Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mori pjesë virtualisht në Konferencën e Lidershipit të Oksfordit

14 Prill, 2024

Prishtinë, 14 prill 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë virtualisht në Konferencën e Lidershipit të Oksfordit, e cila po zhvillohet në Dubai.

Në fjalën e tij, ai trajtoi sfidat me të cilat bashkërisht përballemi në nivel global, si energjia dhe ndryshimet klimatike, qasjes sonë ndaj tyre dhe punën e të arriturat e qeverisë.

“Në Kosovë, ne si qeveri socialdemokrate, besojmë në një vizion për politikë që është më gjithëpërfshirës – një vizion që e bën përulësinë dhe solidaritetin prioritet, ushqen qëndrueshmërinë dhe vlerëson dinjitetin e punës. Qeveria jonë është fokusuar në adresimin e pabarazive socio-ekonomike duke investuar në rritje dhe zhvillim. Paketa jonë gjithëpërfshirëse e politikave siguron që grupet e cenueshme, duke përfshirë grupet me të ardhura të ulëta dhe grupet e margjinalizuara, të arrijnë përmirësime të rëndësishme në mirëqenien, aksesin në punësim, arsim dhe shëndetësi, energji dhe shërbime të tjera publike. Sipas Bankës Botërore, Kosova ka ofruar pakon më bujare të ndihmës në Ballkanin Perëndimor si përqindje e BPV-së për t’i ndihmuar qytetarët të përballen me inflacionin.” tha kryeministri.

Ai theksoi mes shumë të tjerash rritjen e punësimit, dyfishimin e investimeve të huaja direkte dhe eksporteve, shtesat për fëmijë e mbështetja për nënat lehona, sistemi dual, arsimi i lartë falas, mbështetja dhe bursat për gratë në STEM, por edhe përmendi rankimet e larta e pozitive të vendit tonë në indekset e renditjet të ndryshme ndërkombëtare.

Në përfundim, kryeministri tha se “Ngjarjet e tri viteve të fundit, brenda dhe jashtë vendit, na kujtojnë se barazia, të drejtat e njeriut dhe demokracia nuk mund të merren si të mirëqena. Ata duhet të ushqehen, të mbrohen dhe të avancohen me çdo kusht, dhe ne jemi krenarë që jemi të pozicionuar në mënyrë unike për të vlerësuar dhe promovuar këto vlera.”

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Mirëmëngjes të dashur pjesëmarrës të Konferencës së Lidershipit të Oksfordit 2024,

Përshëndetje për të gjithë akademikët, studiuesit dhe politikëbërësit nga Universiteti i Oksfordit dhe më gjerë. Kam kënaqësinë t’ju bashkohem në ditën e fundit të mbledhjes suaj si liderë të ardhshëm globalë.

Ndërsa një nga ish-studentët më të shquar të Oksfordit, John Locke, teorizoi mbi burimet, duhet t’u mbetet “mjaft dhe aq e mirë” brezave të rinj. Fatkeqësisht, me shqetësimet e pabarazisë, sigurisë dhe ndryshimeve klimatike, është e qartë se kjo dispozitë e kontratës sociale është shkelur. Pjesa më e madhe e asaj që ka funksionuar për brezat e kaluar mund të ketë nevojë të tërhiqet ose të riformohet për t’i shërbyer më së miri një brezi që përballet me sfida të reja. Shkenca dhe teknologjia kanë qenë paradoksalisht shkaku dhe zgjidhja e shumë krizave globale që prishin këndvështrimin e të rinjve për jetën dhe të ardhmen. Por shkenca dhe teknologjia na ofrojnë vetëm fakte, jo vlera, mbi të cilat duhet të veprojmë. Është detyrë për ne si qeveri – dhe për ju, si udhëheqës të ardhshëm – të ndërmarrim veprime efektive, të bazuara në vlera.

Në Kosovë, ne si qeveri socialdemokrate, besojmë në një vizion për politikë që është më gjithëpërfshirës – një vizion që e bën përulësinë dhe solidaritetin prioritet, ushqen qëndrueshmërinë dhe vlerëson dinjitetin e punës. Qeveria jonë është fokusuar në adresimin e pabarazive socio-ekonomike duke investuar në rritje dhe zhvillim. Paketa jonë gjithëpërfshirëse e politikave siguron që grupet e cenueshme, duke përfshirë grupet me të ardhura të ulëta dhe grupet e margjinalizuara, të arrijnë përmirësime të rëndësishme në mirëqenien, aksesin në punësim, arsim dhe shëndetësi, energji dhe shërbime të tjera publike. Sipas Bankës Botërore, Kosova ka ofruar pakon më bujare të ndihmës në Ballkanin Perëndimor si përqindje e PBB-së për t’i ndihmuar qytetarët të përballen me inflacionin.

Punësimi është më i lartë se kurrë dhe ne kemi dy herë më shumë të rinj të punësuar në tregun e punës sesa kur morëm detyrën. IHD-të dhe eksportet janë dyfishuar në tre vitet e fundit, ndërsa deficiti ynë tregtar është tkurrur me një të tretën. Ne i kemi qëndruar besnik premtimit ndaj nënave të reja dhe fëmijëve nën moshën 16 vjeç, të cilët tashmë janë përfituese të ndihmës mujore shtetërore. Ne e mbajtëm fjalën ndaj studentëve kur thamë se arsimi i lartë publik do të bëhet falas. Ndërkohë, jemi në proces të ndërtimit të një sistemi të arsimit të dyfishtë në raport me tregun e punës, me 12 programe të reja në 21 shkolla profesionale në mbarë Kosovën, duke tejkaluar hendekun e aftësive në vendin tonë.

Për shkencën dhe teknologjinë, qeveria jonë ka ofruar bursa për më shumë se 4600 vajza që studiojnë në fushat STEM, një nismë strategjike që synon riformësimin e peizazhit teknologjik të vendit. Sot, më shumë se 50% e studentëve të regjistruar në Shkenca Kompjuterike, Inxhinieri Kompjuterike dhe TIK në Kosovë janë vajza, duke shënuar një ndryshim të rëndësishëm drejt barazisë gjinore në këto fusha. Jemi krenarë që Kosova tashmë ka mbulim 100% të zonave të banuara me internet broadband, gjë që na vendos në mesin e 8 vendeve më të mira në Evropë. Nga administrata publike dhe arsimi tek shëndetësia dhe ekonomia, ne besojmë se transformimi dixhital është një shtytës kryesor drejt një qeverie më transparente dhe efikase. Në portalin tonë të shërbimeve qeveritare, e-Kosova, janë lansuar 155 shërbime elektronike, të cilat eliminojnë kohën e pritjes në sportele dhe ua lehtësojnë jetën qytetarëve tanë.

Së fundmi ne iu bashkuam Shoqatës Evropiane të Kartës Rinore, e cila u jep të rinjve tanë akses në zbritje dhe përfitime në të gjithë Evropën dhe ne do të jemi vendi i parë anëtar plotësisht dixhital në këtë organizatë ndërkombëtare.

Me dixhitalizimin dhe përparimet teknologjike vijnë shqetësimet për sigurinë, prandaj ne kemi miratuar një Strategji të Sigurisë Kibernetike dhe një ligj për sigurinë kibernetike. Për këtë arsye kemi themeluar edhe Agjencinë e Sigurisë Kibernetike dhe Qendrën e Trajnimit në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Ne besojmë në bashkëpunimin rajonal dhe euroatlantik. Fatkeqësisht, ne po përballemi me pengesa absurde të rrënjosura në ankesat historike dhe tendencat autokratike. Sipas të gjitha masave dhe indekseve ndërkombëtare, Kosova është demokracia më e avancuar në rajon dhe ka kushtetutën më të avancuar në Evropë për mbrojtjen e komuniteteve joshumicë. Raporti i vitit 2024 nga Instituti V-Dem me bazë në Suedi për matjen e demokracisë e vendosi Kosovën në vendin e parë në Ballkanin Perëndimor dhe e theksoi atë si një nga demokracitë e pakta që tregon përmirësim në nivel global. Këto vitet e fundit, ne kemi përmirësuar 21 vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International dhe 22 vende në Indeksin e Lirisë së Medias të Reporterëve pa Kufij.

Aftësia jonë për të ecur përpara pengohet në mënyrë aktive nga Serbia, e cila nuk është e interesuar të jetë pjesë e NATO-s apo BE-së. Aleanca e saj me Rusinë dhe fantazitë e saj për një të kaluar alternative po na mbajnë ne dhe të gjithë rajonin prapa. Në dy vitet e para si kryeministër, Serbia grumbulloi ushtrinë e saj përgjatë kufirit me Kosovën katër herë dhe sponsorizoi terrorizmin brenda kufijve tanë. Shtatorin e kaluar, një polic kosovar u vra pas një inkursioni të terroristëve paraushtarakë. U sekuestruan armë dhe pajisje ushtarake me vlerë mbi 5 milionë euro. Rreth 90 ushtarë të NATO-s majin e kaluar u plagosën, disa të plagosur rëndë, për shkak të sulmeve nga një turmë e sponsorizuar nga Beogradi. Pavarësisht të gjithave, ne kemi hyrë në një marrëveshje me Serbinë nën patronazhin e dialogut të lehtësuar nga BE – një marrëveshje që Serbia tani refuzon ta nënshkruajë.

Një çështje tjetër e sigurisë kombëtare ne e konsiderojmë si energjinë dhe ndryshimet klimatike. Në Kosovë ne përballemi me shumë sfida në këtë drejtim, duke përfshirë ndotjen e rrezikshme të ajrit dhe rrezikun e lartë të zjarreve dhe vërshimeve. Do të duhen shumë burime që ne të kalojmë në energji të pastër dhe të përshtatim infrastrukturën tonë me ndryshimet klimatike. Por sot, koncepti i qëndrueshmërisë është në qendër të të gjitha politikave, strategjive dhe ligjeve që ne hartojmë dhe miratojmë. Përmes investimeve po e kthejmë Korporatën Energjetike të Kosovës në ndërmarrjen më të pastër duke instaluar 100 megavat energji diellore. Ne po reformojmë sektorin tonë energjetik me grantin më të madh në historinë e vendit tonë nga Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit, me vlerë 236.7 milionë dollarë dhe po ndërtojmë projektin e parë në Ballkan për ngrohje qendrore me energji diellore, me vlerë 80 milionë euro. Shpresoj t’ju kem dhënë ushqim për të menduar ndërsa përfundoni programin e sotëm.

Është e qartë për ne se lufta e vazhdueshme në Ukrainë nuk po ndodh në vakum. Një valë autokratësh në mbarë botën po kërkon në mënyrë aktive të përmbysë demokracinë dhe të minojë të drejtat e njeriut të fituara me vështirësi. Ngjarjet e tre viteve të fundit, brenda dhe jashtë vendit, na kujtojnë se barazia, të drejtat e njeriut dhe demokracia nuk mund të merren si të mirëqena. Ata duhet të ushqehen, të mbrohen dhe të avancohen me çdo kusht, dhe ne jemi krenarë që jemi të pozicionuar në mënyrë unike për të vlerësuar dhe promovuar këtë ndjenjë.

Faleminderit.

 

 

 

Last modified: 15 Prill, 2024

Comments are closed.

×