Mitrovicë, 15 maj 2025
Me rastin e 15-vjetorit të themelimit të Kolegjit Publik Ndërkombëtar të Biznesit në Mitrovicë (IBCM), Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot mori pjesë në ceremoninë e organizuar për shënimin e këtij përvjetori, e cila u mbajt në hapësirat e Kampusit të IBCM në Mitrovicë.
“Sot jemi mbledhur për të shënuar 15-vjetorin e IBCM-së, një qendër universitare sui generis për shumë arsye. Vetë pozita gjeografike e kolegjit, përbërja studentore, si dhe përmbajtja e programeve akademike – jo vetëm në shqip, por edhe në anglisht – tregon se në këtë institucion të gjithë janë të mirëseardhur. Çdo studente e student që diplomon nga IBCM është i përgatitur mirë për tregun e punës dhe për jetën në përgjithësi ”, tha kryeministri Kurti në fjalën e tij të rastit.
Ai tha se gjatë gjithë mandatit, Qeveria e Republikës së Kosovës nuk e ka kursyer mbështetjen për këtë institucion të rëndësisë së veçantë. Këtë e kemi bërë me shqyrtim dhe analiza të kujdesshme, e më tej me vendimmarrje konkrete.
Me vendim të Qeverisë, që nga viti 2023, IBCM financohet krejtësisht nga Qeveria e Kosovës përmes Ministrisë së Arsimit, duke garantuar kështu vazhdimësi cilësore të zhvillimit akademik të trupës studentore.
Duke folur për përkrahjen që i është dhënë fushës së arsimit, kryeministri tha se qeveria ka dëshmuar vendosmërinë e saj për të mbështetur rritjen e cilësisë së arsimit të lartë në të gjitha modalitetet e mundshme.
“Largimi i tarifave semestrale për studentët e universiteteve publike, mbështetja me bursa brenda dhe jashtë vendit, hapja e mundësive të reja për studime dhe hulumtime shkencore, ngritja e platformave të rrjetëzimit për projekte kërkimore – janë vetëm disa nga veprimet specifike që kemi ndërmarrë gjatë kësaj qeverisjes sonë. Natyrisht, puna jonë do të vazhdojë edhe në mandatin e ardhshëm, ku mbështetja do të intensifikohet dhe rezultatet nuk do të mungojnë”, u shpreh ai.
Kryeministri Kurti e uroi stafin edhe studentët për 15-vjetorin e themelimit të këtij kolegji, teksa u zotua se Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për mbështetje të nismave kreative nga studentët dhe se është përherë në shërbim të të gjithë qytetarëve, sepse vetëm kështu avancojmë bashkë, vetëm kështu Kosova jonë përparon.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
E nderuar ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci,
I nderuari ambasador i Suedisë në Kosovë, Jonas Wasterlund,
I nderuari kryetari i Komunës së Mitrovicës së veriut, Erdet Atiq,
I nderuari kryetar i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri,
I nderuar përfaqësues i Zyrës së BE-së në Kosovë, z. Oliver Boudart,
E nderuar Rektore, Prof. Mihone Kerolli Mustafa,
Të nderuar akademikë e hulumtues, të dashur profesorë e studentë,
Zonja dhe zotërinj,
Të mësuarit është nga ato procese organike të njerëzimit i cili nuk resht asnjëherë. Ai është pjesë e pandashme e përditshmërisë sonë në familje, në shkollë dhe në shoqëri, në forma të shumta – si individualisht, ashtu edhe përmes sistemeve të qëndrueshme. Institucionet arsimore janë qendrat e dijes ku të mësuarit zhvillohet në grup, duke ushqyer kështu ndjenjën e bukur të komunitetit e bashkësisë, krahas arritjes së qëllimeve të përbashkëta. Këto janë vlera të patjetërsueshme, dhe njëherësh parime mbi të cilat kemi ndërtuar politikat tona në fushën e arsimit dhe zhvillimit të qytetarëve tanë në të gjitha sferat e jetës.
Kolegji Ndërkombëtar i Biznesit në Mitrovicë (IBCM) i mishëron më së miri këto vlera dhe parime. Që nga themelimi i tij 15 vjet më parë, e deri sot që po i dëshmojmë arritjet, të gjitha janë rezultat i bashkëpunimit tonë të pandalshëm.
Gjatë gjithë mandatit tonë, Qeveria e Republikës së Kosovës nuk e ka kursyer mbështetjen për këtë institucion të rëndësisë së veçantë. Këtë e kemi bërë me shqyrtim dhe analiza të kujdesshme, e më tej me vendimmarrje konkrete. Me vendim të Qeverisë, që nga viti 2023, IBCM financohet krejtësisht nga Qeveria e Kosovës përmes Ministrisë së Arsimit, duke garantuar kështu vazhdimësi cilësore të zhvillimit akademik të trupës studentore.
Në fakt, Qeveria jonë tashmë është dëshmuar në vendosmërinë e saj për të mbështetur rritjen e cilësisë së arsimit të lartë në të gjitha modalitetet e mundshme. Largimi i tarifave semestrale për studentët e universiteteve publike, mbështetja me bursa brenda dhe jashtë vendit, hapja e mundësive të reja për studime dhe hulumtime shkencore, ngritja e platformave të rrjetëzimit për universitete- janë vetëm disa nga veprimet specifike që kemi ndërmarrë gjatë këtij mandati qeverisës. Natyrisht, puna do të vazhdojë edhe në mandatin e ardhshëm, me mbështetje të intensifikuar dhe rezultate të dukshme.
Sot jemi mbledhur për të shënuar 15-vjetorin e IBCM-së, një qendër universitare sui generis për shumë arsye. Vetë pozita gjeografike e kolegjit, përbërja studentore, si dhe përmbajtja e programeve akademike – jo vetëm në shqip, por edhe në anglisht – tregon se në këtë institucion të gjithë janë të mirëseardhur. Çdo studente e student që diplomon nga IBCM është i përgatitur mirë për tregun e punës dhe për jetën në tërësi.
Siç vinte theksin, në fillim të shekullit të kaluar, filozofi gjerman Walter Benjamin te lidhja e fortë mes arsimit dhe transformimit shoqëror, duke shprehur vizionin e tij për të mësuarit jo si ‘përçim i dijes’ por si bashkëbisedim ku profesori dhe studenti ‘mendojnë bashkë’. Një koncept të tillë e shoh bukur të ngërthyer në filozofinë e Kolegjit tuaj, dhe kjo është e admirueshme.
Të dashura studente e të dashur studentë,
Sot horizontet po zgjerohen dita-ditës për të gjithë ju. Ndaj ju inkurajoj t’i shfrytëzoni mirë këto mundësi çdo ditë, çdo vit. Të mos harrojmë që vetë pozita zhvillimore, akademike, dhe gjeografike e këtij kolegji është vlerë e shtuar, duke qenë se Kosova gjithnjë synon krijimin e kushteve të njëjta për secilin qytetar. Ndërkaq, si kolegji i parë publik në Kosovë, IBCM është shembull i shkëlqyer i gjurmimit të shtigjeve të reja akademike dhe shembull i transformimit nga ideja në realitet të një projekti me rëndësi shtetërore.
Përgjatë rrugëtimit tuaj, ju siguroj se Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për mbështetje të nismave kreative nga ana juaj. Jemi përherë në shërbim të të gjithë qytetarëve, sepse vetëm kështu avancojmë bashkë, vetëm kështu përparon Kosova jonë.
Urime 15-vjetori i IBCM-së, dhe ju faleminderit!
Last modified: 16 Maj, 2025