Podujevë, 1 dhjetor 2023
Në kuadër të aktiviteteve të zhvilluara gjatë ditës së sotme, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ndalesën e radhës e pati në qytetin e Podujevës, përkatësisht në fshatin Shamalluk, me rastin e ceremonisë së hapjes së resortit turistik ‘’Iliria Hill’’.
Teksa u shpreh i lumtur dhe falënderues që ishte i pranishëm në ceremoninë e hapjes së këtij resorti, kryeministri veçoi se ky është një investim i madh për zhvillimin e turizmit në komunën e Podujevës.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Kurti, foli dhe mbi të arriturat dhe investimet në sfera të ndryshme, duke filluar me infrastrukturën rrugore, rregullimin e ndriçimit publik, shtrirjen e rrjetit të kanalizimit, e për të vazhduar tutje në fushën e shëndetësisë në kuadër të së cilës janë digjitalizuar shumë shërbime e janë ndërtuar dy ambulanta të reja, në Lluzhan dhe Gllamnik. Gjithashtu, ai përmendi dhe ndërtimin e Urgjencës së Qytetit, një prej objekteve më moderne në vend. Përveç këtyre, kryeministri theksoi se është zgjidhur edhe çështja e banimit për mbi 50 familje me kushte të rënda ekonomike.
Më pas ai foli edhe për investimet kapitale në fushën e arsimit, ku për 3 vite janë 15 fishuar investimet kapitale, nga 114 mijë euro sa ishin, tani janë mbi 1.6 milionë euro, ku përgjatë këtyre dy viteve të qeverisjes janë duke u ndërtuar tre shkolla të reja, në Obrançë, Llugë dhe Dumosh.
“Shumicën e shkollave i kemi furnizuar me tabela digjitale, llaptopë, e gjithashtu kemi themeluar qendrën për zhvillim të aftësive në TIK”, nënvizoi Kurti.
Duke theksuar se është i lumtur që këtë projekt e ka vizituar që nga koha e planifikimit e të përgatitjeve për ndërtim para 3 viteve, ai veçoi se tashmë ky resort ka marrë formë të mrekullueshme pas përfundimit dhe finalizimit të plotë të punimeve.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Për dallim prej dy parafolësve, unë fatkeqësisht nuk jam nga Llapi, mirëpo nëse mund të bëj diçka për ta korrigjuar këtë fakt mbase edhe mund të angazhohem. Për shembull duke ardhur këtu, sa më shpesh, e kurdo që mundem.
Faleminderit shumë për këtë ftesë, dhe për këtë organizim, për këtë biznes e ndërtesë që është edhe ngjarje, jo vetëm për tregun e Llapit, dhe më lejoni të falënderoj pronarin e Resortit “Iliria Hill”, Faton Maqani, e ta përshëndes edhe kryetarin e Komunës së Podujevës, profesor Shpejtim Bulliqin për këtë mikpritje kaq të përzemërt.
Të nderuara zonja dhe zotërinj,
Motra dhe vëllezër,
Të nderuar të pranishëm,
Po më kujtohet, kur para tre viteve, saktësisht me 21 nëntor të vitit 2020, pra para 3 viteve e dhjetë ditëve, ishim bashkë me kryetarin Bulliqi në vizitë gjatë fillimit të punimeve të këtij investimi për çfarë jemi mbledhur sot këtu.
Asokohe nuk ishin as themelet, e tash e kemi më shumë se kulmin.
Jam i lumtur dhe ju falënderoj nga zemra që më keni ftuar të jem pjesë e këtij përgëzimi të përbashkët. Ky resort është një investim i madh për zhvillimin e turizmit në komunën e Podujevës. Një hap i mirë drejt rritjes së atraktivitetit të zonës së fshatit të bukur të Shamallukut dhe të tërheqjes të sa më shumë vizitorëve këtej. Ky resort ka punësuar mbi 50 persona, ka një sipërfaqe prej 3000 metra katror, dhe vlera e investimit të familjes Maqani është rreth 2 milionë euro.
Si institucione, bashkë, komunë e Qeveri pra, përmes Ministrisë së Infrastrukturës kemi ndërtuar infrastrukturën rrugore, dhe kemi rregulluar ndriçimin publik. Nga qeverisja lokale për vitin 2022 dhe 2023 i kemi mbi 75 kilometra rrugë të asfaltuara, rreth 100 kilometra ndriçim publik dhe rreth 50 kilometra shtrirje të rrjetit të kanalizimit.
Në sferën e shëndetësisë janë digjitalizuar shumë shërbime, janë ndërtuar dy ambulanta të reja, njëra në Lluzhan e tjetra në Gllamnik. Po ndërtohet Urgjenca e Qytetit, një prej objekteve më moderne në vend me të gjitha pajisjet e nevojshme mjekësore.
Është zgjidhur çështja e banimit për mbi 50 familje me kushte të rënda ekonomike.
Gjatë këtyre dy viteve janë duke u ndërtuar tri shkolla të reja, në Obrançë, Llugë dhe Dumosh. E po ashtu edhe me çerdhe të reja jemi mirë, e kemi gjetur një çerdhe publike, i kemi bërë tri çerdhe të reja, plus dy janë duke u ndërtuar. Investimet kapitale në fushën e arsimit i kemi 15 fishuar për 3 vite, kanë qenë 114 mijë euro për një vit, tash janë mbi 1.6 milionë euro. Shumicën e shkollave i kemi furnizuar me tabela digjitale, llaptopë, e gjithashtu kemi themeluar qendrën për zhvillim të aftësive në TIK. Kemi nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me biznese lokale për t’iu ofruar punë nxënësve që lidhen me fushën e studimeve të tyre.
Shansin për ndryshim në Llap, Podujeva ia kishte qëlluar drejtë atëherë kur e pat zgjedhur Lëvizjen VETËVENDOSJE! me profesor Shpejtim Bulliqin, për kryetar. Saktësisht pardje janë bërë tre vjet prej kur kryetari Bulliqi, e pati fituar komunën në mandatin e parë. Në entuziazmin e asaj fushate të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, kemi qenë bashkë në pikënisje, e po vazhdojmë bashkë edhe në përurime e në investime.
Jam shumë i lumtur që këtë projekt e kam vizituar edhe në fillet e tij, e në kohën madje të planifikimit e të përgatitjeve para tre viteve, ndërsa tash ka marrë formë të mrekullueshme pas përmbylljes së punimeve.
Punët janë të shumta e qëllimi ynë është i përbashkët. Llapit i duhet zhvillimi ekonomik e prosperiteti për secilin qytetar. Uroj suksese për “Iliria Hill Resort”, dhe shpresoj që ky vend të jetë një destinacion i pëlqyer për qytetarët e Republikës tonë mbarë, për shqiptarët ngado që janë, e që duhet të vijnë dhe për turistët e huaj njëkohësisht.
Ju faleminderit, dhe e gëzofshit edhe pronari, edhe punëtorët, edhe vizitorët.
Last modified: 1 Dhjetor, 2023