Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti priti në takim ambasadorin e ri të Zvicrës në Kosovë, Jürg Sprecher

29 Nëntor, 2023

Prishtinë, 29 nëntor 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ambasadorin e ri të Zvicrës në Kosovë, Jürg Sprecher, të cilit i shprehu mirëseardhje në Kosovë dhe urimet për pozitën e tij të re.

Gjatë takimit, ata biseduan mbi marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet dy vendeve, me theks të veçantë te mërgata e Kosovës në Zvicër si urë lidhëse në fushën e ekonomisë por edhe të kulturës.

Kryeministri Kurti theksoi dhe marrëdhëniet tregtare mes nesh, ku Zvicra është vendi i dytë për nga investimet direkte në Kosovë, si dhe rritjen e eksporteve direkte për 25%.

Ai falënderoi ambasadorin Sprecher për mbështetjen e Zvicrës ndaj Kosovës, para e pas luftës, veçanërisht përmes projekteve të ndryshme të rëndësishme në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, ndryshimet klimatike, shëndetësinë, mirëqeverisjen e forcimin e demokracisë, si dhe për rolin dhe kontributin e trupave të Swisscoy në kuadër të misionit të KFOR-it në Kosovë.

Ambasadori Sprecher në takim u shoqërua nga zëvendës ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Christoph Fuchs.​

Last modified: 29 Nëntor, 2023

Comments are closed.

×