Prishtinë, 15 nëntor 2021
“Vizita e sotme e rikonfirmon afërsinë dhe marrëdhëniet tradicionalisht të mira ndërmjet dy popujve dhe republikave tona”, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti, në konferencën për shtyp, pas takimit me Kryeministrin e Republikës së Kroacisë, z.Andrej Plenkoviq.
Duke përmendur synimet e Qeverisë për ekonomi të qëndrueshme, Kryeministri Kurti theksoi mundësitë e potencialin që kanë dy qeveritë për bashkëpunim bilateral.
“Në frontin ekonomik, jemi të bindur se mund të punojmë së bashku, për të zbuluar fusha të bashkëpunimit, si forumet e biznesit, pastaj për shkëmbime përvojash në fushën e mbrojtjes së konsumatorit, antidumping dhe instrumenteve të tjera të tregut”, tha ai.
Kryeministri vlerësoi mbështetjen të cilën e merr Kosova nga Kroacia, sa i përket anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare të mbrojtjes, si dhe në edukimin dhe trajnimin e forcave tona dhe stërvitjet e përbashkëta në terren.
Ai ritheksoi synimin e Kosovës për t’iu bashkuar NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Po ashtu, shprehu mbështetjen për bashkëpunim dhe integrim rajonal.
“Ne e mirëpresim Tregun e Përbashkët Rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit dhe me pjesëmarrjen e Bashkimit Evropian dhe kemi propozuar që të përmirësojmë atë, duke futur mekanizma të rinj të pavarur, si Autoriteti Mbikëqyrës dhe një Gjykatë, me një marrëveshje të re tregtare, që e kemi quajtur SEFTA, pra një lloj avancimi i CEFTA-s, gjithnjë përbrenda Procesit të Berlinit dhe gjithnjë drejt Bashkimit Evropian,” tha kryeministri Kurti.
Ai shprehu edhe një herë falënderimin e sinqertë për donacionet e vaksinave nga Republika e Kroacisë, si dhe ndihmën e përkujdesjen mjekësore, që iu ofrua bashkatdhetarëve tanë, pas aksidentit tragjik, në afërsi të qytetit Slavonski Brod.
Fjala e Kryeministrit të Republikës së Kosovës Kurti në konferencë:
Të nderuar gazetarë, zonja dhe zotërinj,
Unë sot jam shumë i nderuar dhe i gëzuar, me vizitën e Kryeministrit të Republikës së Kroacisë, zotëri Andrej Plenkoviq dhe anëtarëve të kabinetit të tij e përfaqësuesve institucionalë.
Vizita e sotme e rikonfirmon afërsinë dhe marrëdhëniet tradicionalisht të mira ndërmjet dy popujve dhe republikave tona.
Dy shtetet tona, jo vetëm që janë afër gjeografikisht, por e kuptojnë njëra-tjetrën dhe rajonin më mirë se kushdo tjetër, pasi edhe kemi të kaluar të përbashkët.
I jemi thellësisht mirënjohës Republikës së Kroacisë për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj Republikës së Kosovës në të gjitha fazat e shtetndërtimit.
Në takimin e sotëm ndërmjet dy delegacioneve tona, biseduam për raportet miqësore dhe mënyrat sesi mund t’i intensifikojmë dhe forcojmë edhe më shumë ato. Folëm për zbatimin e 12 marrëveshjeve dypalëshe, që kemi tani për arsimin, shkencën, kulturën dhe ekonominë, si dhe 7 marrëveshjeve të tjera, që shpresojmë se do të finalizohen së shpejti.
Biseduam për mundësinë e potencialin që kanë dy qeveritë tona për bashkëpunim bilateral, që do të sigurojë ringjallje më të shpejtë nga kriza e shkaktuar, si rezultat i pandemisë COVID 19, duke përfshirë edhe ngritjen e investimeve, si dhe shkëmbimeve ekonomike e tregtare.
Një nga synimet tona, është krijimi i mjedisit të favorshëm për të tërhequr kompanitë dhe investitorët potencialë, në mënyrë që të krijojmë ekonomi të qëndrueshme.
Popullsia jonë është e re dhe ka potencial të madh. Marrëdhëniet tona tregtare janë të mira, por ne mund t’i rrisim edhe më tej.
Kryeministri Plenkoviq ka ardhur sot, së bashku edhe me drejtues të korporatave të fuqishme në Kroaci, të cilët udhëheqin në fushën e energjisë, telekomunikacionit, e po ashtu edhe dhomave ekonomike atje.
Prandaj, në frontin ekonomik, jemi të bindur se mund të punojmë së bashku, për të zbuluar fusha të bashkëpunimit, si forumet e biznesit, pastaj për shkëmbime përvojash në fushën e mbrojtjes së konsumatorit, antidumping dhe instrumenteve të tjera të tregut.
Synimi i Kosovës është i qartë. Ne jemi të përkushtuar që t’i bashkohemi NATO-s dhe Bashkimit Evropian, prandaj për ne, Kroacia shërben si shembull dhe model i shkëlqyer.
Besojmë fuqishëm se ka shumë për të mësuar nga përvoja kroate, si dhe institucionet tona përkatëse janë në kontakt të vazhdueshëm e të ngushtë për këtë.
Kemi mirëpritur rritjen e numrit të Forcave të Armatosura Kroate në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR. Një angazhim i tillë për paqen dhe stabilitetin në rajon, është shumë i mirëpritur, veçanërisht kur vjen nga një shtet, me të cilin kemi marrëdhënie të shkëlqyera.
Ne e vlerësojmë lartë mbështetjen, të cilën e merr Kosova nga Kroacia, sa i përket anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare të mbrojtjes. U jemi mirënjohës për mbështetjen në edukimin dhe trajnimin e forcave tona, stërvitjet e përbashkëta në terren.
Duhet të bëjmë progres drejt integrimit evropian dhe e mirëpresim mbështetjen e Kroacisë në këtë drejtim.
Ndërkohë, ne mbështesim edhe bashkëpunimin dhe integrimin rajonal. I kuptojmë plotësisht përfitimet e mëdha që vijnë nga një treg i përbashkët dhe i hapur dhe më i madh, e ku mallrat, njerëzit, shërbimet dhe kapitali, qarkullojnë lirshëm.
Andaj, ne e mirëpresim Tregun e Përbashkët Rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit dhe me pjesëmarrjen e Bashkimit Evropian dhe kemi propozuar që të përmirësojmë atë, duke futur mekanizma të rinj të pavarur, si Autoriteti Mbikëqyrës dhe një Gjykatë, me një marrëveshje të re tregtare, që e kemi quajtur SEFTA, pra një lloj avancimi i CEFTA-s, gjithnjë përbrenda Procesit të Berlinit dhe gjithnjë drejt Bashkimit Evropian.
Kemi biseduar për krijimin e urave sa më të mira të dy popujve tanë, sikurse me mërgatën tonë, që është në Kroaci, po ashtu edhe me qytetarët kroatë në Kosovë.
Në vitin 2017, patëm propozuar nënshkrimin e një partneriteti strategjik, prandaj do të donim t’i çonim marrëdhëniet tona dypalëshe me Kroacinë edhe më tej, për një bashkëpunim të ngushtë në shumë fusha me interes të përbashkët.
I nderuar kryeministër Plenkoviq,
Përderisa tani Kosova prinë Ballkanin Perëndimor me mesataren më të lartë të qytetarëve të vaksinuar, me 64 për qind, që kanë marrë së paku një dozë dhe mbi 55 me dy doza, ne nuk e harrojmë mbështetjen e shtetit kroat në kohën kur na mungonin vaksinat.
Prandaj, edhe njëherë shpreh falënderimin e sinqertë për donacionet e vaksinave nga Republika e Kroacisë.
Angazhimi juaj dhe institucionet e shtetit tuaj, për t’ia ofruar gjithë kujdesin e nevojshëm bashkatdhetarëve tanë, pas aksidentit tragjik, në afërsi të qytetit Slavonski Brod, shpërfaqi vlerat më të larta të popullit kroat.
Solidariteti me tragjedinë tonë dhe ndihma e përkujdesja mjekësore, që iu ofrua bashkatdhetarëve tanë të lënduar, mbetet e paharruar në kujtesën tonë.
Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të ruajë miqësinë dhe marrëdhëniet e shkëlqyeshme me shtetin mik të Kroacisë, që e ka përkrahur në vazhdimësi shtetin tonë.
Mirë se erdhe kryeministër Andrej Plenkoviq dhe tash po ua kaloj fjalën juve.
Last modified: 15 Nëntor, 2021