Prishtinë, 29 maj 2024
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në tubimin mbështetës për zgjedhjet në Luginë, me moton “Me mendje dhe zemër për Luginën”, për kanditaten për kryetare të Komunës së Preshevës, Ardita Sinani dhe kandidatin për Kryetar të Komunës së Bujanocit, Ragmi Mustafa.
Para shumë të pranishmëve në këtë tubim kryeministri Kurti tha se ishte aty si Kryetar i Lëvizjes, po njëherit edhe si Kryeministër i vendit, për të theksuar përkushtimin e palëkundur që Qeveria e Kosovës dhe Lëvizja VETËVENDOSJE! kanë ndaj Luginës së Preshevës.
“Lugina është simbol i shpresës dhe qëndresës. Ajo mbartë një trashëgimi të pasur historike dhe kulturore për të gjithë neve, por edhe një potencial të madh zhvillimor për qytetarët e saj. Lugina vazhdon të jetë një prej zonave më të rëndësishme e më të ndjeshme”, u shpreh ai.
Kryeministri theksoi se në këto vite, kemi parë dhe përjetuar shumë sfida, vështirësi dhe pengesa nëpër të cilat ka kaluar Lugina. Diskriminimi i vazhdueshëm, mundësi të pabarabarta, mungesa e qasjes në shërbime publike, zhvillimi i dobët ose i papërshtatshëm janë vetëm disa nga problemet me të cilat ballafaqohen shqiptarët në Luginë përditë.
E përballë këtyre sfidave, Qeveria e Kosovës ka punuar pa ndalur për të ofruar mbështetje sociale dhe ekonomike, për të përmirësuar arsimin, kulturën dhe shëndetësinë në Luginë, tha kryeministri.
“Kemi investuar dhe do të vijojmë të investojmë për të ndihmuar komunitetin tonë atje, për të siguruar një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët. Qeveria jonë tashmë ka linjë të rregullt buxhetore për shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit dhe kemi bërë rritje të mbështetjes financiare nga 2 në 3 milionë euro në buxhetin e vitit 2024”, u shpreh ai në fjalën e tij.
Përderisa zgjedhjet po afrojnë në Luginën e Preshevës, kryeministri veçoi se kemi një mundësi unike për ta çuar përpara këtë bashkëpunim dhe mbështetje, mundësinë për të ndërtuar projekte të reja që e zhvillojnë ekonomikisht vendin, që i rrisin mundësitë për të rinjtë dhe që sigurojnë shërbimet e nevojshme arsimore dhe shëndetësore për të gjithë shqiptarët që jetojnë atje.
Në përmbyllje të fjalës së tij, kryeministri bëri thirrje që të dalin dhe të votojnë në zgjedhjet në fillim të muajit qershor, pasi vota e tyre është forca për një shoqëri më të drejtë, të barabartë e prosperuese në Luginën e Preshevës.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
I nderuari z. Shaip Kamberi,
Të nderuar kandidatë për këshilltarë komunalë në Medvegjë dhe Bujanoc,
E nderuara zonja Ardita Sinani,
I nderuari z. Ragmi Mustafi,
Të nderuar kryetarë të komunave të Gjilanit dhe të Kamenicës, Alban Hyseni dhe Kadri Rahimaj,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,
Të nderuar zëvendësministra të Qeverisë së Republikës së Kosovës,
Të nderuar bashkëqytetarë, miq e dashamirë nga Presheva, Medvegja e Bujanoci,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj
Motra dhe vëllezër,
Jam sot para jush këtu si Kryetar i Lëvizjes, po njëherësh edhe si Kryeministër i vendit, për të theksuar përkushtimin e palëkundur që Qeveria e Kosovës dhe Lëvizja VETËVENDOSJE! kanë ndaj Luginës së Preshevës.
Lugina është simbol i shpresës dhe qëndresës. Ajo mbartë një trashëgimi të pasur historike dhe kulturore për të gjithë neve, por edhe një potencial të madh zhvillimor për qytetarët e saj. Lugina vazhdon të jetë një prej zonave më të rëndësishme e më të ndjeshme.
Në këto vite, kemi parë dhe përjetuar shumë sfida, vështirësi dhe pengesa nëpër të cilat ka kaluar Lugina. Diskriminimi i vazhdueshëm, mundësi të pabarabarta, mungesa e qasjes në shërbime publike, zhvillimi i dobët ose i papërshtatshëm janë vetëm disa nga problemet me të cilat ballafaqohen shqiptarët në Luginë përditë.
Përballë këtyre sfidave, Qeveria e Kosovës ka punuar pa ndalur për të ofruar mbështetje sociale dhe ekonomike, për të përmirësuar arsimin, kulturën dhe shëndetësinë në Luginë. Kemi investuar dhe do të vijojmë të investojmë për të ndihmuar komunitetin tonë atje, për të siguruar një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët. Qeveria jonë tashmë ka linjë të rregullt buxhetore për shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit dhe kemi bërë rritje të mbështetjes financiare nga 2 në 3 milionë euro në buxhetin e vitit 2024.
Tani, me zgjedhjet që po afrojnë në Luginë, kemi një mundësi unike për ta çuar përpara këtë bashkëpunim dhe mbështetje. Kemi mundësinë për të ndërtuar projekte të reja që e zhvillojnë ekonomikisht Luginën, që i rrisin mundësitë për të rinjtë dhe që sigurojnë shërbimet e nevojshme arsimore dhe shëndetësore për të gjithë shqiptarët që jetojnë atje.
Tubimi i dhjetorit të vitit të kaluar në mbështetje të Shaip Kamberit deputet ishte nën titullin “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon”, rreth të cilit ishim të bashkuar të gjithë. Angazhimi politik nuk ndalet asnjëherë, madje tash Luginës pos zërit të fuqishëm që ka Parlamentin i duhen edhe kryetarë të komunave për të konsoliduar kështu platformën për shqiptarët atje.
Andaj, këto zgjedhje janë një moment vendimtar, politik dhe jo vetëm.
Kemi nevojë jo për thjesht politikanë që bëhen kryetarë, por për veprimtarë intelektualë për të drejtat e njeriut, për një shoqëri të drejtë e të barabartë, e të zhvilluar. Për vizion dhe përkushtim për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për Preshevën dhe Bujanocin, një të ardhme që përputhet me aspiratat dhe shpresat e qytetarëve të Luginës.
Qeveria e Republikës së Kosovës do të jetë gjithmonë krah tyre, duke mbështetur zhvillimin dhe progresin në çdo hap. Por për të arritur këtë, ne kemi nevojë për angazhimin tuaj. Ne kemi nevojë për votën tuaj. Më kanë thënë që nuk bën të marr pjesë vetëm te dy kandidatë. Unë shkoj aty ku më thërrasin. E unë e falënderoj Ardita Sinanin dhe Ragmi Mustafën që më kanë ftuar. Aty ku është Lugina bashkë, aty jam unë bashkë me Luginën.
Të dashur qytetarë, ju ftoj të gjithë ju dhe familjet tuaja që keni të drejtë vote në Luginë të dilni dhe të votoni. Vota juaj është forca për një shoqëri më të drejtë, të barabartë e prosperuese në Luginë.
Le të ngrihemi së bashku dhe të mbështesim këta kandidatë të cilët duhet ta shpeijnë përpara edhe pozitën e qytetarëve atje por në gtë njëjtën kohë edhe ëndrrat e dëshirat e rinisë, që ka të drejtë më shumë e meriton shumë më tepër.
Le të ngrihemi për Luginën e Preshevës, për një Luginë që do të ketë gjithmonë mbështetjen e Qeverisë së Kosovës.
Bashkë bëhen ndryshime të mëdha. Bashkë ndërtohet e ardhmja dhe zhvillohet jeta dhe përparojnë shoqëria e kombi. Beogradi bën thirrje për bojkot e obstruksion. Ne bëjmë thirrje për pjesëmarrje e kontribut! Nuk ka vendimmarrje pa pjesëmarrje.
Të angazhohemi të dielën e 2 qershorit për këtë ndryshim. Me votën tuaj masive qytetare arritët ndryshimi madhor komunal!
Ju faleminderit!
E tash më duhet të shkoj në një angazhim tjetër, por mund të ju marr me vete atje ku jam duke shkuar, pra varet prej juve. Më duhet të shkoj në një koncert festiv në sheshin “Zahir Pajaziti” të organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë, “Melodia e Lirisë” me rastin e 80-vjetorit të çlirimit të atdheut nga pushtimi nazifashist. Andaj kështu siç jeni bashkë, vazhdoni të angazhoheni e të punoni bashkë në mënyrë që ndryshimet pozitive e progresiste për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë, dhe Bujanoc të kumbojnë ngado që jeton, punon, gjallëron kombi shqiptar.
Ju faleminderit!
Last modified: 30 Maj, 2024