Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti priti në takim Komisionin Vlerësues të Lojërave Mesdhetare 2030

28 Korrik, 2023

Prishtinë, 28 korrik 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe zëvendësministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, dhe presidentin e Komitetit Olimpik të Kosovës Ismet Krasniqi, ka pritur sot në kryeministri Komisionin Vlerësues të Lojërave Mesdhetare 2030, të kryesuar nga presidenti Julian Pace Bonello, dhe të përcjellur nga Sekretari i Përgjithshëm i ICMG-së, Iakovos Filippousis.

Duke i uruar mirëseardhje në vendin tonë, ai tha se sporti dhe aktiviteti fizik janë shumë të rëndësishme për Qeverinë, shtetin e Kosovës dhe shoqërinë tonë. Disa prej momenteve më të çmueshme dhe krenarie për vendin tonë janë pikërisht sukseset e jashtëzakonshme të sportistëve tanë në arenën ndërkombëtare.

“Vetë ideja dhe mundësia e organizimit të Lojërave Mesdhetare në vitin 2030 është një rast i rëndësishëm për ne, duke pasur parasysh ndikimin pozitiv që do të kishte në shoqërinë tonë dhe zhvillimin e vendit”, u shpreh kryeministri Kurti para anëtarëve të komisionit vlerësues, teksa shtoi se Lojërat Mesdhetare 2030 paraqesin platformën ideale për të krijuar mundësi për zhvillimin e të rinjve tanë dhe që ata të angazhohen në sport dhe aktivitete fizike.

Organizim i Lojërave Mesdhetare 2030 do të kishte ndikim pozitiv në konsolidim të imazhit shtetëror në arenën ndërkombëtare, përmirësim dhe investime në infrastrukturë fizike të modernizuar, në ekonomi të ringjallur përmes krijimit të vendeve të reja të punës dhe zhvillimit të turizmit sportiv, si dhe fuqizim të sportit dhe zhvillim të qëndrueshëm të tij, u tha në takim nga delegacioni i Qeverisë së Kosovës.

Për më tepër, Kryeministri Kurti u shpreh se organizimi i Lojërave Mesdhetare 2030 në Kosovë, në edicionin e 21-të të kësaj ngjarje multi-sportive do të shënojë moment historik në nivel rajonal, marrë parasysh që herën e fundit kur këto lojëra janë mbajtur në Ballkan ka qenë para gati gjysmë dekade, në Split të Kroacisë, në vitin 1979. Ai tha se Qeveria bashkë me Komitetin Olimpik të Kosovës, janë plotësisht të përkushtuara në organizimin e kësaj ngjarje të madhe sportive.

Sekretari i Përgjithshëm i ICMG-së, Iakovos Filippousis u shpreh i nderuar dhe falënderues për mikpritjen që po i bëhet Komisionit gjatë qëndrimit në Kosovë. Ai tha se kjo vizitë është e rëndësishme për ta, siç është e rëndësishme edhe të shohin profesionalizmin në organizim dhe përgatitjet që po bëhen.

Ndërsa, Presidenti Julian Pace Bonello u shpreh se janë të impresionuar me aplikacionin e dorëzuar nga Kosova. Duke shtuar se kandidatura e Kosovës është shumë serioze.

Lojërat Mesdhetare 2030, shënon edicionin e 21-të të kësaj ngjarjeje multi-sportive e cila i bën bashkë sportistët dhe qytetarët e 26 shteteve të tri kontinenteve të cilët preken nga ujërat e Mesdheut. Kosova kishte shpallur zyrtarisht kandidaturën për organizimin e këtyre lojërave në fillim të muajit prill, gjatë një konference të përbashkët të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zëvendësministres së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani dhe Kryetarit të Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi. Kosova është bërë vendi më i vogël që ndonjëherë ka shpallur kandidaturën për organizimin e Lojërave Mesdhetare.

Komisioni vlerësues i Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), po qëndron në Kosovë për të shqyrtuar dosjen e kandidaturës. Ata gjithashtu po bëjnë vlerësimin e gjendjes në terren si dhe po zhvillojnë takime me krerët institucionalë dhe komunitetin sportiv. Raporti përmbledhës i komisionit do të prezantohet në Asamblenë e Përgjithshme të ICMG-së, që mbahet më 8 shtator 2023 në Heraklion të Greqisë.

Last modified: 28 Korrik, 2023

Comments are closed.

×