Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mori pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Çekisë në Kosovë

27 Tetor, 2023

Prishtinë, 27 tetor 2023 

Me rastin e festës kombëtare, ambasada çeke në Kosovë organizoi një pritje ku i ftuar ishte dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Në fjalën e tij, Kryeministri Kurti shprehu urimet për Republikën e Çekisë, duke theksuar se kjo datë na kujton dhe vlerat që bashkojnë njerëzit dhe vendet tona.

“Jam i lumtur të përmend se disa ditë më parë të dy vendet tona ngritën nivelet përkatëse të përfaqësimit në atë më të lartë, të ambasadorëve me të drejta të plota. Kjo arritje është një dëshmi e marrëdhënieve tona të shkëlqyera, të ndërtuara mbi angazhimin tonë të përbashkët për demokracinë, të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe sigurinë e qytetarëve tanë.” shtoi Kryeministri Kurti.

Më tej, ai përmendi e përkujtoi dhe autorë e dijetarë të mirënjohur çek, si Milan Kundera, Vaclav Havel e Karel Havliček.

Në përfundim, shprehu bindjen e tij se “Partneriteti ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Çekisë do të vazhdojë të lulëzojë edhe në vitet në vijim.”

Më poshtë, fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

I nderuari Ambasador i Republikës Çeke, z. Mazanek,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve, deputetë, ministra të Qeverisë,
President Sejdiu,
Shkëlqesi, zonja dhe zotërinj,

Është nder të flas para jush sot, me rastin e ditës së themelimit të Çekosllovakisë së pavarur në vitin 1918.

105 vjet më parë, Tomas Masaryk shpalli pavarësinë e Çekosllovakisë bazuar në “idealet e demokracisë moderne”. Ajo demokraci u ndërpre, fillimisht nga nazistët dhe më pas nga komunistët, përmes errësirës së gjatë të pushtimit sovjetik. Megjithatë, Republika Çeke, një komb në zemër të Evropës, me sukses iu kundërvu dhe përfundimisht i qëndroi besnike përpjekjeve të veta për liri, pavarësi dhe demokraci.

Ndërsa jemi mbledhur sot për të shënuar një moment historik të rëndësishëm në historinë e shtetit çekosllovak, kjo datë e përkujtuar na kujton vlerat që bashkojnë njerëzit dhe vendet tona. Duke marrë parasysh këtë, jam i lumtur të përmend se disa ditë më parë të dyja vendet tona ngritën nivelet tona përkatëse të përfaqësimit në nivelin më të lartë të ambasadorëve me të drejta të plota.

Kjo arritje është dëshmi e marrëdhënieve tona të shkëlqyera, të ndërtuara mbi angazhimin tonë të përbashkët për demokraci, të drejtat të njeriut, sundim të ligjit dhe siguri të qytetarëve tanë.

Ky angazhim dhe uniteti ynë janë edhe më të rëndësishëm sot, në një botë plot pasiguri, në të cilën rrezikohet rendi ndërkombëtar dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare.

Në këto kohë është shumë e rëndësishme që të qëndrojmë bashkë për të mbrojtur vlerat tona të përbashkëta dhe për të fuqizuar bashkëpunimin tonë në të gjitha fushat e interesit reciprok.

Republika Çeke ishte ndër të parat që e njohu pavarësinë e Kosovës në vitin 2008 dhe në vazhdimësi e ka mbështetur vendin tonë në shtetndërtimin, paqen, sigurinë dhe integrimin euroatlantik, për çka ne i jemi përjetësisht mirënjohës.

Pikërisht gjatë Presidencës Çeke të Këshillit të Bashkimit Evropian arritëm t’i japim fund një procesi të stërzgjatur të liberalizimit të vizave për Kosovën. Kjo arritje ishte kryesisht për shkak të përkushtimit dhe vizionit strategjik të qeverisë çeke për të ardhmen e Bashkimit Evropian.

Dhe pikërisht Presidencës Çeke të BE-së ia besuam aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke shënuar kështu një hap historik drejt anëtarësimit tonë në Bashkimin Evropian.

Unë personalisht e kam njohur Çekosllovakinë përmes filmave. Ne të gjithë e dimë shumë mirë për filmin e Philip Kaufman “Lehtësia e padurueshme e qenies” me Juliette Binoche, Lena Olin dhe Daniel Day-Lewis, dhe përmes tij njoha Milan Kunderen, i cili fatkeqësisht u nda nga jeta verën e kaluar. Dhe përmes Milan Kunderes njoha Jan Patočka, Kartën 77 dhe Vaclav Havelin, e po ashtu edhe një shkrimtar të jashtëzakonshëm 180 vjet më parë, i quajtur Karel Havliček. Unë e konsideroj atë si një nga shkrimtarët më të mirë për të mësuar historinë.

Të nderuar, Shkëlqesia Juaj Ambasador Mazanek,

Më vjen mirë që shoh bashkëpunimin tonë dypalësh dhe shumëpalësh që po zhvillohet nëpërmjet rritjes së lidhjeve diplomatike, ekonomike dhe njerëzore.

Dëshiroj të shpreh besimin tim të fuqishëm se partneriteti ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës Çeke do të vazhdojë të lulëzojë edhe në vitet në vijim. Mbes me shpresë në vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë me qeverinë e Republikës Çeke për t’i afruar edhe më shumë dy vendet tona.

Všechno nejlepší! Gëzuar! Urime!

 

Last modified: 27 Tetor, 2023

Comments are closed.

×