Pejë, 30 korrik 2021
Në të gjitha format e ndryshme animacioni përfaqëson idenë e “dhënies së frymës”, “dhënies së guximit”, “gjallërisë dhe jetës”, vlera të cilat festivali tradicional tashmë “Anibar”, i përfaqëson me animacionin si medium artistik, por edhe si format i kontributit shoqëror, ka thënë kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në përmbyllje të festivalit ndërkombëtar të animacionit “Anibar”, në Pejë.
“Anibar” si shumë nga organizimet kulturore e artistike në Kosovë, sipas kryeministrit, është vlerë e gjallërisë dhe jetës shoqërore në vendin tonë. Një forcë kulturore që e ngjall një qytet dhe një shtet të tërë, ka thënë ai.
Kryeministri Kurti, në fjalën e tij, i ka përgëzuar organizatorët e “Anibarit” për sukseset e deritashme, duke shtuar se “askush tashmë nuk ka dyshim se vitet e ardhshme janë po ashtu vite të suksesit tuaj, të suksesit të “Anibarit”, të suksesit të të gjithëve”.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Mirëmbrëma të gjithëve.
Peja është vend i artit, por me siguri se edhe arti e ka vendin në Pejë dhe festivali “Anibar” është dëshmi që kjo vlen jo vetëm për Kosovën, por edhe më shumë se kaq, edhe më gjerë se kaq.
Të dashur miq,
I dashur ekip i festivalit, sidomos i vullnetarëve
I nderuar kryetar i Komunës së Pejës, z. Gazmend Muhaxheri,
E nderuara ministre e Qeverisë tonë, znj. Rozeta Hajdari,
Të nderuar të pranishëm,
Mirë se ju gjej në edicionin e 12-të të Festivalit ndërkombëtar të animacionit ANIBAR,
Vizatimi është shkrimi i parë i njerëzimit. Shkrimi i parë i njeriut.
Mënyra e komunikimit që tejkalon kohët dhe burimi që ne nuk arrijmë ta tejkalojmë.
Përkundër përsosmërisë së shkrimit, ne nuk e tejkalojmë vizatimin, ne vazhdojmë të këmbëngulim në idenë e parë rudimentare, në vizatim.
Fëmija së pari vizaton, pastaj shkruan. Pavarësisht se mëson shkrimin, njeriu vazhdon të vizatojë, të animojë.
Etimologjia e fjalës animacion rrjedh nga latinishtja “anima” që do të thotë shpirt, që do të thotë lëvizje, ngase kjo formë unike e shprehjes merr jetë nga njeriu dhe u jep jetë imazheve.
Në të gjitha format e ndryshme animacioni përfaqëson idenë e “dhënies së frymës”, “dhënies së guximit”, “gjallërisë dhe jetës”, vlera të cilat festivali tradicional tashmë “Anibar”, i përfaqëson me animacionin si medium artistik, por edhe si format i kontributit shoqëror.
Pra, “Anibar” si shumë nga organizimet kulturore e artistike në Kosovë është vlerë e gjallërisë dhe jetës shoqërore në vendin tonë. Një forcë kulturore që e ngjall një qytet dhe një shtet të tërë.
Ndërsa kultura kinematografike e Kosovës po trason një rrugë me shumë mund dhe sakrificë, por gjithsesi edhe rezultate në të njëjtën kohë, po formëson edhe peizazhin e imazhin e shtetit tonë.
Të nderuar të pranishëm,
Motoja e festivalit “Anibar” të sivjetmë thotë se duke jetuar të izoluar, ne jemi bërë ëndërrimtarë të mëdhenj dhe jemi gati për çlirim.
Ka një të vërtetë të madhe mes mungesës së lirisë dhe ëndërrimit për të. Një hendek mes mundësisë për të menduar dhe mundësisë për realizim.
Kosova sot është e lirë, por shumë nga idetë e të rinjve tanë nuk mund të kthehen në mundësi në mungesë të lirisë së lëvizjes, studimit e punësimit, siç e shijojnë shumica e vendeve evropiane. Por të rinjtë tanë po dëshmojnë çdoherë e më shumë se “kur u jepen mundësitë e barabarta” ata i tejkalojnë moshatarët e tyre kudo në botë.
Por, ne jemi ëndërrimtarë të mëdhenj dhe lirinë e kuptojmë edhe si përgjegjësi, prandaj edhe jemi të përkushtuar për zhvillimin e demokracisë funksionale për të institucionalizuar lirinë, me liri e mundësi ekonomike, ku secili kontribuon sa mundet e merr pjesën që i takon.
Kosova, edhe pse e izoluar, është vend që ëndërron për liri, barazi e mundësi.
Izolimi njëlloj si Animacioni ka permutacione të ndryshme.
Mua më pëlqen ajo më shkencorja, ku përmes izolimit ne trajtojmë çështjet e veçanta me seriozitet të veçantë.
Përmes izolimit ne i fragmentojmë çështjet me rëndësi, me qëllim që t’i studiojmë më afër, ashtu siç kemi pasur rastin gjatë kësaj pandemie.
Izolimi na ka ndarë në ishujt tanë aq sa ne kemi arritur t’i izolojmë çështjet që na prekin si njerëzim dhe të izolojmë faktin që kjo ndarje në mes nesh nuk është njerëzore.
Andaj ashtu siç mund ta shihni në program të “Anibarit”, ne me izolim po ashtu jemi të prirë të inovojmë.
Izolimi na jep mundësinë ta ridefinojmë afërsinë tonë, edhe në kushte të jashtëzakonshme ta ruajmë njerëzoren dhe të inovojmë mënyrën si komunikojmë, që të mbesim të bashkuar e të dashur edhe në situata të vështira.
Por, kjo vjen nga izolimi të cilit ja dimë kufirin. Kjo vjen nga një izolim i qëllimshëm i përkushtimit ndaj veprës sonë dhe krijimit të gjërave të bukura e kuptimplota.
Bukuria, imagjinata, kreativiteti e arritshmëritë e “Anibarit” nuk do të ishin aq mbresëlënëse sikur të mbetnin të izoluara në vakumin e artistëve e krijuesve. Veprat e puna e izolimit shkëlqejnë me potencialin e tyre të plotë kur ua largojmë barrierat, kur i hapim dyert e kufijtë e i ndajmë me botën e i bashkojmë të tjerët me ne, siç jemi ne bashkë me të tjerët edhe atëherë kur mbajmë distancë fizike.
Ne, e dimë këtë më mirë se kushdo tjetër. E megjithatë, në këtë izolimin tonë, me dedikimin e të rinjve si ju, ne arrijmë të rritemi e të zhvillohemi e puna juaj – puna jonë, të bëhet aq e madhe sa të thyej çdo kufi – qofshin ata fizikë apo imagjinarë.
Keni arritur shumë suksese e askush tashmë nuk ka dyshim se vitet e ardhshme janë po ashtu vite të suksesit tuaj, të suksesit të “Anibarit”, të suksesit të të gjithëve.
Faleminderit.
Last modified: 30 Korrik, 2021