Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mori pjesë në ceremoninë e 24-vjetorit të Themelimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës si dhe diplomimit të gjeneratës së 43-të të zyrtarëve korrektues

24 Nëntor, 2023

Prishtinë, 24 nëntor 2023

‘’ Shënimi i përvjetorëve të institucioneve ka rëndësinë e veçantë, kur progresi i tyre është evident, kur efikasiteti i shërbimeve është drejt lartësisë së dëshirueshme, kur ne mburremi me këto suksese, dhe inkurajohemi për më shumë punë në të ardhmen që na pret’’ u shpreh kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në ceremoninë e 24-vjetorit të Themelimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës si dhe diplomimit të gjeneratës së 43-të të zyrtarëve korrektues.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti tha se Shërbimi Korrektues është institucion i cili duhet të garantojë sigurinë e secilit të dënuar, dhe mundësinë e korrektimit të individëve të cilët në të kaluarën kanë bërë veprime të gabuara apo të tilla të cilat sanksionohen me ligjet e Republikës së Kosovës.

Në këtë ceremoni, para shumë të pranishmëve, kryeministri shtoi se në qeverisjen tonë, kemi miratuar Reformën Ligjore në Shërbimin Korrektues të Kosovës, e cila avancon shërbimet ndaj të burgosurve dhe të drejtat e tyre. Po ashtu kemi shtuar kapacitetet dhe mundësitë për ngritje profesionale përmes trajnimeve adekuate për personelin.

Teksa foli edhe për Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, ai tha se është paraparë reforma lidhur me trajtimin e personave të privuar nga liria, të drejtat dhe beneficionet që do t’iu takojnë, sikurse ditët e pushimit jashtë Institucionit Korrektues (14 ditë brenda vitit), kalimin e kohës në hapësira të veçanta për të gjithë të dënuarit, lirimin e parakohshëm në 3, 6, apo 9 muaj, varësisht nga vlerësimi dhe përmbushja e kritereve që arrin i dënuari.

Ndërkaq, përmes Ligjit për Shërbimin Korrektues të Kosovës, kryeministri theksoi se është rregulluar statusi, parimet, përgjegjësitë, menaxhimi dhe organizimi i përgjithshëm i Shërbimit Korrektues, kushtet e veçanta apo shtesë për rekrutim, e shumë çka tjetër. Po ashtu, me këtë ligj është paraparë themelimi i disa njësive të reja të nevojshme për veprimtarinë e ShKK-së. Përgjatë dy viteve të fundit, me përkrahjen e ambasadës amerikane, janë trajnuar dhe certifikuar 104 zyrtarë në fusha të ndryshme dhe po ashtu me qëllim të ngritjes së kuotës gjinore në radhët e stafit korrektues, sot me sukses po certifikon edhe 45 zyrtare korrektuese gra, si gjeneratë e 43 e ShKK-së.

70 kandidatë për zyrtarë korrektues janë në proces të rekrutimit të cilët do të ndjekin trajnimet për avancim dhe zhvillim në fusha profesionale. Në proces është edhe themelimi i Institucionit për Trajnimin edhe Trajtimin e Personave me Nevoja të Veçanta.

Synimi ynë, tha më tej kryeministri, është që të gjithë të burgosurit, të gjithë ata që vuajnë dënimin, një ditë kur ta kenë përfunduar atë të integrohen në shoqëri më të mirë, më të drejtë, më të aftë se sa që ishin më herët.

Në përmbyllje të fjalës së tij, kryeministri veçoi se përgatitjet nuk do të mungojnë, profesionalizimi vetëm sa do të shtohet, kujdesi dhe siguria do të jenë prioritet, dhe trajtimi dinjitoz i të gjithëve pa dallim do të jetë i përhershëm.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuara znj. Albulena Haxhiu, Ministre e Drejtësisë,

I nderuari z. Blerim Sallahu, zv/ministër në Ministrinë e Drejtësisë,

I nderuar Giovanni Pietro Brabano, shef i misionit të EULEX-it,

E nderuara znj. Kimberly Riffe, përfaqësuesja e ambasadës së SHBA-së,

I nderuari z. Edward Anderson, Drejtor i Departamentit për vendin dhe sigurinë publike të misionit të OSBE-së në Kosovë

I nderuar z. Ismail Dibrani, Drejtor i përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës

Të nderuar përfaqësues të kabinetit qeveritar dhe drejtues të njësive të ndryshme shtetërore,

Të nderuar eprorë dhe zyrtarë të SHKK- së Kosovës,

Të nderuar kadetë dhe familjarë

Të nderuar të pranishëm,

Zonja dhe zotërinj

Shënimi i përvjetorëve të institucioneve ka rëndësinë e veçantë, kur progresi i tyre është evident, kur efikasiteti i shërbimeve është drejt lartësisë së dëshirueshme, kur ne mburremi me këto suksese, dhe inkurajohemi për më shumë punë në të ardhmen që na pret.

Shërbimi Korrektues është institucion i cili duhet të garantojë sigurinë e secilit të dënuar, dhe mundësinë e korrektimit të individëve të cilët në të kaluarën kanë bërë veprime të gabuara apo të tilla të cilat sanksionohen me ligjet e Republikës së Kosovës. Drejtësia ende nuk kryen mjaftueshëm punën e vet kur individit i shqiptohet masa e duhur për vuajtjen e dënimit. Menjëherë pas atij vendimi, të dënuarit kanë po ashtu të drejtat e tyre të cilat duhet të respektohen, si dhe personeli ka përgjegjësitë e veta për mënyrën se si të burgosurit trajtohen. Të burgosurit janë njerëz që nuk janë të lirë por që kanë të drejta. Janë qytetarë të Republikës të cilëve ne gjithashtu ju shërbejmë teksa ata ……

Në qeverisjen tonë, kemi miratuar Reformën Ligjore në Shërbimin Korrektues të Kosovës, e cila avancon shërbimet ndaj të burgosurve dhe të drejtat e tyre. Po ashtu kemi shtuar kapacitetet dhe mundësitë për ngritje profesionale përmes trajnimeve adekuate për personelin.

Nëpërmjet Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, kemi paraparë reforma lidhur me trajtimin e personave të privuar nga liria, të drejtat dhe beneficionet që do t’iu takojnë, sikurse ditët e pushimit jashtë Institucionit Korrektues (14 ditë brenda vitit), kalimin e kohës në hapësira të veçanta për të gjithë të dënuarit, lirimin e parakohshëm në 3, 6, apo 9 muaj, varësisht nga vlerësimi dhe përmbushja e kritereve që arrin i dënuari.

Përmes Ligjit për Shërbimin Korrektues të Kosovës, është rregulluar statusi, parimet, përgjegjësitë, menaxhimi dhe organizimi i përgjithshëm i Shërbimit Korrektues, kushtet e veçanta apo shtesë për rekrutim, e shumë çka tjetër. Po ashtu, me këtë ligj është paraparë themelimi i disa njësive të reja të nevojshme për veprimtarinë e ShKK-së:

· Njësia ekonomike përmes së cilës zhvillohen aktivitete ekonomike, prodhuese, ofrohen shërbime, punësohen të burgosurit dhe krijohen të hyra për nevojat e ShKK-së me qëllim të risocializimit të burgosurve dhe uljes së kostos buxhetore.

· Tjetra është – Njësia për vlerësimin dhe klasifikimin e të burgosurve përmes së cilës bëhet vlerësimi individual i rrezikut dhe nevojave për të gjithë të burgosurit të pranuar nga institucionet korrektuese, dhe;

· Njësia për inteligjencë përmes së cilës bëhet planifikimi, mbledhja, sistemimi, analizimi, shpërndarja dhe mbrojtja e informacionit në inteligjencën specifike, që paraqesin kërcënim me rrezik për rendin dhe sigurinë në institucionet korrektuese.

Pra, Shërbimi Korrektues i Kosovës teksa kujdeset dhe kontribuon edhe për sigurinë e gjithmbarshme në shtetin e shoqërinë tonë, njëkohësisht i përket Qeverisë, shtetit dhe shoqërisë, që të kujdeset edhe për sigurinë përbrenda institucioneve korrektuese.

Me këtë rast, dua të përshëndes edhe vigjilencën e shkëlqyer nga stafi, në parandalim të kontrabandimit të gjësendeve të ndryshme të cilat është tentuar disa herë të hyjnë brenda burgjeve.

Përgjatë dy viteve të fundit, Shërbimi Korrektues i Kosovës me qëllim të zhvillimit profesional të personelit dhe me përkrahjen e ambasadës amerikane, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë trajnuar dhe certifikuar 104 zyrtarë në fusha të ndryshme e të cilat trajnime janë duke vazhduar për çka u jemi shumë mirënjohës Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës.

Shërbimi Korrektues i Kosovës me qëllim të ngritjes së kuotës gjinore në radhët e stafit korrektues, sot me sukses po certifikon edhe 45 zyrtare korrektuese gra, si gjeneratë e 43 e ShKK-së. Rreth dy vite më parë, 46 kadetë të tjerë, burra e gra me sukses patën mbaruar trajnimet e tyre.

70 kandidatë për zyrtarë korrektues janë në proces të rekrutimit të cilët do të ndjekin trajnimet për avancim dhe zhvillim në fusha profesionale. Rritja e kapaciteteve po reflekton paralelisht me rritjen e cilësisë së shërbimeve, sepse kjo është mënyra, sepse ky është qëllimi ynë i përbashkët.

Në proces është edhe themelimi i Institucionit për Trajnimin edhe Trajtimin e Personave me Nevoja të Veçanta. Ky institucion do të arrijë standardet e rregullave evropiane të burgjeve për trajtimin e personave me nevoja të veçanta, personave të moshuar që kanë nevojë për mbështetje dhe kujdes të vazhdueshëm, personave me sëmundje kronike, personave me varësi nga substanca të ndryshme, pra për të gjithë ata që konsiderohet se nevojitet kujdes permanent shëndetësor, shërbimi adekuat do t’iu ofrohet në mënyrë tërësisht profesionale.

Ashtu sikurse qytetarët e Republikës që i kanë aftësitë dhe nevojat e ndryshme, edhe për ata qytetarë të Republikës një ditë për shkak se bien ndesh me ligjin e humbin lirinë e tyre, vazhdojnë t’i kenë aftësitë dhe nevojat e ndryshme, dhe sistemi ynë korrektues duhet që të ketë ndjeshmëri ndaj situatave të atilla.

Shërbimi Korrektues i Kosovës është në rrugë të mbarë të garantimit të një mjedisi të sigurt për të gjithë, me ambiente rehabilituese, e risocializuese.

Synimi ynë është që të gjithë të burgosurit, të gjithë ata që vuajnë dënimin, një ditë kur ta kenë përfunduar atë të integrohen në shoqëri më të mirë, më të drejtë, më të aftë se sa që ishin më herët.

Përgatitjet nuk do të mungojnë, profesionalizimi vetëm sa do të shtohet, kujdesi dhe siguria do të jenë prioritet, dhe trajtimi dinjitoz i të gjithëve pa dallim do të jetë i përhershëm.

Urime 24- vjetorin e Shërbimit Korrektues të Kosovës, dhe suksese të mëtutjeshme!

Ju faleminderit.

Last modified: 24 Nëntor, 2023

Comments are closed.

×