Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti dhe Ministri Vitia përuruan Klinikën e renovuar të Onkologjisë

20 Maj, 2024

Prishtinë, 20 maj 2024

Sot u përuruan renovimet në Klinikën e Onkologjisë të cilat arritën vlerën e investimeve rreth 600 mijë euro. Me këtë rast të pranishëm ishin Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Investimet në këtë klinikë përfshijnë tri fusha: në aparaturë, zgjerim të listës së barnave esenciale dhe decentralizim të shërbimeve. Njëkohësisht, renovimi i tërësishëm i objektit ka krijuar hapësira më të përshtatshme për pacientët dhe stafin, duke shtuar veçanërisht dhe kapacitetin e shtretërve, nga 45 në 60, e së shpejti do të jenë 110 shtretër. Kryeministri Kurti përmendi dhe akseleratorin e ri të instaluar i cili pati kushtuar 1 milion e 444 mijë euro, dhe listën e pritjes e cila tashmë është zero.

“Përveç kësaj unë jam shumë i lumtur që mora vesh se procesi i dhënies së vaksinës HBV për sëmundjen e kancerit të qafës së mitrës është duke shkuar shumë mirë dhe në të njëjtën kohë lista e barnave esenciale është zgjeruar me ç’rast nga ministri Arben Vitia, nga Dr. Iliri, nga drejtori Elviri, mësova se kjo është ndihma më e madhe që praktikisht është bërë për shkak se barnat janë të shtrenjta e buxheti është shtuar prej 8 milionë në 13 milionë. Le të mos harrojmë që krahasuar me para tre viteve, buxheti për listën e barnave esenciale është rritur nga 24 milionë euro në 60 milionë euro, pra dy herë e gjysmë më shumë apo 150% më shumë për vetëm tri vjet.” u shpreh kryeministri.

Ai shtoi edhe faktin që nga dy rezonanca magnetike që i kemi pasur përgjatë 20 viteve, tashmë në tri vitet e fundit janë shtuar edhe tri të reja. Ndërkaq, terapia tabletare që dikur është dhënë vetëm në Prishtinë, tash jepet edhe në Prizren, që nënkupton decentralizim të shërbimeve.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, u shpreh i lumtur që në një klinikë kaq vitale e kaq të rëndësishme në Republikën tonë, pacientët tash e tutje do të marrin shërbime shumë më cilësore, me shumë barna, pa listë të pritjes në radioterapi dhe në kushte jashtëzakonisht të mira.

“Falënderoj stafin e Klinikës së Onkologjisë, të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në renovimin rrënjësor të kësaj klinike dhe gjithashtu uroj që sa më pak të ketë sëmundje të tilla, por ata që do të kanë nevojë tash do t’i marrin të gjitha shërbimet në mënyrën më cilësore”, tha ministri Vitia.

Ai tha se rrallë kund edhe në rajon kanë të gjitha mundësitë edhe infrastrukturore edhe të aparaturave dhe të terapisë që tash po përdoret në Klinikën e Onkologjisë dhe kjo falë punës së të gjithë akterëve dhe angazhimit maksimal të stafit shëndetësorë.

Të pranishëm në këtë ceremoni përurimi përveç kryeministrit Kurti e ministrit Vitia, ishin edhe Drejtori i Përgjithshëm i ShSKUK-së, Elvir Azizi, Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, si dhe deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Fatmire Mulhaxha Kollçaku dhe Haxhi Avdyli.

Prononcimi i plotë i Kryeministrit Kurti:

Pata kënaqësinë që të vizitoj Klinikën e Onkologjisë në të cilën kemi një investim substancial prej rreth 600 mijë euro që e ka transformuar në mënyrë fort domethënëse për mjekët, infermierët, stafin mbështetës që janë gjithsej 70, por para së gjithash e mbi të gjitha për pacientët këtë klinikë kaq të nevojshme dhe të dobishme.

I kanë pasur 45 shtretër, tash i kanë bërë 60 shtretër dhe së shpejti do të jenë 110 shtretër. Përveç kësaj me akseleratorin e ri të cilin e kemi instaluar, lista e pritjes është zero, pra nuk ka pritje, dhe ky akselerator pati kushtuar 1 milion e 444 mijë euro.

Është e rëndësishme të përmendet që dy arkitektet, menaxherja e kontratës dhe rregulluesit e interierit, që të gjithë janë vendas. Pra, nuk janë kompani ndërkombëtare por janë ekspertë, profesionistë të vendit tonë. Përveç kësaj unë jam shumë i lumtur që mora vesh se procesi i dhënies së vaksinës HBV për sëmundjen e kancerit të qafës së mitrës është duke shkuar shumë mirë dhe në të njëjtën kohë lista e barnave esenciale është zgjeruar. Me këtë rast nga ministri Arben Vitia, nga Dr. Iliri, nga drejtori Elviri, mësova se kjo është ndihma më e madhe që praktikisht është bërë për shkak se barnat janë të shtrenjta e buxheti është shtuar prej 8 milionë në 13 milionë. Me këtë rast le të mos harrojmë që krahasuar me para tre viteve, buxheti për listën e barnave esenciale është rritur nga 24 milionë euro në 60 milionë euro, pra dy herë e gjysmë më shumë apo 150% më shumë për vetëm tri vjet.

Në përgjithësi në Kosovë, qytetarët e Republikës që bëhen pacientë blejnë rreth 120 milionë euro barna. Tash kjo i bie që gjysmën e kësaj kostoje e paguan shteti e gjysmën pacienti. Ndërkaq, para tri viteve pacientët e kanë paguar 80% e shteti 20%. Pra, nga pagesat 20% e dikurshme e shtetit është kaluar në 50%, ndërkohë që blerja e barnave në përgjithësi është aty – aty rreth 120 milionë euro. Nga 24 milionë euro, kemi kaluar në 60 milionë euro.

Ajo që është tejet e rëndësishme për qytetarët e Republikës që uroj që të mos bëhen pacientët që të mos kenë nevojë, mirëpo nga dy rezonanca magnetike që i kemi pasur përgjatë 20 viteve në vetëm këto tri vite janë edhe tri rezonanca të reja.

Terapia tabletare dikur është dhënë vetëm në Prishtinë, tash jepet edhe në Prizren, pra kemi decentralizim të shërbimeve dhe ajo çfarë besoj ju ka bërë përshtypje të gjithëve është që nga jashtë njihet Klinika e Onkologjisë ndonëse operatori ekonomik e ka gëlqerosur edhe përjashtë, ndonëse kjo nuk ka qenë në kontratë, por brenda ajo që e bën dallim kryesor dhe unë po të mos kisha hy në këtë derë nuk e kisha ditur se në cilën klinikë jam, është fakti se është thyer tavani dhe është ngritur për 30 centimetra e jo vetëm kaq, por ka pastrim të ajrit me filtrim e klimatizim.

Andaj, kjo është një ditë shumë e bukur për të gjithë qytetarët e Republikës e në veçanti për pacientët, mjekët, infermierët e stafin mbështetës të Klinikës së Onkologjisë të cilët i falënderoj nga zemra për përkushtimin profesional dhe për punën e palodhshme e kontributin që e japin, jo për çdo ditë, por për çdo orë e për çdo minutë.

Faleminderit shumë doktor Ilir, faleminderit shumë të gjithë mjekët.

Krejt në fund operatori ekonomik “Ego Elsa” e ka pasur kontratën për përfundimin e punimeve në javën e parë të korrikut, e ka përfunduar një muaj e gjysmë më herët, për çfarë i falënderojmë publikisht.

 

Last modified: 20 Maj, 2024

Comments are closed.