Llashticë, Gjilan, 13 prill 2024
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pas homazheve në përkujtim të masakrës në Studenicë të Istogut, sot ka bërë homazhe edhe në Llashticë të Gjilanit. I shoqëruar nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, kryetari i komunës së Gjilanit, Alban Hyseni dhe deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kryeministri Kurti vendosi lule dhe mbajti një minutë heshjte në kujtim të civilëve të vrarë.
Me këtë rast, kryeministri tha se jemi këtu që të ndajmë dhembjen e pikëllimin për këta 26 martirë, po në të njëjtën kohë të shprehim edhe mirënjohjen dhe falënderimin tonë të thellë për qëndresën gjatë këtyre viteve. Ai shtoi se ne nuk e harrojmë kurrë që rrënjët e shtetit që e kemi dhe të lirisë që e gëzojmë janë te gjaku i dëshmorëve dhe i martirëve të kombit.
Kryeministri theksoi se teksa forcat e Serbisë me gjenocid përpiqeshin ta shfarosin popullin shqiptarë, në Llashticë i vranë 26 qytetarë të pambrojtur, civilë të pafajshëm, të cilët dëshironin të jetonin të lirë në tokën e tyre dhe të kujdesen për familjet e tyre.
“Këtu ka ndodhë një vrasje e trefishtë e gjithë atyre, së pari ekzekutimi, më pastaj djegia e kufomave dhe gjithashtu rrafshimi i shtëpive me buldozer në kuadër të përpjekjeve për t’i fshehur gjurmët e krimit”, tha Kryeministri. Ai shtoi se “aq shumë kriminelët nga Serbia ishin të preokupuar me shkatërrimin e gjurmëve të krimit, me eliminimin e kufomave, sa që nuk kishin asnjëherë dilemë se a do t’i vrasin shqiptarët apo jo, por vetëm si të mos merret vesh se këta ishin vrarë”.
“Prej foshnjës tri javëshe deri te plaka 90 vjeçare, nuk ka dëshmi më të qartë se ajo çfarë na ka ndodhë para 25 vjetëve ka qenë gjenocid”, tha kryeministri. Ai i bëri thirrje prokurorisë dhe gjyqësorit që të mos kalojë koha e të na vdesin dëshmitarët e moshuar e të zhduken evidencat materiale, por të trajtojnë me urgjencë rastet e krimeve të kryera gjatë luftës, për shkak se plagët ngelen të hapura atëherë kur nuk ka drejtësi.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Nga 13 deri më 30 prill, forcat e Serbisë, teksa me gjenocid përpiqeshin ta shfarosin popullin shqiptarë, në fshatin e juaj i vranë 26 qytetarë të pambrojtur, civilë të pafajshëm, të cilët dëshironin të jetonin të lirë në tokën e tyre dhe të kujdesen për familjet e tyre. Por, këtu ka ndodhë një vrasje e trefishtë e gjithë atyre, së pari ekzekutimi, më pastaj djegia e kufomave dhe gjithashtu rrafshimi i shtëpive me buldozer në kuadër të përpjekjeve për t’i fshehur gjurmët e krimit.
Aq shumë kriminelët nga Serbia ishin të preokupuar me shkatërrimin e gjurmëve të krimit, me eliminimin e kufomave, sa që nuk kishin asnjëherë dilemë se a do t’i vrasin shqiptarët apo jo, por vetëm si të mos merret vesh se këta ishin vrarë.
Po përkundër kësaj, në mesin e juaj këtu ka dëshmitarë të gjallë të cilët kanë mbijetuar atë masakër para 25 vjetëve. Mua më shpjeguan hollësisht edhe Driton Murseli, edhe Ymer Hyseni, të cilët e mbajnë mend mirë se çfarë ka ndodhur para 25 vjetëve, por gjithashtu din edhe emra e fytyra të atyre kriminelëve.
Fatkeqësisht sot e kësaj dite, as drejtësia ndërkombëtare as ajo vendore nuk janë marrë me këto dëshmi të cilat janë edhe dëshmi të dëshmitarëve të gjallë, por edhe dëshmi materiale për këtë krim mizor.
Jemi bashkë me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvallën, me kryetarin e Komunës së Gjilanit, Alban Hysenin dhe me shtatë deputetë të Kuvendit të Republikës, që të ndajmë dhembjen e pikëllimin për këta 26 martirë. Por në të njëjtën kohë, të shprehim edhe mirënjohjen dhe falënderimin tonë të thellë për qëndresën tuaj gjatë këtyre viteve, duke theksuar edhe njëherë, se ne nuk e harrojmë kurrë që rrënjët e shtetit që e kemi dhe të lirisë që e gëzojmë janë te gjaku i dëshmorëve dhe i martirëve të kombit, të cilëve nuk u harrohet emri asnjëherë, sepse janë tash pjesë e historisë tonë kombëtare. Gjaku i tyre nuk humbet për shkak se e ujitë pikërisht pemën e lirisë, frytet e së cilës i gëzojnë këta fëmijë të cilët uroj që të kenë shëndet e suksese në jetë, e për këtë do të përkujdesemi me krejt çka mundemi e dimë edhe si qeverisje e mirë, ashtu që të kenë arsim, shëndetësi, të kenë punë dhe të zhvillohen në tokën e të parëve të cilën nuk e lëshuan asnjëherë paraardhësit e tyre.
Është shumë e rëndë kur kalon pranë këtyre varrezave dhe e sheh emrin, Lirim Shabani, foshnje tri javëshe, ose emrin Habibe Ramushi e cila ishte 90 vjeçare. Vajza e Idriz Seferit. Pranë saj varri i vajzës së saj, mbesës së Idriz Seferit, Rukije Ramushi. Pra, prej foshnjës tri javëshe deri tek plaka 90 vjeçare. Nuk ka dëshmi më të qartë se ajo çfarë na ka ndodhë para 25 vjetëve ka qenë gjenocid. Suksesi i Republikës së Kosovës dhe i mbarë kombit shqiptar në njërën anë është drejtësi historike për popullin tonë dhe për lirinë si vlerë universale e në anën tjetër gjithmonë i bëjmë thirrje prokurorisë, gjyqësorit që të mos kalojë koha e të na vdesin dëshmitarët e moshuar e të zhduken evidencat materiale, por menjëherë të trajtojnë me urgjencë rastet e krimeve të kryera gjatë luftës, për shkak se plagët kullojnë meqenëse ngelen të hapura atëherë kur nuk ka drejtësi.
Unë ju falënderoj edhe njëherë të gjithëve, secilën e secilin prej jush. Do të jemi përherë pranë jush. Lavdi dëshmorëve dhe martirëve të Llashticës dhe mbarë kombit shqiptarë!
Last modified: 13 Prill, 2024