Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mori pjesë në konferencën shkencore ndërkombëtare me titull “Sfidat dhe Perspektiva e Bashkëpunimit Ekonomik Kosovë- Shqipëri dhe Rajon”

7 Tetor, 2023

Prishtinë, 7 tetor 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në konferencën shkencore ndërkombëtare me titull “Sfidat dhe Perspektiva e Bashkëpunimit Ekonomik Kosovë- Shqipëri dhe Rajon”, e cila po zhvillon sot punimet e ditës së dytë ​dhe të fundit.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti tha se kjo konferencë, është nga më të natyrshmet, dhe më të rëndësishmet andaj edhe jemi të qartë që një bashkëpunim i këtillë është një përcaktues për gjendjen e marrëdhënieve mes shteteve tona por edhe të marrëdhënieve në mbarë rajonin e Ballkanit tonë.

Duke folur për raportet dhe bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë ai tha se gjerë më tani janë nënshkruar përgjatë viteve gjithsej 184 marrëveshje, protokolle e memorandume.

Ndër marrëveshjet e nënshkruara mes palëve, veçoi ai, një vend të rëndësishëm zënë marrëveshjet me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën ekonomike të qytetarëve, bizneseve por edhe më gjerë, teksa përmendi marrëveshjet që kanë gjetur zbatim dhe që kanë rezultate.

Ai foli edhe për shkëmbimet tregtare dhe raportin ekonomik. “Investimet nga Shqipëria në Kosovë nga viti 2019 deri në vitin 2022 kanë shënuar rritje me 136.5%, të shprehur në vlera (në vitin 2019 kishim 15.2 milionë investime; një vit më vonë 2020 – 39.8 milionë; 2021 – 50.4 milionë dhe në vitin e kaluar 2022-79.7 milionë euro). Dëshirë e Kosovës është që këto investime të rriten, dhe që shteti ynë të jetë sa më mikpritës për biznesin, kapitalin e konsumatorin që vjen nga Shqipëria”, tha ai.

Kryeministri Kurti u ka uruar suksese punimeve të kësaj konference dhe me sa më shumë efekte në planin konkret të integrimit tonë të përbashkët.

“Unë ju falënderoj shumë për mikpritjen dhe vëmendjen dhe ju përgëzoj për këtë iniciativë kaq me vend, siç është ky aktivitet që mbledh mendje, ide, studime, kërkime e mendime me vlerë për të kontribuar edhe me kritika e propozime në një rrafsh kaq prioritar për të gjithë ne, siç është ekonomia”, përfundoi ai.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

I nderuar z. Mehmet Kraja, Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës,
Të nderuar anëtarë të Këshillit organizues,
Akademikë e profesorë nga Kosova, Shqipëria, nga Maqedonia e Veriut, nga Lugina e Preshevës, nga kudo që janë shqiptarët në Ballkan,
Por gjithashtu, përshëndetje edhe të gjithë profesorëve dhe akademikëve nga bota, të huaj dhe shqiptarë që jetojnë, veprojnë e kontribuojnë atje,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,

Kjo konferencë është nga më të natyrshmet, dhe më të rëndësishmet, andaj edhe jemi të qartë që një bashkëpunim i tillë është një përcaktues për gjendjen e marrëdhënieve mes shteteve tona, por edhe të marrëdhënieve në mbarë rajonin e Ballkanit tonë. Gjithashtu është përcaktuese edhe për ndërsjelljen e tyre politike, e do thosha edhe ekonomike e sociokulturore. Si e tillë kjo konferencë është një ngjarje e cila e vë në qendër atë që është më e domosdoshme, sepse është vektori më substancial dhe imediat i ndryshimeve, fusha apo aspekti ekonomik i jetës dhe zhvillimit.

Ajo që po zhvillohet sot këtu është nga konferencat më të larta sepse në këtë vend ku më keni mirëpritur mua e jeni mbledhur bashkë ju do të flasin njohësit më të lartë të dy shteteve tona. Është nga konferencat më strategjike sepse në të do të flitet për bashkëpunimin në mes të dy shteteve sipas zotërimeve në njerëz, prodhim, financa dhe nivel teknologjik.

Është edhe konferencë shkëmbyese për sa i përket fushave, që nga energjia e deri te turizmi. Gjithashtu pashë se kjo konferencë vështron çështjet në horizontin e ekologjisë, por edhe në kushtin e inflacionit nga të dhënat më konkrete si ato të prodhimit bujqësor deri te përshpejtimi i tregtisë në kushtet e teknologjisë digjitale të pagesave.

Duket që organizatorët dhe pjesëmarrësit po e shtrojnë në mënyrë shteruese dhe shumë fundamentale gjendjen dhe mundësitë e bashkëpunimit kërkimor.

Prandaj unë u uroj sukses punimeve të kësaj konference dhe me sa më shumë efekte në planin konkret të integrimit tonë të përbashkët.

Midis Shqipërisë dhe Kosovës gjerë më tani janë nënshkruar përgjatë viteve gjithsej 184 marrëveshje, protokolle e memorandume. Ndër marrëveshjet e nënshkruara mes palëve, një vend të rëndësishëm zënë marrëveshjet me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën ekonomike të qytetarëve, bizneseve por edhe më gjerë. Bashkëpunimi, konkurrenca, shpërndarja e rishpërndarja e të mirave dhe e shërbimeve, të gjitha këto procese vitale për ekonominë, lehtësohen, përmirësohen, shpeshtohen e na japin më shumë frymë e gjallëri në vendet tona, në shoqëri e në shtet.

Investimet nga Shqipëria në Kosovë nga viti 2019 deri në vitin 2022 kanë shënuar rritje me 136.5%, të shprehur në vlera (në vitin 2019 kishim 15.2 milionë investime; një vit më vonë 2020 – 39.8 milionë; 2021 – 50.4 milionë dhe në vitin e kaluar 2022-79.7 milionë euro). Dëshirë e Kosovës është që këto investime të rriten, dhe që shteti ynë të jetë sa më mikpritës për biznesin, kapitalin e konsumatorin që vjen nga Shqipëria.

Me qëllim lehtësimin e mëtejshëm të tregtisë, thellimin e bashkëpunimit ekonomik, heqjen e barrierave tregtare midis Shqipërisë dhe Kosovës, veprojnë edhe një numër i konsiderueshëm marrëveshjesh dhe memorandumesh mirëkuptimi dypalëshe që janë nënshkruar ndër vite.

Megjithëkëtë, marrëveshjet nuk e zbatojnë vetveten, por duhet punë e veprim që ato të japin efekte konkrete. Të gjithë, edhe individët, edhe bizneset, edhe akademikët e politikanët, duhet të dëgjojmë e të shohim që ekonomia po përmirësohet, por më së pari duam ta ndjejmë këtë në jetët tona të përditshme. Pra, të nxjerrim konkluzione pozitive, progresiste edhe nga përvojat.

Deri më tani zbatimi i marrëveshjeve të lidhura për bashkëpunimin ekonomik e tregtar kanë bërë të mundur disa nga rezultatet e rëndësishme të cilët dëshiroj t´i përmend sot këtu me juve:

– Hapjen e zyrave doganore të Kosovës, në Durrës e Porto Romano ku kryhet zhdoganimi i të gjitha mallrave me destinacion Kosovën. Kjo procedurë e lehtëson biznesin, kursen kohën e redukton burokracitë dhe kostot për biznesin.

– Njohjen e periudhave të sigurimeve dhe kontributeve të paguara për shtetasit e të dy vendeve dhe përfitimi i pensioneve të pleqërisë e përfitimeve të tjera të skemës së kontributeve shoqërore, duke nxitur në këtë mënyrë rritjen e punësimit të shtetasve në secilin nga dy vendet tona.

– Lëvizjen pa asnjë kontroll të qytetarëve tanë gjatë sezonit veror (qershor- shtator) si dhe gjatë fundjavave e ditëve të pushimeve shtetërore. Kjo, pasi një rëndësi të veçantë të shkëmbimit ekonomik mes dy vendeve kanë edhe ato në fushën e turizmit. Për vitin 2022, sipas burimeve nga Policia e Kosovës, në pikën e përbashkët të kalimit kufitar Morinë – Vërmicë kanë kaluar rreth 8.2 milionë qytetarë, duke rritur fluksin e kalimeve në këtë pikë. Pra, është një numër i madh udhëtimesh në të dyja krahët, e secila prej këtyre udhëtimeve ka edhe domethënien e vet në ekonomitë tona. Prandaj lehtësimi i lëvizjes, me sa më pak vonesa e kontrolle, i shërben patjetër edhe rritjes së ekonomisë.

Me këtë rast, do të kisha theksuar një studim të para disa viteve, që thoshte se afër 90% të qytetarëve të Kosovës kanë qenë në Republikën e Shqipërisë, ndërkaq diku rreth 1/3 e qytetarëve të Republikës së Shqipërisë kanë qenë në Republikën e Kosovës. Kjo tregon se ka vend për përmirësim, por sidomos është e qartë edhe kahja e këtij përmirësimi. Kemi nevojë që sa më shumë qytetarë nga Shqipëria ta vizitojnë Kosovën dhe të kalojnë kohë duke takuar njerëz e duke shkëmbyer ide e përvoja sa më shumë, sepse në kahjen tjetër kjo tashmë ka edhe përmasë të lartë edhe traditë të zakonshmërisë.

Me qëllim promovimin e tregtisë dhe heqjen e barrierave Kosova dhe Shqipëria janë dakordësuar për njohjen e certifikatave veterinare, njohjen e analizave të laboratorëve të referencës, si dhe heqjen e procedurave të kontrollit të produkteve ushqimore me origjinë joshtazore, gjë që do të ndihmojë ndjeshëm fermerët në të dyja anët e kufirit.

Angazhimi i radhës për të cilën kemi rënë dakord, është analiza ligjore e teknike (road map) për mundësinë e një bashkimi të plotë doganor mes palëve. Grupi i Punës ka përgatitur analizën përkatëse duke propozuar edhe instrumentet dhe masat për të shkuar drejt bashkimit doganor (unifikimi i procedurave, përafrimi tarifor, minimizimi i barrierave jotarifore, ristrukturimi i pikave të përbashkëta të kalimit kufitar etj).

Një tjetër bashkëpunim i materializuar që synon rritjen e ndërlidhjes mes vendeve tona është ndërtimi i lidhjes hekurudhore Durrës – Prishtinë. Aktualisht, po ndiqet procedura e prokurimit për studimin e fizibilitetit dhe projekt-idesë për këtë projekt. Finalizimi i kësaj nisme, për të cilën kemi një interes shumë të madh që të ndodhë sa më shpejt, do të ketë efekte të drejtpërdrejta në mobilitetin e njerëzve e mallrave, pra edhe në bashkëpunimin konkret ekonomik e tregtar mes palëve tona.

Të gjitha këto marrëveshje, ashtu si edhe shumë të tjera që do të pasojnë, mundësojnë rritjen e tregtisë mes Kosovës e Shqipërisë, gjetjen e ofrimin e alternativave të reja për investime, natyrisht sjellin me vete edhe planifikime për ndërtime të reja infrastrukturore, siç është edhe lidhja direkte e ekonomisë së Kosovës me portin e Durrësit dhe ndërtimi i portit të thatë pranë Prishtinës, ndërkaq hapat për bashkim doganor kanë ndikim në formimin e një tregu të përbashkët më të madh e më atraktiv për të dyja shtetet.

Meqenëse kam nderin që të flas përpara një audience kaq të përzgjedhur shkencëtarësh të ekonomisë, pa u zgjatur shumë dëshiroj të tregoj këtu disa të dhëna nga procesi i punës ndërqeveritare që po bëhet në drejtim të bashkimit doganor Kosovë – Shqipëri.

Deri më tash Grupi i Punës, që është ngritur në zbatim të Memorandumit të Bashkëpunimit “Për ngritjen e një grupi të përbashkët pune për bashkimin doganor” ndërmjet Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë të Republikës së Shqipërisë, e ka hartuar materialin përkatës, duke identifikuar kuadrin ligjor rregullator, situatën e procedurave doganore mes dy vendeve dhe nivelin e bashkëpunimit doganor, ka trajtuar analizën e kosto-përfitimeve, sfidat potenciale për bashkimin doganor Shqipëri –Kosovë etj.

Disa nga konkluzionet e Grupi të përbashkët të punës mbi bashkimin doganor që duhen konsideruar tash prej nesh janë: tarifa e përbashkët doganore; unifikimi i procedurave doganore; çështje si procedurat doganore; tarifat administrative; profilet e përbashkëta të riskut; profilet e riskut të sigurisë etj. Risk i mundshëm mund të jetë evazioni i mallrave, me destinacion Shqipërinë. Kosova dhe Shqipëria aktualisht kanë nivele të ndryshme të taksave që aplikohen në import. Të dyja vendet kanë politika të ndryshme përjashtimi. Në momentin e hyrjes së një malli në pikën hyrëse, në rast se është destinuar për Kosovë do të paguajë taksat indirekte që aplikohen në Kosovë, TVSh, akcizë, etj.

Nga një vështrim i përgjithshëm, duket se instrumentet dhe masat që propozohen nga grupi i punës, për të shkuar drejt bashkimit doganor janë: unifikimi i procedurave, përafrimi tarifor, minimizimi i barrierave jotarifore, njësimi i orareve të punës së administratave doganore, ristrukturimi i pikave të përbashkëta të kalimit kufitar etj, pra fillimisht një “bashkim doganor burokratik” në nivelin e zyrave dhe burokracive shtetërore.

Sugjerimet e tilla sigurisht që kërkojnë shumë diskutim e studim të mëtutjeshëm, absolutisht edhe kontributin tuaj si akademikë e ekonomistë, dhe i përkasin së ardhmes por të ardhmes së afërt. Në të tashmen, fokusi ynë është hedhja e hapave dhe arritja e rezultateve konkrete për ekonomitë tona, në dobi të ndërmarrjeve, ekonomisë private e asaj publike, në dobi të të gjithë qytetarëve tanë.

Unë ju falënderoj shumë për mikpritjen dhe vëmendjen dhe ju përgëzoj për këtë iniciativë kaq me vend, siç është ky aktivitet që mbledh mendje, ide, studime, kërkime e mendime me vlerë për të kontribuar edhe me kritika e propozime në një rrafsh kaq prioritar për të gjithë ne, siç është ekonomia. Për ta përmbyllur me një fjalë të oratorit romak, Ciceronit, vetë mendimi ekonomik është pasuri, e ne jemi të interesuar që kjo pasuri të kultivohet dhe të rritet.

Ju falemnderit.

Last modified: 7 Tetor, 2023

Comments are closed.

×