Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mori pjesë në darkën e shtruar nga kryeministri i Greqisë, Mitsotakis për liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor

21 Gusht, 2023

Athinë, 21 gusht 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me ftesë të kryeministrit të Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, ishte sonte pjesë e darkës me liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor, në të cilën mori pjesë edhe Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkovic, Kryeministri i Rumanisë, Marcel Ciolacu, Kryeministri i Bullgarisë, Nikolai Denkov, dhe Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu.

Aty u diskutua rreth invazionit dhe agresionit të paprovokuar të Federatës Ruse mbi Ukrainën, me ç’rast u theksua mbështetja e palëkundur ndaj pavarësisë, sovranitet dhe integritetit territorial të Ukrainës, teksa u kërkua përgjegjësi dhe ndëshkim për krimet e kryera gjatë luftës dhe mizoritë tjera mbi civilët.

Në këtë darkë që korrespondon edhe me 20-vjetorin e Samitit të Selanikut nga ku ishte bërë e qartë perspektiva për anëtarësim të plotë të gjithë Ballkanit Perëndimor, u ritheksua mbështetja për zgjerimin dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe rruga përpara.

U diskutua edhe për çështjet rajonale. Në intervenimin e tij, Kryeministri Kurti theksoi se të gjitha shtetet që aspirojnë anëtarësim në Bashkimin Evropian duhet të i përmbahen dhe zbatojnë demokracinë, sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave të njeriut dhe fqinjësinë e mirë. E kusht për fqinjësinë e mirë është njohja reciproke, de-jure edhe de-facto. Minoritete do të ketë çdoherë, por kërkohet simetri dhe balancë në respektimin e minoriteteve bazuar në Konventën Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare, theksoi Kryeministri.

Në fund të takimit u miratua edhe një deklaratë e përbashkët e cila bënë thirrje për ri-energjizimin dhe ri-fokusimin në procesin e zgjerimit për anëtarësim në BE; mbështetje të palëkundur për pavarësinë e Ukrainës; ndëshkimin e krimeve të kryera gjatë luftës dhe thirrjen për përgjegjësi ndaj kryerësve të krimeve.

Last modified: 21 Gusht, 2023

Comments are closed.

×