Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mori pjesë në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, me rastin e Ditës së Informimit të Komuniteteve

15 Nëntor, 2023

Vushtrri, 15 nëntor 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Komunën e Vushtrrisë, me rastin e Ditës së Informimit të Komuniteteve.

‘’Profesionalizimi i kësaj Akademie dhe stafit të përkushtuar është i rëndësishëm, për mbrojtjen e kufijve tanë, që mallrat që kalojnë atje të jenë të kontrolluara; që kriminelët të identifikohen, të ndëshkohen e rehabilitohen, që të mbrohet jeta dhe prona e qytetarëve tanë, si dhe të menaxhohen rastet emergjente.’’, u shpreh kryeministri Kurti në fjalën e tij.

Ai shtoi se nga fillimi i mandatit qeverisës, janë zhvilluar mbi 1000 operacione policore, kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës, janë shkatërruar 100 grupe kriminale, 16 laboratorë të drogës dhe janë arrestuar mbi 3800 persona. Duke qenë partner serioz dhe të besueshëm për aleatët tanë, kryeministri theksoi se po i kontribuojmë paqes së qëndrueshme dhe stabilitetit afatgjatë në rajonin tonë.

“Uroj që ta shfrytëzoni këtë rast të shkëlqyer për të mësuar rreth mundësive të ofruara dhe për procesin e aplikimit, që ta bëni Akademinë e Sigurisë Publike të Kosovës pjesë të planeve dhe të ëndrrave tuaja për të ardhmen. Besoj që në këtë mënyrë ju mund të përfitoni shumë, por e di që edhe Kosova do të përfitojë shumë nga shërbimi juaj. Akademia e Sigurisë Publike sjell dije në punën e secilit, për siguri të  gjithë qytetarëve.” përmbylli kryeministri Kurti.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, theksoi se “Në historinë e themelimit të institucioneve tona, në ngritjen dhe forcimin e përditshëm të tyre, pjesë e pandashme është kontributi i zyrtarëve tanë nga të gjitha komunitetet, të cilët në çdo ditë të punës së tyre janë në shërbim të qytetarëve tanë pa dallim”.

Në anën tjetër ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq theksoi se kjo akademi, është përkushtim, besueshmëri, zgjedhje dhe ardhmëri.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

I nderuari Ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla,

I nderuari Ministri për Komunitete dhe Kthim, z. Nenad Rashiq,

I nderuari z. Kastriot Jashari, zëvendësues i Drejtorit të Përgjithshëm të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike,

I nderuari z. Kushtrim Hodaj, kryetar i bordit të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike,

E nderuara znjKimberly Riffe, këshilltare e Programit të ICITAP-it,

I nderuari z. Habit Hajredini, kryesues i ekipit ndërinstitucional për promovimin e punësimit të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian,

Të nderuar përfaqësues të agjencive të sigurimeve publike, student të shkollave të mesme e universiteteve,

Të nderuar pjesëmarrës,

Zonja dhe zotërinj,

Më vjen mirë që jam sot këtu në Vushtrri, e cila luan rol të rëndësishëm që qytetarët e Kosovës të ndihen të sigurt kudo që gjenden, nga Gjakova në Kamenicë, e prej Leposaviqit në Dragash, pra që të kemi siguri anembanë territorit të shtetit tonë. Profesionalizimi i kësaj Akademie dhe i stafit të përkushtuar është i rëndësishëm, për mbrojtjen e kufijve tanë, që mallrat që kalojnë atje të jenë të kontrolluara; që kriminelët të identifikohen, të ndëshkohen e rehabilitohen, që të mbrohet jeta dhe prona e qytetarëve tanë, si dhe të menaxhohen rastet emergjente.

Bashkë po angazhohemi që të ndërtojmë një shoqëri e shtet të sigurt, të ngrisim e të forcojmë kapacitetet tona për të mbrojtur vendin dhe popullin tonë. Nga fillimi i mandatit tonë qeverisës janë zhvilluar mbi 1000 operacione policore, kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës, janë shkatërruar 100 grupe kriminale, 16 laboratore të drogës dhe janë arrestuar mbi 3800 persona. Duke qenë partner serioz dhe të besueshëm për aleatët tanë, po i kontribuojmë paqes së qëndrueshme dhe stabilitetit afatgjatë në rajonin tonë.

Në sallë të kësaj Akademie ju e keni sloganin “The police are the people and the people are the police”, “Policia janë populli dhe populli është policia”. Kjo vlen jo vetëm për policinë, por edhe për doganat, shërbimin korrektues, shërbimin sprovues, inspektoratin, si dhe për ata që menaxhojnë rastet emergjente. Andaj është e domosdoshme, që të gjitha komunitetet të cilët janë në Kosovë të jenë të përfaqësuara e të kontribuojnë në institucionet tona.

E di që kemi parë progres në këtë aspekt, në raundin e fundit të rekrutimit në polici, kemi mbi 20% të kadetëve nga të gjitha komunitetet. E di që në Dogana 15% e stafit janë nga komunitetet, si qeveri, vitin e kaluar kemi krijuar Ekipin Ndërinstitucional për Promovimin e Punësimit të Komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian, si dhe e kemi parë ndikimin pozitiv të këtij bashkëpunimi. Duke i vënë në funksion talentet, shkathtësinë dhe profesionalizmin, nga të gjithë qytetarët pa dallim, për institucionet tona të sigurisë, do të arrijmë më të mirën në shërbim të mbrojtjes së sigurisë dhe paqes.

Për këtë arsye, jam i lumtur që jam këtu me të rinjtë e komuniteteve të cilët kanë shprehur interesim për mundësitë që i ofron Akademia e Sigurisë Publike. Nga Ferizaj, Fushë Kosova, Graçanica, Gjakova, Lipjani, Mitrovica, Obiliqi, Shtimja, e Prishtina, ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj sot.

Uroj që ta shfrytëzoni këtë rast të shkëlqyer për të mësuar rreth mundësive të ofruara dhe për procesin e aplikimit, që ta bëni Akademinë e Sigurisë Publike të Kosovës pjesë të planeve dhe të ëndrrave tuaja për të ardhmen. Besoj që në këtë mënyrë ju mund të përfitoni shumë, por e di që edhe Kosova do të përfitojë shumë nga shërbimi juaj. Akademia e Sigurisë Publike sjell dije në punën e secilit, për siguri të  gjithë qytetarëve.

Ju falemnderit.

Last modified: 15 Nëntor, 2023

Comments are closed.

×