Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti në përurimin e Parkut për Teknologji Digjitale: Vendi ku talenti lulëzon, ku ëndrrat marrin formë dhe ku mundësitë hapen

12 Tetor, 2023

 

 

Bërnicë, 12 tetor 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot mori pjesë në inaugurimin e Parkut për Teknologji Digjitale “Tech Park Prishtina” në Bërnicë, investim ky prej 1.2 milion eurosh nga Qeveria e Kosovës përmes Ministrisë së Ekonomisë.

Në këtë ceremoni të platformës më të re të inovacionit në Kosovë, kryeministri Kurti konfirmoi edhe njëherë së Qeveria e Republikës së Kosovës është duke ndjekur rrugën e vendeve që shfrytëzojnë fuqinë e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, për të krijuar vende pune, për të nxitur rritje ekonomike, dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës për qytetarët.

“Ky investim ka mundësuar transformimin e kësaj ndërtese me sipërfaqe prej 4,000 m2 në një hapësirë moderne e ambient mbresëlënës të dedikuar për zhvillimin e teknologjisë digjitale. Investimi në këtë park teknologjik tregon përkushtimin tonë për zhvillimin e teknologjisë dhe inovacionit që janë themele të ekonomisë së shekullit XXI”, deklaroi kryeministri duke shtuar se Parku i Teknologjisë Digjitale duhet të jetë vendi ku talenti lulëzon, ku ëndrrat marrin formë dhe ku mundësitë happen.

Ai bëri të ditur se Parku që është në pronësi të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, i është dhënë në shfrytëzim STIKK-ut edhe për një periudhë 5 vjeçare, me ç’rast do të realizohet mbështetja për zhvillimin e start-up-ëve dhe sektorit të TIK-ut në përgjithësi, si dhe avancimi i bashkëpunimit i të gjitha palëve në kuadër të ekosistemit të inovacionit.

Përveç këtij parku, kryeministri Kurti njoftoi se qeveria e Republikës së Kosovës me 8 milionë euro investim, së bashku me qeverinë gjermane, me 5 milionë euro investim, janë duke punuar edhe për Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren duke përfshirë edhe projekte konkrete në ITP.

“Nëpërmjet Ministrisë së Ekonomisë është themeluar qendra për ekselencë digjitale, në kuadër të së cilës janë krijuar laboratori për printim dhe skanim 3D, qendra e të dhënave të rrjetit akademik dhe kërkimor të Kosovës (KREN), si dhe klasat e pajisura për trajnime në fushën e TIK-ut. Kjo qendër do të vazhdojë të zgjerohet me laborator të TIK-ut edhe me pilotim të 5G”, përmblodhi kryeministri disa nga të arriturat e fundit.

Në këtë fushë pritet të themelohet edhe një celulë e inovacionit në Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit, ku do të testohet dhe pilotohet zbatimi i teknologjive të reja në sektorin publik. Njëkohësisht, Qeveria me ndihmën e partnerëve zhvillimorë është në proces të trajnimit të mbi 3,500 të rejave e të rinjve në fusha të ndryshme të TIK-ut.

Duke uruar krijimin e Parkut të Teknologjisë Digjitale, kryeministri përmbylli fjalën e tij duke u shprehur se prioritet i Qeverisë mbetet investimi në shtimin e kapaciteteve njerëzore në këtë fushë, si dhe zhvillimin e mëtejshëm të ekosistemit të inovacionit.

Ndërkaq, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se Parku i Teknologjisë Digjitale është një kërkesë e kamotshme e sektorit të TIK-ut e cila pas një angazhimi të gjatë u realizua me përpikmëri e cilësi të lartë.

“Ky ambient i bukur, është inspirues e frymëzues për të gjithë ata, të cilët do të punojnë këtu”, tha ministrja, duke vlerësuar se ekonomia digjitale është perspektiva më premtuese për zhvillim të hovshëm ekonomik të vendit tonë.

Inaugurimi i këtij inkubatori të biznesit për ndërmarrjet e teknologjisë informative u cilësua si festë edhe nga ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, e cila u shpreh se ky park pritet të jetë një nga shtytësit kryesor të zhvillimit dhe transformimit të industrisë sonë nëpërmjet zhvillimit të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.

Së bashku me kryeministrin Kurti, të pranishëm ishin edhe Artane Rizvanolli, ministre e Ekonomisë, Rozeta Hajdari, ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Eva Palatova, zëvendësshefe e Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, shefi i UNDP-së në Kosovë, Nuno Queiros, Ermal Sadiku, kryetar i Bordit të STIKK-ut, Vjollca Çavolli, drejtoreshë ekzekutive e STIKK-ut, si dhe anëtarë të Qeverisë e deputetë të Kuvendit.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuara znj. Artane Rizvanolli, ministre e Ekonomisë,
E nderuara znj. Rozeta Hajdari, ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë,
E nderuara znj. Eva Palatova, zëvendësshefe e Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë,
I nderuari shef i UNDP-së, Nuno Queiros,
Të nderuar kolegë nga Qeveria e Republikës dhe deputetë nga Kuvendi i Kosovës,
I nderuari z. Ermal Sadiku, kryetar i Bordit të STIKK-ut, Shoqatës së Teknologjisë, Informacionit dhe Komunikimit në Kosovë,
E nderuara znj. Vjollca Çavolli, drejtoreshë ekzekutive e STIKK-ut,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,

Është kënaqësi e veçantë që sot, këtu në Bërnicë, po e përurojmë Parkun e Teknologjisë Digjitale, një platformë të re shumë të rëndësishme në ekosistemin e inovacionit në Kosovë.

Parku i Teknologjisë Digjitale është rezultat i një investimi prej 1.2 milion eurosh nga Qeveria e Kosovës përmes Ministrisë së Ekonomisë. Ky investim ka mundësuar transformimin e kësaj ndërtese me sipërfaqe prej 4,000 m2 në një hapësirë moderne e ambient mbresëlënës të dedikuar për zhvillimin e teknologjisë digjitale. Investimi në këtë park teknologjik tregon përkushtimin tonë për zhvillimin e teknologjisë dhe inovacionit që janë themele të ekonomisë së shekullit XXI. Në epokën e sotme digjitale, prijnë ato vende që mund të shfrytëzojnë fuqinë e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, për të krijuar vende pune, për të nxitur rritje ekonomike, dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës për qytetarët e tyre. Këtë rrugë jemi duke e ndjekur edhe ne.

Parku që është në pronësi të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, i është dhënë në shfrytëzim STIKK-ut, edhe për një periudhë 5 vjeçare. Përmes kësaj platforme, STIKK-u do ta ketë infrastrukturën e nevojshme për të mbështetur rritjen dhe zhvillimin e start-up-ëve dhe sektorit të TIK-ut në përgjithësi, dhe për të avancuar bashkëpunimin e të gjitha palëve në kuadër të ekosistemit të inovacionit.

Por ky investim nuk ka të bëjë vetëm me këtë hapësirë fizike. Në fakt, mbi të gjitha, ky është një investim në gjithë njerëzit tanë, e posaqërisht rininë tonë për të ardhmen tonë. Parku i Teknologjisë Digjitale duhet të jetë vendi ku talenti lulëzon, ku ëndrrat marrin formë, dhe ku mundësitë hapen.

Në këtë rrugëtim është me rëndësi që të gjitha palët e interesuara, nga sektori publik, ai privat, e akademia të kuptojnë potencialin të cilin e ofron ky Park Teknologjik. Bashkëpunimi dhe vizioni i përbashkët do të jenë çelësi për shfrytëzimin e plotë dhe realizimin e synimeve të kësaj platforme. Jemi shumë të lumtur dhe falënderues që Bashkimi Evropian tashmë është duke mbështetur parkun teknologjik me pajisje të TIK-ut, por edhe me aktivitete tjera të cilat e ndihmojnë parkun në misionin e tij.

Përveç këtij parku, qeveria jonë së bashku me qeverinë gjermane është duke investuar edhe në parkun e inovacionit dhe trajnimeve në Prizren; i cili është një platformë tjetër e rëndësishme në ekosistemin tonë të inovacionit.

Përmes Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë janë duke u investuar 8 milionë euro, ndërsa qeveria gjermane ka investuar 5 milionë euro në infrastrukturën dhe zhvillimin e ITP-së. Përveç kësaj, jemi duke investuar edhe në projekte konkrete në ITP. Nëpërmjet Ministrisë së Ekonomisë është themeluar qendra për ekselencë digjitale, në kuadër të së cilës janë krijuar laboratori për printim dhe skanim 3D, qendra e të dhënave të rrjetit akademik dhe kërkimor të Kosovës (KREN), si dhe klasat e pajisura për trajnime në fushën e TIK-ut. Kjo qendër do të vazhdojë të zgjerohet me laborator të TIK-ut edhe me pilotim të 5G.

Si pjesë e zhvillimit të inovacionit në sektorin publik, në planin tonë të veprimit kemi edhe themelimin e një celule të inovacionit në Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit. Synimi është që në këtë qendër, në bashkëpunim me sektorin privat dhe akademinë, të testohet e të pilotohet zbatimi i teknologjive të reja në sektorin publik.

Ne tashmë e kemi një industri të fuqishme të TIK-ut, e cila ka kërkesa në rritje për profesionistë të TIK-ut. Qeveria me ndihmën e partnerëve zhvillimorë është në proces të trajnimit të mbi 3,500 të rejave e të rinjve në fusha të ndryshme të TIK-ut. Investimi në shtimin e kapaciteteve njerëzore në këtë fushë, si dhe zhvillimin e mëtejshëm të ekosistemit të inovacionit, padyshim që mbetet përkushtim prioritar i qeverisë sonë.

Uroj që Parku i Teknologjisë Digjitale që po e inaugurojmë sot të na shërbejë si frymëzim për të synuar dhe arritur nivele të reja në teknologji dhe në inovacion.

Urime e ju faleminderit.

 

 

 

 

Last modified: 12 Tetor, 2023

Comments are closed.

×