Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mori pjesë në ‘’Hardh Orën Poetike’’ Xhevdet Bajraj

3 Shtator, 2023

Rahovec, 3 shtator 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori mbrëmë pjesë në aktivitetin “Hardh Ora Poetike” kushtuar poetit Xhevdet Bajraj, të organizuar nga Hardh Fest dhe Klubi Letrar “Xhevdet Bajraj”.

Në oborrin e poetit shqiptar me famë botërore, Xhevdet Bajraj, kryeministri Albin Kurti, e vlerësoi këtë organizim si një mënyrë e mirë për ta kompensuar sadopak mungesën fizike të poetit i cili u nda nga jeta me 22 qershor të vitit 2022.

Para të pranishmëve, ai shprehu ndjesinë e të qenurit me fat që një poet kaq të madh e ka njohur personalisht.

“Pra, artistë të mëdhenj i njohim nga vepra, po kur ke arritur edhe që t’i dëgjosh direkt e t’i prekësh, padyshim se përshtypjet janë më të mëdha, e unë do të thosha posaçërisht për shkak se bëhet fjalë për Xhevdetin”, tha kryeministri Kurti.

Për vlerësimet e vargjeve të tij të cilat edhe i kujtoi gjatë këtij aktiviteti, ai tha se përveç se vargje, janë edhe këngë të prodhuara nga preokupimet sociale të cilat e bëjnë Xhevdet Bajrajn poet të madh që ka dhënë njëkohësisht zë unik, estetik e social edhe dhimbjeve të popullit edhe dashurisë për vendlindjen.

Ndërkaq, në aspektin akademik, kryeministri Kurti theksoi nevojën e studimit të këtij zëri unik, përderisa u ndje i kënaqur me themelimin e Klubit Letrar “Xhevdet Bajraj”.

“Ky zë unik i Xhevdet Bajrajt që e ka aspektin estetik e social, njëkohësisht për të dyja këto dimensione kaq të fuqishme, padyshim se është mirë që të studiohet e lëvrohet në universitetet tona, nëpër akademitë tona dhe jo vetëm tonat”, shtoi kryeministri.

Në kuadër të festivalit ‘’Hardh Fest’’, përveç Orës Poetike kryeministri Kurti vizitoi edhe panairin e verës, i shoqëruar nga zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Për mua është tejet e vështirë që të vij në Rahovec, të vij për “Hardhfest”, e të mos e takojmë Xhevdetin. Por të vijmë në shtëpinë e tij kur se kemi fizikisht atë mes nesh, e të jemi përfundi kësaj hardhie të shtëpisë së tij, besoj që nuk ka pasur mënyrë më të mirë për ta kompensuar sadopak zbrazësinë e madhe që kemi secili prej nesh në zemrat tona, jo vetëm sot.

Të dashura, Drita dhe Besa dhe Fadil,

Të nderuar Zyrafete, Agron e Qemal,

Të nderuar të pranishëm, adhurues të poezisë së Xhevdetit, artdashës në përgjithësi,

Sivjet janë bërë 5 vjet prej se e kam takuar për herë të parë Xhevdetin dhe çdo takim ka zgjatur më shumë se sa që e kishim menduar të dy ne, unë do të thosha më shumë për shkak të dëshirës time që të rri me të sesa anasjelltas.

Meqenëse unë mësoja e kënaqesha me atë çfarë dëgjoja, dhe midis takimeve i kisha librat e tij që i lexoja, por edhe midis librave të tij që i lexoja i kisha takimet.

Andaj, ndjehem me shumë fat që një poet kaq të madh e kam njohur personalisht. Se zakonisht ky nuk është rasti. Pra, artistë të mëdhenj i njohim nga vepra, po kur ke arritur edhe që t’i dëgjosh direkt e t’i prekësh, padyshim se përshtypjet janë më të mëdha, e unë do të thosha posaçërisht për shkak se bëhet fjalë për Xhevdetin.

Libri i fundit i tij që e lexova, është libri i fundit i tij. Është pra “Angelus Novus” poezi të përmbledhura të pabotuara më parë në diçka që na mbush me nostalgji por edhe me shpresë.

Përshtypja e jashtëzakonshme ishte qysh në poezinë e parë “Një hap para”. Unë nuk e kam ditur që, t’ju them të drejtën, unë pajtohem me Xhevdetin për një tezë të tij në këtë poezi të parë, për një çështje që është shumë e rëndësishme jo vetëm për mua.

“Një hap para” e ka titullin poezia, ajo thotë kështu:

“Nuk është e vështirë të bëhesh njeri,

Vetëm një hap përpara,

Gjithmonë një hap para,

Duhet ta bësh brenda vetes”.

Pra, nuk flet për hapat që i bëjnë në botë, po për hapat që i bëjnë në vete. Dhe të bëhesh njeri. Kjo është tronditëse si konstatim sepse i bie që nuk jemi tamam njerëz. Dhe thënë të drejtën unë pajtohem. Pra, duhet të bëhemi njerëz. Të qenit njeri nuk është fakt i dhënë, është projekt human edhe social. Ne kur lindim teknikisht lindim njerëz, mirëpo lindim në një kontekst të caktuar kombëtar, shtetëror, kontinental, politik gjithsesi, dhe tashmë jemi diçka e dikushi.

Por ajo çka duhet të bëjmë me jetët tona, është të bëhemi njerëz. Në këtë kuptim të qenit njeri është e një rangu më të lartë të qenies se sa ajo që ishim në fillim, qysh janë veçantitë kulturore e kontekstuale, e të tjera.

Kjo është një temë mbi identifikimin në një kuptim më të thellë se identiteti të cilin unë nuk e kam diskutuar me të dhe mund ta merrni me mend se sa shumë u gëzova kur u pajtova me këtë që lexova.

Tjetra, është interesant që Xhevdeti flet për veten, pa fol për veten. Kështu që ju që nuk e keni takuar, të gjithë ne që s’mund ta takojmë më fizikisht ja vlen ta rilexojmë sepse e ka një shtresë leximi thua se jemi me të sërish.

Kjo nuk do të thotë që ai ka shkruar për veten, por ka një tis autobiografie poezia e tij. Dhe, ta zëmë te “Një ditë në parajsë” thotë:

“si mbetet gjë tjetër për të bërë në jetë

përveç ta ushqejmë brenda vetës fëmijën që refuzonte të rritej.”

Tash në përshtypjen time ky është vet Xhevdeti. Xhevdeti vet ke refuzuar të rritet. Është marifet i madh të dish ta mendosh suksesshëm fëmijën, sidomos kureshtjen fëmijërore brenda vetës sepse edhe sistemi i shkollimit edhe përvoja jetësore edhe profesioni bash cilitdo që e zgjedhim ose na zgjedh neve, të ç’mëson prej fëmijërisë. Pra duke u rritur ne ç’mësohemi për fëmijën që kemi brenda vetës, e ky reziston suksesshëm dhe unë besoj që këtij lloj suksesi Xhevdeti ia ka borxh suksesit. Rezistencës së tij të suksesshme për t’u rritur dhe mirëmbajtjes së qëndrueshme të fëmijërisë brenda vetës.

Por, për ata që bëjnë muzikë e krijojnë këngë nëse këtë e bëjnë me një, le të themi, preokupim social të angazhuar, atëherë unë besoj që para se dikush të prodhojë, të shkruaj këngën e radhës është mirë ta provojë Xhevdetin, dhe vargjet e tij janë edhe këngë. Janë këngë të angazhuara sociale që mbase është mëkat që nuk bëhen këngë siç janë. Dikush do të thoshte që, po e do një muzikantë kjo punë si Xhevdeti që është poet, për t’u bërë, po ja që shpresa nuk e le të riun kollaj.

Ta zëmë në njërën prej poezive të tij thotë:

“Ndal o çun,

Pi ujë në lumë

Merru me veten

Dehu me jetën.”

Është pa fund, vargje proteste nëpër këngë të ndryshme, por janë shumë të përshtatshme këto të Xhevdetit, andaj ka një lloj trysnie në botën sot që të jemi vazhdimisht kreativ, të shpikësh diçka të re, po unë besoj që kjo nuk duhet të jetë në kurriz të respektit të atyre që kanë bërë tashmë diçka të re. Ndoshta kemi nevojë për zhanre dhe forma të reja të asaj që tashmë ekziston. Nuk është e thënë që secili prej nesh bash në çdo gjë, tërë kohën e kudo të prodhojë diçka të re, të krijoj diçka të paparë. Thjesht është e rëndësishme që të lidhemi më njëri-tjetrin dhe le të themi të mbindërtojmë, se shpesh herë ndërtesa e re është pikërisht ky lloj mbindërtimi që pamundëson, siç do të thoshte edhe Xhevdeti, ta bësh një hap para brenda vetës.

Ose tek poezia “Kujtimet”:

“Në një pjatë prej guri,

nga një gotë prej druri,

ha e pi kujtimet e të parëve të mi

të bëra hi”.

Këtu kallxon çfarë vrulli i njëhershëm e ka shkruar këtë varg, mirëpo jo vrull për mendim sepse kur e rilexon e gjen mendimin. Kur e lexon përballësh me vrullin të cilës i qëndron, e në këtë kuptim unë besoj që poezitë e tij janë këngë shumë të përshtatshme edhe për t’u kënduar përveç se për t’u lexuar.

Xhevdet Bajraj për bindjen time të fuqishme është poeti ynë më i madh i cili i ka dhënë njëkohësisht zë unik e estetik e social edhe dhimbjeve të popullit edhe dashurisë për vendlindjen. Pra edhe dhimbjeve të popullit, edhe dashurisë për vendlindjen. Për vendlindjen si diçka e shkuar që nuk kalon dhe për popullin si diçka nga ky buron e i rikthehet. Pra jashtë popullit për t’u rikthyer brenda.

Andaj ky zë unik i Xhevdet Bajrajt që e ka aspektin estetik e social, njëkohësisht për të dyja këto dimensione kaq të fuqishme, padyshim se është mirë që të studiohet e lëvrohet në universitetet tona, nëpër akademitë tona dhe jo vetëm tonat, dhe më vjen shumë mirë që do të ketë një platformë e një shtëpi me emrin e tij e cila do të lehtësojë një gjë të tillë.

Siç e tha Gustavo në poezinë e tij, dhimbja e ka përmasën e tij, e unë vetëm do të shtoja që edhe dashuria e ka mënyrën e tij.

Ju faleminderit.

Last modified: 4 Shtator, 2023

Comments are closed.

×