Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti: Kolonja, vend i jashtëzakonshëm për kulturën dhe historinë shqiptare

6 Tetor, 2022

Prishtinë, 6 tetor 2022

Jemi mbledhur këtu përplot mall por edhe krenari, me rastin e darkës së shtruar nga kryebashkiaku Isai, i një vendi të jashtëzakonshëm për kulturën dhe historinë shqiptare, siç është Kolonja, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në fjalën e tij në darkën e organizuar nën kujdesin e kryetarit të Bashkisë së Ersekës, Erion Isai.
Padyshim që Kolonja ka numrin më të madh të intelektualëve të Rilindjes Kombëtare Shqiptare edhe për kokë banori, por edhe për kilometër katror, theksoi Kryeministri.
Por, historia dhe kultura shqiptare nuk e ka vetëm Rilindjen të mbipërfaqësuar në Kolonjë, por njëkohësisht edhe antikitetin, andaj ne teksa mblidhemi këtu dhe ngremë dolli për Kolonjën, njëkohësisht edhe kujtojmë se rilindasit tanë janë ata të cilët e rikthyen lashtësinë e popullit tonë dhe gjithashtu treguan se sa e rëndësishme për traditën është autoktonësia, shtoi ai.

Kryeministri theksoi se Kolonja është thesar i kulturës e i historisë sonë, me zemër mikpritëse.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

I nderuari kryetar i Bashkisë së Kolonjës, z.Erion Isai,
I nderuari ambasador i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, z.Qemal Minxhozi,
Të nderuar ministra të Qeverisë e deputet të Kuvendit,
Të nderuar kryetarë të partive politike në Kosovë, të PDK-së, z.Memli Krasniqi, të AAK-së, z.Ramush Haradinaj, nënkryetar i LDK-së, z.Lutfi Haziri,
Të nderuar shkëlqesi ambasadorë të akredituar në Republikën e Kosovës,
Zonja dhe zotërinj,
Motra dhe vëllezër,
I nderuari President z.Fatmir Sejdiu,
Miq e dashamirë të vlerave e të traditës shqiptare,

Jemi mbledhur këtu përplot mall por edhe krenari, me rastin e darkës së shtruar nga kryebashkiaku Isai, i një vendi të jashtëzakonshëm për kulturën dhe historinë shqiptare, siç është Kolonja.

Padyshim që Kolonja ka numrin më të madh të intelektualëve të Rilindjes Kombëtare Shqiptare edhe për kokë banori, por edhe për kilometër katror.
Këtu prapa meje ndodhet thënia e Fan Nolit, por përveç Fan Nolit, e Faik Konicës, e Jani Vretos, e Petro Nini Luarasit, e Papa Kristo Negovanit, që u përmenden, më lejoni të përmend njëkohësisht edhe Themistokli Gërmenjin, Gani Butkën, Sali Butkën Kapedanin, pastaj Spiro Ballkamenin, Jorgo Ballkamenin, Shahin Kolonjën, Zallo Prodanin, Zylyftar Bej Podën, e madje edhe rilindaset tona Parashqevi e Sevasti Qiriazi, janë poashtu me origjinë nga Kolonja.

Por, historia dhe kultura shqiptare nuk e ka vetëm Rilindjen të mbipërfaqësuar në Kolonjë, por njëkohësisht edhe antikitetin, andaj ne teksa mblidhemi këtu dhe ngremë dolli për Kolonjën, njëkohësisht edhe kujtojmë se rilindasit tanë janë ata të cilët e rikthyen lashtësinë e popullit tonë dhe gjithashtu treguan se sa e rëndësishme për traditën është autoktonësia.

Por, kolonjarët janë të famshëm edhe në muzikë, përveçse në histori. Janë të famshëm edhe me kulturën që na e kanë sjellur, e këtu padyshim që Kolonja është Kolonja e sazeve popullore, e që dallohet për virtuozitetin e interpretimin e këngëve, padyshim më e njohura ajo me emrin “As e vogël, e as e madhe”.
E Kolonja edhe si thesar i kulturës e i historisë sonë, por edhe me zemrën e saj të mikpritjes është tamam ashtu, as e vogël as e madhe, sepse është tejet e madhe.
Faleminderit shumë kryetarit Isai, afarist Buxhovi dhe të gjithë ju të pranishëm që e madhështuat këtë mbrëmje të mrekullueshme.

Last modified: 7 Tetor, 2022

Comments are closed.

×