e kontribuuan në çlirim. Secila e secili e vendosi në shërbim të çështjes ekspertizën e saj ose të tij profesionale, prej gazetarisë e akademisë, te ndërmarrësia, arti, mjekësia e politika. Shumë nga ta erdhën drejt e në Ushtrinë Çlirimtare, edhe e dhanë jetën nëpër betejat që u zhvilluan asokohe’’.

Në këto tri dekada diaspora ka kontribuar aktivisht dhe masivisht në ekonominë e vendit. Sipas Bankës Qendrore të Kosovës në 5 vitet e fundit më shumë se 4 miliardë e gjysmë euro i kanë sjellë bashkatdhetarët tanë si dërgesa në vendlindje. Ndërkaq, investimet janë më shumë se 1 miliard e gjysmë gjatë këtyre 5 vjetëve të fundit.

Kryeministri Kurti tha se kjo ndihmë është padyshim shprehje e një përkushtimi të pakushtëzuar nga ta dhe se është vizioni ynë që ne të kemi një marrëdhënie më të frytshme dhe një Republikë më dinjitoze, përmes shkëmbimit të dijes e të përvojës mes diasporës dhe atdheut, e përmes lidhjeve mes njerëzve të cilët do t’i ndërmjetësojmë.

Programi për Diplomaci Qytetare, tha ndër të tjera ai, është një nga hapat e parë në këtë vizion dhe siç po e hedhim bashkë këtë hap të tillë do të jenë edhe hapat e ardhshme në sukseset e ardhshme.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuara zëvendëskryeministri dhe Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj Donika Gërvalla Shwarz,
Të nderuar ministra, i Kulturës, Ceku, i Bujqësisë Peci, zëvendësministra,
E nderuara zëvendësministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj Liza Gashi,
Zonja dhe zotërinj, e në veçanti ju të nderuar të rinj e të reja të diasporës tonë,

Fillimisht më lejoni të ju uroj mirëseardhje në vendin tuaj të zemrës dhe njëherit në këtë atdheun tonë të dashur të cilit vazhdimisht i kemi borxh mirëpo askush sikur ju nuk ia shpreh dashurinë dhe besnikërinë. Dhe më lejoni që të ju shpreh unë falënderimet e mia të panumërta për angazhimin tuaj në kuadër të programit për Diplomaci Publike. Në fakt diplomacinë publike, ju e keni filluar para se ta vendosim ne një koncept për një term të tillë por në të njëjtën kohë tash që e formalizojmë këtë do të mund të bëjmë hapa të cilët nuk i kemi bërë në të kaluarën.

Duke e ditur që sistemi ynë ka nevojë për dije dhe për përvoja të reja, pjesëmarrja juaj në këtë program nuk është thjesht një përvojë më shumë për ju, por mbi të gjitha është ndihmë e madhe për Kosovën. Një mundësi, pra për të ndërtuar një program të mirëfilltë për transferimin e dijës dhe përvojës tuaj këtu në vendin tuaj amë.

Çdoherë kur Kosova ka pasur nevojë, mërgata jonë ka qenë pranë nesh. Kontributi i vazhdueshëm i tyre ka qenë pjesë kyçe e zhvillimit të Kosovës, ekonomik, shoqëror e politik në çdo kohë.

Diaspora jonë luajti rol qendror në rezistencë ndaj okupimit e në rrugën drejt lirisë. Profesionistët tanë në diasporë kudo ku punonin u bashkuan e kontribuan në çlirim. Secila e secili e vendosi në shërbim të çështjes ekspertizën e saj ose të tij profesionale, prej gazetarisë e akademisë, te ndërmarrësia, arti, mjekësia e politika. Shumë nga ta erdhën drejt e në Ushtrinë Çlirimtare, edhe e dhanë jetën nëpër betejat që u zhvilluan askohe. Mirënjohja jonë e kujtimi ynë për ta është i përjetshëm. Liria jonë sot është në thelb e mundësuar edhe nga sakrifica e tyre. Diaspora ka qenë krah Kosovës në të kaluarën. Sot të shtyrë nga ideali për një shtet zhvillimor e të dinjitetshëm e demokratik ata janë burim frymëzimi i vazhdueshëm për neve.
Në këto tri dekada diaspora ka kontribuar aktivisht dhe masivisht në ekonominë e vendit. Sipas Bankës Qendrore të Kosovës në 5 vitet e fundit më shumë se 4 miliardë e gjysmë euro i kanë sjellë bashkatdhetarët tanë si dërgesa në vendlindje. Ndërkaq, investimet janë më shumë se 1 miliard e gjysmë gjatë këtyre 5 vjetëve të fundit. Me fjalë të tjera në pesë vjetët e fundit kanë sjell më shumë se 6 miliardë. Më shumë se 6 miliardë në 5 vjetët e fundit që nëse shikojmë buxhetet vjetore në mesataren e tyre i bie që për çdo vit dërgesa dhe investime është më shumë se sa gjysma e buxhetit vjetor të shtetit tonë.
Kjo ndihmë është padyshim shprehje e një përkushtimi të pakushtëzuar nga ta. Asnjë prej tyre as nuk ka pasur interesa apo përfitime nga kjo sipërmarrje kaq e madhe financiare. Ndonëse janë pjesë kryesore në ndihmën për shtet ndërtim, ata nuk kanë qenë pjesë e vendimmarrjes proporcionalisht me kontributin me ndihmën që e kanë ofruar dhe që vazhdojnë ta ofrojnë.

Qeveria jonë tashmë ka nisur nga puna për ta transformuar këtë realitet. Ne po punojmë që ta fuqizojmë rolin e ndërmjetësuesit të diasporës në takime të niveleve të larta tek vendimmarrësit politikë dhe me korporatat e mëdha në vendet ku ata jetojnë.

Përveç mundësimit të investimeve në vend, jemi duke përgatitur çeljen e Bankës Zhvillimore, dhe tashmë ka filluar punën Gjykata Komerciale. Por edhe jemi duke krijuar kushte të favorshme për bashkatdhetarët tanë që të bëjnë biznes jo vetëm në Evropën Perëndimore, në Amerikë e deri në Australinë e largët, por edhe këtu në vendlindje, në shtetin tuaj e tonë. Ne do ta formalizojmë procesin e investimeve në Republikë, ashtu që diaspora të ketë vendimmarrje direkte në ekonominë e vendit edhe në fushën kulturore e politike përveçse asaj ekonomike. Për të dinamizuar sa më shumë bashkëpunimin e Republikës sonë me diasporën, ministria e punëve të jashtme dhe diasporë, tashmë po finalizon hartimin e Projektligjit për Diasporën.

Asgjë më shumë nuk ndihmon se kontakti i drejtpërdrejtë midis neve. Prandaj ia kemi nisur dialogut me pjesëtarë të diasporës anembanë botës. Me profesionistë të mërgatës sonë, me kompanitë me renome botërore ku ata punojnë, studentë e të tjerë. Ne gjithashtu, me ministren e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës dhe Zëvendëskryeministren tonë, znj. Donika Gërvalla, kemi realizuar fushatën që e mbështet edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, e kemi edhe zëvendësministren sonte këtu “Shijo Kosovën”, synimi i të cilës është të afrojmë mërgatën me institucionet e vendit, sidomos brezin e ri, më afër kulturës së prindërve të tyre dhe me gjuhën shqipe, dhe t’u mundësohet ajo që e kemi quajtur integrim pa asimilim.

Një pasuri e madhe që sjell diaspora janë dituritë dhe aftësitë e zgjeruara që fitojnë në vendet e tyre të banimit. Përfshirja e diasporës në kornizën e politikave në arsim, shëndetësi dhe në fusha të tjera të rëndësishme ka për qëllim të sjellë perspektiva të tjera të rëndësishme si dhe mësime e risi nga shtetet ku jeton edhe vepron mërgata jonë, të cilat mund të përshtaten në kontekstin e Kosovës. Pra mërgata nuk ka sjellur vetëm dërgesa dhe investime por ka sjellur edhe dije, nevojë e shkathtësi, nga vendet duke e prurë edhe etikën e punës në Evropën Perëndimore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe në perëndimin demokratik, në përgjithësi ku ajo jeton e vepron.

Kjo përfshirje ka si për qëllim afatgjatë zhvillimin e mëtutjeshëm të Republikës me hapa bashkëkohor si dhe përmirësimin e standardit të jetës për qytetarët tanë.

Me këtë frymë është përpiluar dhe realizuar Programi për Diplomaci Qytetare i cili përfshinë të rinjtë e diasporës tonë në zhvillimin e mëtutjeshëm të diplomacisë kosovare. Diaspora vetëm se ka qenë njëri prej diplomatëve tanë më të mëdhenj edhe pse në rolin e qytetarit, dhe tani kemi 10 qytetarë të rinj të përzgjedhur nga gjithsej 173 aplikime. Këta bursistë vijnë nga anë e mbanë botës e do të njoftohen me institucionet tona dhe do të krijojnë lidhje të qëndrueshme me Kosovën përtej lidhjeve familjare. Me krijimin e një hapësire brenda institucioneve tona ne po investojmë në ardhmërinë e Kosovës dhe në krijimin e një imazhi autentik të Kosovës për audiencën ndërkombëtare. Unë me këtë rast e falënderoj ministren tonë por edhe dy zëvendësit e saj Kreshnik Ahmetin, Liza Gashin, Sharrin e patejkalueshëm dhe shumë njerëz të cilët kanë punuar që ne të vijmë këtu sot në këtë ditë shumë të rëndësishme për diplomacinë dhe për shërbimin e jashtëm të Republikës sonë.
Është vizioni ynë që ne të kemi një marrëdhënie më të frytshme dhe një Republikë më dinjitoze përmes shkëmbimit të dijes e të përvojës mes diasporës dhe atdheut, e përmes lidhjeve mes njerëzve të cilët do t’i ndërmjetësojmë. Programi për Diplomaci Qytetare është një nga hapat e parë në këtë vizion dhe siç po e hedhim bashkë këtë hap të tillë do të jenë edhe hapat e ardhshme në sukseset e ardhshme për të cilat qysh paraprakisht ju uroj.

Last modified: 7 Nëntor, 2022

Comments are closed.

×