Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti mirëpritet në takim nga Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi

26 Janar, 2024

 

Podujevë, 26 janar 2024

Gjatë vizitës që po i bën sot Komunës së Podujevës, ku edhe u lansua programi shtetëror “Sport në Shkolla” në Shkollën “Xheladin Rekaliu”, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është pritur nga Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, në ndërtesën e Komunës.

Në këtë takim u diskutua për projektet infrastrukturore në Komunë, si ai i Zonës Industriale, magjistralen Prishtinë-Podujevë, impiantin e ujërave të zeza e liqenin e Pollatës.

Me këtë rast, kryeministri u njoftua nga kryetari Bulliqi për punën dhe rezultatet e qeverisjes, me theks te disa nga projektet që po realizohen dhe disa që janë përfunduar sikurse Urgjenca e Qytetit, stacioni i autobusëve, rikonstruktimi i disa rrugëve brenda qytetit, ndër to rruga “Skenderbeu” dhe “Hakif Zejnullahu”, dhe ndërtimi i çerdheve të reja. Aty u veçua fakti se në komunë më herët ka ekzistuar vetëm një çerdhe, ndërkaq gjatë qeverisjes së kryetarit Bulliqi deri më tani janë shtuar edhe tre çerdhe më shumë që tashmë janë funksionale, dy janë në ndërtim e sipër dhe pritet të përfundojnë këtë vit, dhe tri tjera pritet të fillojnë të ndërtohen këtë vit.

Kryeministri Kurti ka ofruar mbështetjen e tij dhe të qeverisë në realizimin e projekteve infrastrukturore, projekte këto që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve të kësaj komune.

Nga aty, kryeministri Kurti së bashku me kryetarin Bulliqi vijuan agjendën e ditës për në ceremoninë e vënies së gurthemelit për projektin e Qendrës Rezidenciale për të moshuar në Komunën e Podujevës.

 

Last modified: 26 Janar, 2024

Comments are closed.

×