Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mori pjesë në tryezën e rrumbullakët me studentë romë, ashkali dhe egjiptianë në Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti”

29 Mars, 2024

Prizren, 29 mars 2024

Në vazhdën e aktiviteteve të zhvilluara gjatë ditës së sotme, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, qëndroi për vizitë në qytetin e Prizrenit, ku mori pjesë në tryezën e rrumbullakët me studentët nga komuniteti romë, ashkali dhe egjiptianë, takim ky i cili u zhvillua në hapësirat e Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”.

Kryeministri Kurti fillimisht zhvilloi një takim me Rektorin e Universitetit “Ukshin Hoti”, Mentor Alishani, ku edhe u njoftua për punën dhe të arriturat e këtij Universiteti, teksa u shpreh se është i lumtur që ndodhet në qytetin e lashtë të Prizrenit nga i cili kanë dalur shumë intelektualë e artistë. Aty ai veçoi edhe të ndjerin Kujtim Paçaku si një nga studentët e dalluar.

Në tryezën e diskutimit të pranishëm ishin edhe disa nga studentët që kanë përfituar nga bursat për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, të cilat janë ndarë këtë vit, të realizuara në bashkëpunim mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Vlen të theksohet së gjatë ditës së djeshme, është nënshkruar kontrata për fonde për Lendrit Qelin, egjiptiani i parë në Kosovë për studime doktorature.

Gjatë diskutimit me studentë kryeministri Kurti, veçoi edhe themelimin e Ekipit Ndërinstitucional gjatë vitit 2022, i cili ka për qëllim promovimin e punësimit të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, krahas bursave që janë ndarë për studentë të arsimit të lartë dhe atyre të shkollave të mesme.

“Ne si Qeveri vlerësojmë diversitetin si pasuri për një shtet, jemi krenarë që çdo vit kemi më shumë studentë nga komunitete të ndryshme në universitetet tona publike dhe më shumë të diplomuar në tregun tonë të punës”, u shpreh kështu kryeministri Kurti gjatë bashkëbisedimit me të rinjtë dhe të rejat nga komunitetet.

Ndërsa, Rektori i Universitetit të Prizrenit, profesor Mentor Alishani, u shpreh se komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian janë aset shumë i rëndësishëm i shoqërisë sonë dhe gëzojnë një prezencë të fuqishme në vendin tonë. Ai tha se në të gjitha programet studimore kemi studentë e bursistë nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian.

“Universiteti ynë ka qenë dhe do të jetë i hapur për të gjitha iniciativat dhe projektet që kanë për qëllim promovimin e vlerave të komunitetit që janë pjesë e pandashme e shoqërisë sonë”, shtoi tutje rektori.

Gjatë kësaj vizite kryeministri Kurti, pati mundësinë që të shohë nga afër edhe ambientet e Bibliotekës së këtij Universiteti.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

I nderuari z.Mentor Alishani, Rektor i Universitetit të Prizrenit, “Ukshin Hoti”,
Të nderuara prorektore, znj.Serdan Kervan dhe znj.Adelina Rakaj,
I nderuari deputet i Kuvendit të Republikës, Erxhan Galushi,
Të nderuar zëvendësministra, Elshani dhe Kelmendi,
I nderuari Habit Hajredini, drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë,
Të nderuar staf akademik dhe ju studentë të Universitetit “Ukshin Hoti,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,

Është kënaqësi të jem këtu në Universitetin, i cili e mban emrin e profesorit Ukshin Hoti. Jam gjithmonë i lumtur që të rikthehem në qytetin e lashtë të Prizrenit, prej nga kanë dalur shumë intelektualë e artistë. Mes tyre dallohet i ndjeri Kujtim Paçaku dhe është nder që sot të jemi bashkë edhe me familjarët e tij këtu sot.

Njëra nga poezitë e z.Paçakut që e pëlqej më shumë, titullohet “Deri kur” si pyetje për atë që lexon. Pjesa e fundit e poezisë e ka një bekim, të cilin po e citoj:
“Fletët e librit, le të jenë krahët e tyre. Që nesër të mund të fluturojnë e të fluturojnë, e të fluturojnë qiellit pa fund”, mbaron citati.

Sot jemi në një mjedis, siç jemi dëshmitarë të gjithë, të rrethuar me librat dhe gëzohem të jem këtu për të bashkëbiseduar, se si mund të sigurojmë që studentët e komunitetit të z.Paçakut, të komunitetit rom, por edhe të komuniteteve ashkali dhe egjiptian mund të arrijnë lartësitë, që i synojnë. Dhe, e dimë që fluturimi nuk është vetëm çështje dëshire. E dimë prej botës së industrisë që fluturimi bëhet me vullnet. Po. Por, edhe me punë edhe me dizajn të kujdesshëm, si dhe nga mësimi prej të tjerëve, që kanë fluturuar para nesh.

Kështu që sot jam i interesuar të dëgjoj jo vetëm për dëshirat tuaja, por edhe si student i inxhinierisë që isha, jam i interesuar për gjëra praktike që po bëhen. Po ashtu, për gjërat që mund t’i bëjmë së bashku për të arritur suksesin maksimal për ju si studentë dhe për të rinjtë e tjerë, që vijnë pas jush, për motrat dhe vëllezërit, për të afërmit e fqinjët tuaj, që do të frymëzohen nga arritjet tuaja.

Ne si qeveri kemi shprehur dëshirat për sukses të studentëve prej çdo komuniteti, por edhe e kemi dëshmuar angazhimin tonë në detaje praktike për ta arritur këtë qëllim konkretisht.

Ne besojmë që për të pasur sa më shumë studentë të suksesshëm nga komunitetet në universitete, duhet të fillojë nga klasa e parë. Andaj, kemi investuar në qendrat mësimore me 200 mijë euro në vitin e kaluar dhe në të njëjtën shumë, gjithashtu në vitin 2022.

Mbase disa nga ju mund të keni përfituar nga shërbimet në këto qendra, që u kanë ndihmuar të jeni këtu sot.

Pas arsimit obligativ kemi ofruar mbështetje për studentët e komuniteteve, që kanë shprehur dëshirën për të vazhduar shkollën e mesme, me ç ‘rast kemi dhënë 500 bursa në vit. Shpresoj që disa prej jush edhe kanë përfituar nga kjo masë nxitëse e ndihmuese.
Pastaj, kemi siguruar që arsimi universitar të jetë falas për të gjithë studentët pa përjashtim dhe kemi ofruar bursa për mbulimin e shpenzimeve të tjera që kanë studentët.

E di që disa prej jush jeni në mesin e 55 studentëve që kanë përfituar nga bursat për komunitetet rom, ashkalinj dhe egjiptian që i kemi ndarë sivjet si pjesë e një bashkëpunimi mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Ne gjithashtu kemi dhënë mbi 4880 bursa për studentet gra dhe vajza në fushat: Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë apo STEM siç njihen me akronimin përkatës shkurtimisht.

Zëvendësministri Taulant Kelmendi na njoftoi sot, që dje është nënshkruar kontrata për fonde për Lendrit Qelin, egjiptiani i parë në Kosovë për studime doktorrature.
Pra, përveçse duhet t’i vazhdojmë punët e mira dhe t’i shtojmë ato, duhet të hapim edhe kapituj të ri në zhvillimin e përbashkët për edukim jo vetëm sa më të gjerë, por edhe sa më të thellë e cilësor.

Kemi dëgjuar për strategjitë e suksesshme për mentorim gjatë studimeve dhe më ka ardhur mirë që Universiteti “Ukshin Hoti”, ka marrë pjesë në tryezën e rrumbullakët për shkëmbim praktikave të mira për mbështetje të studentëve, bashkë me organizatat jo-qeveritare të cilat kanë nisma të suksesshme.

Shpresoj që mund të më tregoni më shumë për këtë gjatë bisedës sot. Kjo lloj ndihme është pjesë e iniciativave të ndërmarra nga ekipi ndërinstitucional për promovimin e punësimit të komuniteteve rom, ashkalinj dhe egjiptian, të cilin e kemi themeluar në vitin 2022.

Ne si Qeveri vlerësojmë diversitetin si pasuri për një shtet, jemi krenarë që çdo vit kemi më shumë studentë nga komunitete të ndryshme në universitetet tona publike dhe më shumë të diplomuar në tregun tonë të punës.

Shpresojmë që edhe ju jeni krenarë që si studentë të një universiteti të këtillë, krenarë pra për atë që po arrini për vetën dhe për familjet tuaja dhe për kontributin që mund të jepni për komunitetin, shoqërinë dhe shtetin.

E thënë me fjalët e poetit Paçaku, ju uroj fluturime e fluturime në qiell të pafund.

Ju faleminderit.

 

Last modified: 29 Mars, 2024

Comments are closed.

×