Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti dhe përfaqësues të shoqërisë civile diskutuan për të drejtat e njeriut në Kosovë  

21 Korrik, 2022

Prishtinë, 21 korrik 2022
Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, i shoqëruar nga Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ish Avokati i Popullit, Sami Kurteshi pritën në takim përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile me rastin e publikimit të Raportit të shoqërisë civile për të drejtat e njeriut në Kosovë 2021.
Raporti adreson mbi 100 rekomandime për institucionet. Në takim u trajtua nevoja e zbatimit të tyre përmes reformave institucionale.
Kryeministri Kurti i falënderoi për raportin dhe vlerësoi angazhimin e shoqërisë civile për rolin mbikëqyrës në fushën e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe theksoi se respektimi dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut nuk janë vetëm detyrime formale kushtetuese të tij dhe të Qeverisë, por janë thelbi i bindjes filozofike e njerëzore.
Sot nuk mund e nuk duhet të flasim për indikatorë sasiorë të matjes së realizimit të të drejtave të njeriut, por për vlera të rrënjosura njerëzore që janë të lidhura ngushtë me përvojën dhe bindjen e njerëzve në Kosovë, tha ai.
Kryeministri Kurti theksoi se të drejtat e njeriut janë pjesë e pandashme e ekzistencës së shtetit të së drejtës dhe të demokracisë liberale. Ai potencoi se në thelb të një shteti të së drejtës, të udhëhequr nga ideja e demokracisë liberale, “të drejtat” janë thelbi i ekzistencës së shtetit, sepse të drejtat e njeriut përbëjnë thelbin e koncepteve shtet i së drejtës dhe demokraci liberale, përkundër demokracive joliberale në vendet autoritare që në thelb nuk kanë të drejtat e njeriut por përfaqësimin përmes zgjedhjeve.
Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu falënderoi shoqërinë civile për angazhimin, bashkëpunimin korrekt dhe me vlerë në fusha të ndryshme për përmirësimin dhe forcimin e sistemit të drejtësisë.
Përfaqësuesit e shoqërisë civile vlerësuan angazhimin e  Qeverisë për procesin e Vetingut dhe falënderuan Ministrinë e Drejtësisë për hapësirën e krijuar për shoqërinë civile në hartimin e dokumenteve për vetingun.
Edhe nga kryeministri dhe ministrja Haxhiu, edhe nga përfaqësuesit e shoqërisë civile u theksua nevoja e thellimit dhe intensifikimit të bashkëpunimit në fushën e të drejtave të njeriut në të ardhmen.

Last modified: 21 Korrik, 2022

Comments are closed.

×