Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mirëpriti deputetin e Parlamentit të Suedisë, Adnan Dibranin

8 Prill, 2024

 

Prishtinë, 8 prill 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendësministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, mirëpriti sot deputetin shqiptar të parlamentit suedez, Adnan Dibranin dhe Arbër Gashin, aktualisht i përfshirë në qeverisje lokale në Suedi dhe i cili është në pritje të bëhet deputet në parlamentin suedez në rast të zgjedhjes së Adnan Dibranit në Parlamentin Evropian. Ata po shoqëroheshin nga Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund.

Bashkëpunimi me diasporën, roli i tyre dhe ndërlidhja me vendin, si edhe anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, ishin temat qendrore të takimit. Pas suksesit në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci, me 16 prill, aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do t’i nënshtrohet votës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Kryeministri Kurti falënderoi Suedinë për mbështetjen e vazhdueshme dhe deputetët suedezë për angazhimin e tyre në kandidaturën e Kosovës në këtë organizatë të rëndësishme. Adnan Dibrani është njëri nga deputetët, që përfaqëson Suedinë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës po vazhdon me angazhimin intensiv në sigurimin e mbështetjes për votim të suksesshëm në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe për përfshirje në agjendë dhe votim të suksesshëm në Ministerialin e Këshillit të Evropës në muajin maj. Gjatë takimit u diskutua edhe për zgjedhjet evropiane, që do të mbahen në qershor të këtij viti dhe për rëndësinë e pjesëmarrjes sa më të madhe të diasporës shqiptare në këto të zgjedhje.

Deputeti Dibrani dhe z.Gashi u shprehën mirënjohës për mikpritjen dhe takimin dhe shprehën gatishmërinë e tyre për bashkëpunim edhe më të ngushtë përgjatë procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, por jo vetëm.

Last modified: 8 Prill, 2024

Comments are closed.

×