Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti organizoi pritjen e fundvitit për përfaqësuesit e medieve

27 Dhjetor, 2023

Prishtinë, 27 dhjetor 2023

Pas mbledhjes së Qeverisë dhe konferencës së rregullt për media, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me anëtarë të kabinetit Qeveritar, organizoi pritjen e fundvitit për ekipet e medieve, gazetaret e gazetarët që e kanë përcjellur punën e Qeverisë gjatë gjithë vitit dhe që kanë raportuar nga katër komunat në veri të vendit.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Të nderuar gazetarë, kameramanë e punonjës të mediave,
Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar,

Ju uroj mirëseardhje në këtë takim të fundvitit. Përveçse për të bërë një përmbledhje se çfarë ka qenë ky vit, është edhe një rast për t’u takuar pak më të relaksuar në një ambient tjetër nga vrulli i punës, e për të zhvilluar bashkëbisedime miqësore me njëri tjetrin.

Ky vit, krahas së qeni i suksesshëm, ka qenë edhe sfidues për të gjithë neve. Edhe për juve, edhe për neve, edhe për qytetarët e Republikës. E një falënderim i veçantë për gazetarët e terrenit, kameramanët dhe ekipet mbështetëse, të cilët kanë raportuar nga terreni edhe në situata të vështira, e veçanërisht në veri të vendit tonë.

As për ne si Qeveri nuk ka qenë e lehtë, por kemi vijuar punën me angazhim maksimal për forcimin e aspektit të sigurisë, dhe kemi ecur përpara me arritje të reja, tash kur i kemi kaluar edhe 2/3-tat e mandatit qeverisës.

Mbase jeni duke menduar për ndonjë kritikë a sugjerim, që përherë janë të mirëseardhura. Ajo që shpesh e dëgjoj është “pse nuk po dilni më shpesh në intervista”. Ne po bëjmë maksimumin që të jemi të pranishëm gjithandej, edhe në studiot e juaja, atëherë kur mundemi në emisione, por puna po vijon me ritme të larta, e shpeshherë na e pamundëson diçka të tillë. Por, si kryeministër i Republikës së Kosovës, kam qenë shumë i interesuar gjatë këtyre edhe pak tri viteve, që sa më shumë ministrat të jenë në ballë të detyrës për fushëveprimtari të tyre, e unë si kryeministër të jem i pari i ministrave që më shumë bashkërendon sesa që zëvendëson ata.

Opozita në anën tjetër ka shumë kohë të lirë, ndërsa po dëgjoj që as ata nuk po dalin edhe aq shpesh në emisione, e mbase kjo ja vlen të studiohet se çka po bëjnë në kohën e lirë.

Në pritjen e vitit të kaluar, disa prej jush nuk keni qenë të pranishëm, sepse keni qenë me detyrë në veri të Ibrit. Më vjen mirë që sot jemi bashkë edhe me gazetarët të cilët kanë raportuar prej andej.

Para ardhjes tuaj këtu, e kemi mësuar lajmin e trishtë të ndarjes së hershme nga jeta e kolegut tuaj, Arton Turkaj. Janë të shumta komentet satirike të tij, të cilat i kam parë e që do të na mungojnë. Do të na mungojë Artoni. Ngushëllime familjarëve të gjithë e secilit prej juve. Ngushëllime të gjithë juve, e të gjithë neve.

Në këtë fundvit, teksa reflektojmë për vitin që po e lëmë pas, le të çmojmë praninë e njëri-tjetrit, dhe le të kujdesemi sa më shumë për njëri-tjetrin në vitin e ri.

Viti 2024 do të na përcjellë me të njëjtin volum të punës. Urojmë dhe punojmë për sa më shumë suksese të reja, dhe zhvillim e progres për vendin e për qytetarët tanë. Ndërkaq, juve ju uroj punë të mbarë në misionin tuaj aq të rëndësishëm për demokracinë, informimin korrekt dhe të shpejtë.

Faleminderit për punën që vazhdoni ta bëni në shërbim të publikut.

Gëzuar 2024!

 

Last modified: 28 Dhjetor, 2023

Comments are closed.

×