Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mori pjesë në Konferencën ‘’WinforVET formula për përfshirjen sociale përmes promovimit të Edukimit, Punësimit dhe Barazisë gjinore’’

7 Qershor, 2023

 

Prishtinë, 7 qershor 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në Konferencën WinforVET formula për përfshirjen sociale përmes promovimit të Edukimit, Punësimit dhe Barazisë gjinore, e organizuar nga partnerët implementues ‘’Roma Versitas Kosova’’ dhe Fondi për Arsimin e Romëve (REF) në kuadër të Projektit “Arsimi, Punësimi, Partneritetet dhe Barazia Gjinore: Një Formulë Fituese për Romët në AAP”, e cila është mbështetur nga Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA).

Në fjalën e tij hyrëse, Kryeministri Kurti, e filloi duke i përgëzuar dhe shprehur falënderimet e tij për, Agjencinë Austriake për Zhvillim, RomaVersitas, Roma Education Fund si dhe studentët, punëtorët, ndërmarrësit, mentorët dhe tutorët, për rezultatet e arritura dhe për angazhimin tyre për të drejtat e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

Sipas Kryeministrit, falë mbështetjes së ofruar është arritur që 150 studentë të kenë pasur mundësi që të vazhdojnë studimet e tyre, të cilët me zhvillimin e karrierës së tyre kontribuojnë më shumë për shoqërinë tonë. 50 persona tjerë janë kualifikuar përmes aftësimit profesional, të cilët do të jenë në gjendje të përfshihen në tregun e punës dhe të fillojnë punën, si dhe 40 praktikantë me pagesë, kanë përjetuar për herë të parë se si është bota e punës, duke përfituar njohuri dhe kontakte të reja dhe duke u dëshmuar edhe bizneseve dhe organizatave ku ishin të angazhuar se të gjithë përfitojnë nga diversiteti në ekipe.

Me krijimin e Ekipit Ndërinstitucional për Promovimin e Punësimit të Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve, si dhe pjesëmarrjen e RomaVersitas në këtë iniciativë të drejtuar nga Zyra për Qeverisje të Mirë në Zyrën e Kryeministrit është arritur që 104 romë, ashkali dhe egjiptianë të përfitojnë nga trajnimi në Qendrat e Trajnimit Profesional, po ashtu janë ndarë bursa për 500 nxënës të shkollave të mesme dhe 100 për studentë në universitete publike.

Kryeministri Kurti, u shpreh se si Qeveri po ofrojmë mundësi për të gjithë të rinjtë tonë, dhe ata që kanë përfituar nga iniciativat e krijuara nga WinforVET, për të vazhduar rrugëtimin e tyre profesional.
Në përmbyllje të fjalës së tij, Kryeministri Kurti, theksoi së është mirënjohës për kontributin dhe angazhimin duke shpresuar për thellim dhe zgjerim të bashkëpunimit, dhe për realizimin e synimeve të përbashkëta.

Në këtë konferencë pjesëmarrës ishin Sandra Horina, Drejtore e Agjencisë Austriake për Zhvillim, Avni Mustafa, Drejtor Ekzekutiv i Roma Versitas Kosova, si dhe Redjepali Çupi, bashkëdrejtor i Roma Education Fund.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Mua më vjen shumë mirë që jemi bashkë sot këtu duke diskutuar për një temë të rëndësishme që ka të bëjë jo vetëm me romët por, me njerëzit me shoqërinë me mënyrën se si duhet të kemi më shumë zhvillim por, gjithashtu edhe më pak pabarazi. Besoj që tema është fortë e qëlluar meqenëse edhe nga përvoja ime në Kryeministri sa herë fillojmë e flasim për ekonominë përfundojmë duke folur për arsimin dhe sa herë fillojmë e flasim për arsimin përfundojmë duke folur për ekonominë.
Nëse ka një gjë e cila është më e rëndësishme edhe se arsimi edhe se ekonomia atëherë kjo duket që është lidhja e arsimit me ekonominë.
Pra si të kesh një vend pune nga diploma dhe njëkohësisht si të bëjmë një zhvillim ekonomik që për vendet e punës që do të krijohen do të ketë diploma nga sistemi arsimor.

I nderuari, zëvendësministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Sylejman Elshani,
E nderuara zonja Sandra Horina, Drejtore e Agjencisë Austriake për Zhvillim,
I nderuar z. Avni Mustafa, Drejtor Ekzekutiv i Roma Versitas Kosova,
I nderuar Z. Redjepali Çupi, Bashkëdrejtor i Roma Education Fund,
E nderuara, zonja Majlinda Rizvanolli, këshilltare në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit,
Të nderuar partnerë në projektet WinforVET,
Zonja dhe zotërinj,

Ju përgëzoj të gjithëve Agjencinë Austriake për Zhvillim, Roma Versitas, Roma Education Fund dhe patjetër studentët, punëtorët, ndërmarrësit, mentorët dhe tutorët për rezultatet e arritura dhe për angazhimin tuaj për të drejtat e komuniteteve romë, ashkali, dhe egjiptian.

Falë mbështetjes së përbashkët 150 studentë kanë mundur të vazhdojnë studimet dhe tani mund të arrijnë më shumë në karrierën e tyre por edhe mund të kontribuojnë më shumë për shoqërinë tonë.
50 persona janë kualifikuar përmes aftësimit profesional të cilët do të jenë në gjendje të fillojnë punën, të kontribuojnë si shembuj për të tjerët si punëdhënës dhe si tatimpagues.

40 praktikantë me pagesë, kanë përjetuar për herë të parë se si është bota e punës, kanë përfituar njohuri dhe kontakte të reja. Po ashtu, u kanë dëshmuar edhe bizneseve dhe organizatave ku ishin të angazhuar se të gjithë përfitojnë nga diversiteti në ekip, me përvoja dhe qasje të ndryshme për zgjedhjen e problemeve të cilat janë të përbashkëta.

Siç e dini, qeveria jonë është e angazhuar dhe punon për më shumë barazi edhe më shumë mirëqenie. Kemi mbështetur pa dallim studentët, nënat lehona, fëmijët, pensionistët dhe kategoritë e ndryshme sociale. Qeveria jonë ka përkrahur të gjitha komunitetet përmes masave të zbatuara dhe granteve të ndara.

Vazhdimin e mbështetjes dhe bashkëpunimit, me prioritet edukimin dhe punësimin e kemi planifikuar edhe në Strategjinë tonë për Avancimin e të Drejtave të komuniteteve. Me ç’rast edukimi dhe punësimi jemi të bindur që ofrojnë rrugëdalje nga varfëria, dhe hapin rrugë edhe për integrim në shoqëri edhe për jetë më të mirë.
Vitin e kaluar e krijuam Ekipin Ndërinstitucional për Promovimin e Punësimit të Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve. E falënderoj RomaVersitas për pjesëmarrjen në këtë iniciativë të drejtuar nga Zyra për Qeverisje të Mirë në Zyrën e Kryeministrit. Jemi krenarë me punën e ekipës, së bashku me OJQ-të e tjera, me këshilltarët e mi dhe përfaqësues të ministrive përkatëse dhe partnerëve. E me këtë rast më lejoni që një falënderim të veçantë t’ia bëj zonjës Elizabeth Gowing, për gjithë angazimin edhe punën që ti kemi këto të arritura deri më tani.

Falë këtij angazhimi, në raundin e fundit të rekrutimit për Policinë e Kosovës, kemi siguruar që mbi 20 për qind e kadetëve të jenë nga komunitetet joshumicë të Kosovës, duke përfshirë 3 gra dhe 6 burra nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Gjithashtu, vitin e kaluar kemi arritur që 104 romë, ashkali dhe egjiptianë të përfitojnë nga trajnimi në Qendrat e Trajnimit Profesional krahasuar me vetëm 34 persona një vit më parë – një numër pra, tre herë më shumë.

Kemi ofruar edhe bursa për komunitetin rom, ashkali dhe egjiptian – 500 për nxënës të shkollave të mesme dhe 100 për studentë në universitete publike. Ne kemi krijuar një buletin që jep detaje për mundësitë e punësimit, i cili dërgohet jo vetëm në shqip dhe serbisht, por edhe në turqisht dhe gjuhën rome çdo dy javë tek më shumë se 400 organizata dhe individë që janë të interesuar për mundësitë për komunitetet jo-shumicë, veçanërisht në praktika, bursa, vende pune dhe trajnime.
Për praktikat me pagesë, Ministria e Financave është duke bashkëpunuar me UNICEFf-in dhe bizneset në platformën Kosova Generation Unlimited, e cila synon që 15% e praktikave të siguruara të jenë për pjesëtarë të komuniteteve joshumicë. E kemi edhe platformën Superpuna ku subvencionohen vendet e punës për të rinjtë, dhe ju inkurajoj të gjithë ju që tani jeni në gjendje të gjeni një vend pune, ose të punësoni dikënd në biznes, që të përfitoni nga kjo mundësi e shkëlqyer, si për bizneset ashtu edhe për punëkërkuesit.

Gjithashtu me fokus në punësimin e komuniteteve, Ministria për Komunitete dhe Kthim javën e kaluar e ka publikuar thirrjen për grante për 3 milionë euro, duke përfshirë iniciativat nga bizneset ekzistuese dhe të reja, dhe punën e Organizatave joqeveritare. Përveç kësaj, Zyra për Çështje të Komuniteteve pranë Zyrës së Kryeministrit tani ka shpallur konkurs për grante për rritjen e punësimit për Organizatat Joqeveritare, media dhe burse për komunitetet joshumicë.
Nga Superpuna, por edhe nga masat e tjera qofshin tek pakoja për ringjallje ekonomike apo tek pakoja për përballje me inflacion kemi mbi 50% për qind të punësimit të vajzave dhe të grave, nga numri i përgjithshëm i punësimeve

Për njëzet e një muaj ka pasur mbi 37 mijë vende pune ndërkaq prej tyre mbi 50% për gra njësoj edhe tek punësimet me programin Superpuna mbi 50 % janë të punësuara vajza e gra. Andaj, më lejoni gjithashtu t’iu përgëzoj që edhe në këtë konferencë po shumë gra e vajza të cilët tregojnë që edhe komunitetet shumicë edhe komunitetit shumicë edhe komunitetet pakicë apo joshumicë duhet të ecin përpara me të dy gjinitë pra edhe gratë edhe burrat.

Nuk ka barazi shoqërore pa barazi gjinore andaj kudo që jetoni, punoni, veproni, studioni, inkurajoni sa më shumë gra e vajza që të jenë aktive të jenë pjesëmarrëse dhe të jenë ë të barabarta. Është frymëzuese të shohë në këtë sallë gjithashtu njerëz që janë shembuj për komunitetet e tyre sikurse edhe për të tjerët njerëz të cilët e kanë sfiduar veten dhe kanë tejkaluar pengesat e kanë mundësuar të përfitojnë nga mundësitë për një jetë më të mirë.

Kështu, ne si Qeveri po ofrojmë mundësi për të gjithë të rinjtë tonë edhe ata që kanë përfituar nga iniciativat e krijuara nga WinforVET, për të vazhduar ë rrugëtimin e tyre profesional .
Ju jemi shumë mirënjohës dhe falënderues për kontributin dhe angazhimin dhe shpresoj për thellim të zgjerimit të bashkëpunimit për realizimin e synimeve të përbashkëta.

Ju uroj suksese dhe të arritura edhe në të ardhmen, një të ardhme gjithsesi më të ndritur për juve, për familjet e juaja, për komunitetet, dhe gjithashtu për shtetin tonë të përbashkët i cili është i të gjithëve

Faleminderit!

Last modified: 7 Qershor, 2023

Comments are closed.

×