Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti në Bruksel: Për marrëveshje për normalizim të plotë të marrëdhënieve, me njohjen reciproke në qendër

21 Nëntor, 2022

 

Bruksel, 21 nëntor 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pati tri takime trilaterale dhe tri takime bilaterale përgjatë tetë orëve në Bruksel, me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell dhe Përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajčák dhe nën ndërmjetësimin e z. Borrell dhe z. Lajčák, takoi Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Korniza e përgjithshme e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, zbatimi i vendimit për targat ilegale, dhe çështje tjera aktuale ishin temat qendrore të këtyre takimeve.

U bisedua për propozimin konkret për një deklaratë të përbashkët e cila nënkuptonte në paragrafin e parë zotimin që të trajtohet me urgjencë propozimi i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i mbështetur nga Franca, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndonëse gjatë takimeve të sotme dakordimi ishte afër, nga pala serbe nuk u pranua çështja e propozimit të Bashkimit Evropian, sepse ata nuk e konsiderojnë atë propozim si bazë të mirë për të zhvilluar bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve, siç këtë e bënë Qeveria e Republikës së Kosovës.

“Kemi qenë afër dakordimit në kuptimin që ne ishim pajtuar që fazën në vijim të zbatimit të vendimit tonë për çështjen e konvertimit të targave nga ato ilegale në të Republikës së Kosovës ta pezullojmë, pra gjobat, të vazhdojmë vetëm me ato qortimet, ndërkaq në anën tjetër Serbia të pushojë me emitimin, me prodhimin, me lëshimin e targave në Serbi që kanë për denominim qytetet e Kosovës. Por, natyrisht kjo për neve nuk është e pranueshme nëse nuk shoqërohet edhe me atë se për çfarë jemi ftuar, pra dakordimi që me urgjencë të angazhohemi për marrëveshje finale për normalizim të plotë të marrëdhënieve,” tha Kryeministri Kurti pas takimeve.

Në propozimin për deklaratën e përbashkët nga z. Borrell dhe Lajčák, ka qenë afati i një ecje të re për marrëveshje që arrihet para marsit të vitit 2023.

Kryeministri Kurti ritheksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është palë konstruktive që angazhohet për një marrëveshje ligjërisht të obligueshme për normalizim të marrëdhënieve. Ai tha se shpreson që Bashkimi Evropian do të gjejë forcën që t’i rri prapa propozimit të vet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.​

Last modified: 21 Nëntor, 2022

Comments are closed.

×