Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti: Në Pakon e Ringjalljes ekonomike, vëmendje e veçantë i është dhënë fuqizimit të grave në ekonomi e shoqëri

8 Nëntor, 2021

Prishtinë, 8 nëntor 2021

“Gratë janë shumë më pak në ndërmarrësi krahasuar me burrat. Por, ato që janë, ta zëmë 11 për qind, ndoshta numërojnë sfida më shumë se sa rreth 90 për qind e burrave në ndërmarrësi”, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në forumin “Gratë në Ndërmarrësi”, me të cilin u hap Java e Ndërmarrësisë, organizuar nga Oda Amerikane në Kosovë.

Kryeministri Kurti tha se sot mund t’i listojmë sfidat, por edhe të arriturat, t’ua njohim meritat dhe përpjekjet grave, që tashmë janë në biznes.

Ai theksoi se me shembullin e tyre, ato janë duke inkurajuar edhe shumë gra të tjera, kurse me kontributin që japin, janë duke e ndihmuar punësimin, tregun dhe ekonominë.

Andaj, në kuadër të Pakos së ringjalljes ekonomike, vëmendje të veçantë i është dhënë fuqizimit të grave në ekonomi e shoqëri, tha kryeministri, teksa shpjegoi Masën 1.3 – Mbështetja e punësimit të grave, me të cilën është paraparë që secila grua që nuk ka qenë e punësuar në tre muajt e fundit e që është punësuar, t’i subvencionohet 50 për qind e pagës për tre muajt e parë, deri në maksimumin prej 150 euro në muaj. Pas periudhës tre mujore grave të punësuara u subvencionohet kontributi pensional deri në qershor të vitit 2022.

Duke e konsideruar rëndësinë e mbështetjes së grave në fushën e biznesit, kryeministri tha se këto masa do të aplikohen edhe për bizneset në pronësi të grave, pavarësisht sektorit.

Më tej, ai shtoi se mbështetja e bizneseve të grave – është masa tjetër, nëpërmjet të cilës të gjitha gratë që kanë në pronësi biznese dhe që dëshirojnë të zgjerojnë biznesin e tyre, mund të aplikojnë për subvencionim të kredisë investive deri në 20 për qind të kryegjësë, pra duke mos marrë parasysh sektorin në të cilin e kanë ndërmarrësinë e tyre. Ndërsa me Projektligjin për buxhetin e vitit 2022, i cili u miratua në Qeveri ditë më parë, do të fillojë ndërtimi i 50 çerdheve në tërë vendin, që fëmijët të kenë kujdesin e duhur e gratë të integrohen në tregun e punës, dhe sidomos nënat të kenë më shumë kohë për studim e punë.

“Ne jemi këtu për juve, bashkërisht ta shpiejmë përpara zhvillimin dhe barazinë në shtetin tonë. E ne nuk besojmë që mund të kemi barazi në shoqëri, pa barazi gjinore”, tha në përmbyllje kryeministri Kurti.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

I nderuar z.Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i Odës Amerikane,
E nderuara znj.Edi Gusia, drejtoreshë ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore,
E nderuar znj. Valbonë Dushi, nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë,
Të nderuara znj. Jahja, znj. Riza dhe znj.Ymeraga,
Të nderuara ndërmarrëse e ndërmarrës të rinj,
Të nderuara anëtare të Komitetit të Grave Lidere
Të nderuara zonja e zotërinj,

Jam i nderuar të jem sot në Forumin për Gratë në Ndërmarrësi, në hapje të Javës Globale të Ndërmarrësisë.

Pabarazitë, që janë sot në Kosovë, janë të thella e për shumë vite ka pasur orientim të gabuar në trajtimin e tyre.

Gratë janë shumë më pak në ndërmarrësi krahasuar me burrat. Por, ato që janë, ta zëmë 11 për qind, ndoshta numërojnë sfida më shumë se sa rreth 90 për qind e burrave në ndërmarrësi.

Ne sot mund t’i listojmë sfidat, por edhe të arriturat, t’ua njohim meritat dhe përpjekjet grave, që tashmë janë në biznes.

Me shembullin e tyre, ato janë duke inkurajuar edhe shumë gra të tjera, kurse me kontributin që japin, janë duke e ndihmuar punësimin, tregun dhe ekonominë.

Të fillosh gjithçka prej zeros, është frazë e njohur e analizës së fillimit të një ndërmarrjeje, por Kosova njeh raste të shumta, që fillimi është më larg, edhe se sa zeroja.

Tashmë, prej filmit të suksesshëm ndërkombëtarisht, edhe ata që nuk e kanë njohur më parë, e dinë historinë e Fahrije Hotit, gruas nga Krusha.

Përpjekja e kreativiteti, puna e madhe e zonjës Hoti, është dëshmi e potencialit të grave në Kosovë, që jo vetëm sfidojnë zeron, por edhe pabarazitë e normat diskriminuese shoqërore.

Ajo çka vërehet në ndërmarrësinë e grave, është kujdesi, elementet e artit dhe pasionit për punë.

Vërehet edhe se bizneset e grave, punësojnë më shumë gra. Kjo ka rëndësi të madhe sociale dhe ekonomike, sepse krahas ndikimit ekonomik, këto ndërmarrje mundësojnë krijimin dhe mirëmbajtjen e vatrave të solidaritetit gjinor.

Andaj, ne si Qeveri, si institucione, obligohemi t’i mbështesim e ndihmojmë gratë në këtë rrugëtim.

Disa gra kanë filluar biznes, sepse kanë qenë vetë punëkërkuese. Në terma punësimi nëse asnjë vend nuk të ofrohet duhet të merret, të ndërmerret, kjo ka qenë logjika e suksesshme e disa grave ndërmarrëse, sot udhëheqëse biznesesh. Përderisa gratë dhe vajzat përbëjnë gjysmën e popullsisë së vendit tonë, nuk mund të pretendojmë rritje gjithëpërfshirëse pa inkuadrimin e tyre në tregun e punës, madje pa pjesëmarrje të tyre në vendimmarrje.

Andaj, në kuadër të Pakos së ringjalljes ekonomike, vëmendje e veçantë i është dhënë fuqizimit të grave në ekonomi e shoqëri. Me Masën 1.3 Mbështetja e punësimit të grave, kemi paraparë që secila grua që nuk ka qenë e punësuar në tre muajt e fundit e që është punësuar, t’i subvencionohet 50 për qind e pagës për tre muajt e parë, deri në maksimumin prej 150 euro në muaj. Pas periudhës tre mujore grave të punësuara u subvencionohet kontributi pensional deri në qershor të vitit 2022.

Ndjehem i lumtur të ndajmë me ju që nga 9906 mijë përfitues të kësaj mase, gjysma e tyre kanë qenë gra. Disa ditë më parë së bashku me Ministrin e Financave, Punës e Transfereve, z. Hekuran Murati, prezantuam pakon mbështetëse për prodhuesit tanë, ku në kuadër të Masës 2.1 të gjithë prodhuesit që dëshirojnë të zgjerojnë kapacitetet prodhuese do të subvencionohen me 20% të kryegjësë së kredisë investive. Pra, tashmë jo vetëm të mbulojmë këstet e kamatave, por edhe principalin e kredisë.

Mirëpo, duke konsideruar rëndësinë e mbështetjes së grave ne fushën e biznesit, këto masa do të aplikohen edhe për bizneset në pronësi të grave, pavarësisht sektorit. Mbështetja e bizneseve të grave – është masa tjetër, nëpërmjet të cilës të gjitha gratë që kanë në pronësi biznese dhe që dëshirojnë të zgjerojnë biznesin e tyre, mund të aplikojnë për subvencionim të kredisë investive deri në 20 për qind të kryegjësë, pra duke mos marrë parasysh sektorin në të cilin e kanë ndërmarrësinë e tyre.

Me Projektligjin për buxhetin e vitit 2022, i cili u miratua në Qeveri ditë më parë, ne do të fillojmë ndërtimin e 50 çerdheve në tërë vendin, që fëmijët të kenë kujdesin e duhur e gratë të integrohen në tregun e punës, dhe sidomos nënat të kenë më shumë kohë për studim e punë.

Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar për të ndihmuar një sektor privat të qëndrueshëm dhe për të mbështetur zhvillimin e mëtejmë, në mënyrë që ekonomia e vendit të gëzojë përkrahje efikase dhe të drejtuar kah zhvillimi, kah rritja.

Ne jemi këtu për juve, bashkërisht ta shpiejmë përpara zhvillimin dhe barazinë në shtetin tonë. E ne nuk besojmë që mund të kemi barazi në shoqëri, pa barazi gjinore.

 

 

Last modified: 8 Nëntor, 2021

Comments are closed.