Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mori pjesë në hapjen e Panairit të Librit: Dëshiroj që ky panair të ketë ndikim mendor e shpirtëror mbi të rinjtë

6 Qershor, 2023

 

Prishtinë, 6 qershor 2023

Nën moton “Libri Triumfon”, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e edicionit të 23-të të Panairit të Librit i mbushur përplot me tituj, organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës dhe mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Fillimisht duke e konsideruar si festival të librit, kryeministri Kurti shprehu dëshirën e tij që ky panair i librit, i cili është i barasvlershëm me një mendje të hapur e një qytezë në vete, të ketë ndikim mendor e shpirtëror, veçmas mbi të rinjtë.

Duke ditur rëndësinë e librit, kryeministri Kurti para të pranishmeve ka folur rreth qasjes dhe veprimeve të Qeverisë ndaj zhvillimit të librit. Me këtë rast, është gjashtëfishuar buxheti për librin, nga njëqind e gjashtëdhjetë mijë euro në një milion euro. Ai tha se Qeveria nuk mbështet vetëm letërsinë dhe shtëpitë botuese, por të gjitha gjinitë letrare dhe autorin e pavarur drejtpërdrejt. Njashtu, mbështet edhe zhvillimin e audio librave, programeve për nxitjen e lexueshmërisë, si dhe rezidencat letrare.

Transformimi digjital po prek edhe Bibliotekën Kombëtare të Kosovës duke e shndërruar në bibliotekën më të avancuar në rajon. Kryeministri përmendi edhe disa nga iniciativat që kanë për synim lehtësimin e qasjes së lexuesit te libri, duke përfshirë sistemin e rrjetit bibliotekar të Kosovës, Bibliotekën Digjitale dhe Programin Kombëtar të Arsimimit Bibliotekar.

Me vlerësime të larta për praninë e shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare, kryeministri Kurti në këtë ceremoni theksoi rëndësinë e kontributit të Kadaresë në formësimin e kombit shqiptarë me anë të romaneve dhe poezisë së tij.

“Jemi shumë të nderuar dhe pafund të gëzuar që e kemi në mesin tonë, shkrimtarin tonë të madh Ismail Kadare dhe më duhet të them që të gjithë ne jemi rritur me të, që do të thotë se vetëdija jonë për veten si komb shqiptar është në masë të konsiderueshme e formësuar nga romanet dhe nga poezia e Ismail Kadares. Ne atij i jemi borxh sa s’thuhet”, deklaroi kryeministri, i cili më pas zhvilloi një bashkëbisedim me Kadarenë, ku ky i fundit i dhuroi të nënshkruar librin e tij “Aksidenti”.

Në këtë ngjarje, përveç pranisë së kryeministrit Albin Kurti dhe shkrimtarit Ismail Kadare, në atmosferën e hapjes së panairit ishin të pranishëm edhe Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, Ambasadori i Shqipërisë, Qemal Minxhozi, Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama si dhe shumë shkrimtarë, autorë, lexues, profesorë e studentë.

Fjala plotë e kryeministrit Kurti:

I nderuari dhe i dashuri Ismail Kadare, për mendimin tim shkrimtari më i madh i gjallë sot në botë,
E nderuara znj. Elena Kadare,
I nderuari Kryetar i Kuvendit Konjufca,
Ministër i Kulturës, Çeku
Kryetar i Prishtinës, Rama
Ambasador i Shqipërisë, Minxhozi,
Zonja dhe zotërinj,
Të dashur shkrimtarë, autorë, lexues, profesorë e studentë,
Motra dhe vëllezër,
Të nderuar të pranishëm,

Sot me rastin e hapjes së Panairit të librit, kam kënaqësi të madhe që të përshëndes lexuesit, botuesit, autorët, përkthyesit dhe punonjësit e shtypshkronjave. Bashkërisht bëni të mundur një nga përvojat më të hershme dhe më të bukura të njeriut, marrëdhënien me librin.

Çdo njeri që shëtit mes librave në panair, ashtu si në mes të rafteve të bibliotekës, e ka mundësinë ta përfytyrojë aty për aty punën afatgjate të njerëzimit në krijimtari, dijen poliedrike të shoqërisë për masat e vërteta të historisë.

Panairi është si një festival i librit. Lexuesi mund të vijë edhe për çdo ditë, madje mund të vijë jo vetëm si lexues, por edhe si shkrues e si bibliofil, sepse libri ka edhe bukurinë e vet si punim artizanal.

Panairin unë vetë e ndiej si një qytezë, por edhe si një shoqëri të hapur, si një mendje të hapur.

Dëshiroj thellësisht që panairi të ketë ndikim mendor e shpirtëror mbi të rinjtë. Dëshiroj të shoh këtu sa më shumë të rinj. Tituj ka shumë, propozime për të menduar ka për të gjithë ne. Rilindësit tanë, madje kanë edhe botime të tyre që nuk kanë qenë më parë. Mora vesh se po shfaqet edhe një libër i pabotuar më parë i Dora d’Istrias, pra mund të kemi edhe kënaqësinë të jemi të parët që lexojmë shkrime më të hershme. Një panair t’i ofron jo vetëm dijet, por edhe kënaqësitë e dijes.

Të nderuar të pranishëm,

Qeveria e jonë ka ristrukturuar tërësisht qasjen ndaj zhvillimit të librit. Kemi gjashtëfishuar buxhetin për librin, nga njëqind e gjashtëdhjetë mijë euro në një milion euro. Nga mbështetja vetëm për letërsi dhe veç për shtëpi botuese, sot mbështesim të gjitha gjinitë letrare dhe autorin e pavarur drejtpërdrejt. Po mbështesim zhvillimin e audio librave, programeve për nxitjen e lexueshmërisë, si dhe rezidencat letrare.

Ndërkohë, Biblioteka Kombëtare e Kosovës po bën transformimin digjital, duke u shndërruar në bibliotekën më të avancuar në rajon, e sistemi i rrjetit bibliotekar të Kosovës, Biblioteka Digjitale dhe Programi Kombëtar i Arsimimit Bibliotekar, janë vetëm disa nga iniciativat e Bibliotekës Kombëtare që ndërlidhen edhe me bibliotekat komunale, duke lehtësuar qasjen e lexuesit te libri.

Jemi shumë të nderuar dhe pafund të gëzuar që e kemi në mesin tonë, shkrimtarin tonë të madh Ismail Kadare dhe më duhet të them që të gjithë ne jemi rritur me të, që do të thotë se vetëdija jonë për veten si komb shqiptar është në masë të konsiderueshme e formësuar nga romanet dhe nga poezia e Ismail Kadares. Ne atij i jemi borxh sa s’thuhet.

Unë për veten time për çdo vit e lexoj “Përbindëshin”, e lexoj “Kronikë në gur”, “Aksidentin” dhe “Pallatin e ëndrrave”. I lexoj një herë në vit, në mënyrë që të mos i marr në dorë për çdo javë, sepse kemi shumë punë e obligime dhe kemi përgjegjësi ndaj qytetarëve.

Romanet e Kadaresë ta braktisin profesionin që ke, prandaj është e domosdoshme për mua ta mbaj këtë ritëm një herë në vit, jo më shpesh.

Tash pas meje do të jetë këtu edhe Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, i cili është autor i mirë, e unë mundohem që ta mbaj hapin me të duke qenë lexues i mirë.

Po më lejoni të përfundoj duke thënë që i uroj suksese edicionit të 23-të të panairit librit, e siç e thotë edhe tema e edicionit të sivjetmë, padyshim libri triumfon.

Faleminderit!

Last modified: 6 Qershor, 2023

Comments are closed.

×