Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti bën homazhe në 25- vjetorin e masakrës mbi familjen Muliqi në Abri të Epërme

30 Mars, 2024

 

 

Abri e Epërme, Drenas, 30 mars 2024

Në 25- vjetorin e masakrës nga forcat e armatosura serbe mbi familjen Muliqi, në Abri të Epërme të Drenasit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri sot homazhe në nderim të jetës së tyre.

Kryeministri Kurti theksoi se ishin sot aty për të treguar solidaritetin institucional e kombëtar, qytetar e njerëzor me familjen Muliqi, me bacën Asllan edhe me familjen Deliu dhe të gjitha familjet e dëshmorëve dhe martirëve të kombit tonë, të cilët i dhanë kaq shumë Kosovës për liri e për pavarësi, për çlirim e për bashkim.

Teksa kujtoi edhe vrasjen e 23 të vrarëve nga forcat oserbe, në të njëjtin fshat, në masakrën më 26 shtator 1998, deklaroi se as për këtë masakër, e as për vrasjet në Abri të Epërme më 30 mars 1999, nuk ka asnjë të akuzuar e as të dënuar. Kryeministri ftoi Prokurorinë e Shtetit që me krejt çfarë kanë e dinë, të angazhohen maksimalisht ditë e natë në mënyrë që ata vrasës  për të cilët ka edhe dëshmitarë të gjallë, të ndiqen të akuzohen e të dënohen.

Bashkë me kryeministrin Kurti në homazhe ishin edhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci si dhe zëvendësministri i MPB-së, Blerim Gashani.

Deklarimi i plotë i kryeministrit Kurti:

Pas 26 shtatorit, në Abri të Epërme duhet të rikthehemi edhe më 30 mars.

Më 26 shtator 1998 janë vrarë 23 anëtarë të familjes Deliu nga foshnja gjashtë muajshe deri te plaku 94- vjeçar. Në mesin e të vrarëve është edhe Mihanja me djalin e saj 2 vjeçar, që është motra e zëvendësministrit tonë Blerim Gashani, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, i cili ndodhet këtu bashkë me neve.

Por sot, më 30 mars, këtu jemi për masakrën e dytë në fshatin e njëjtë. Masakra ndaj familjes Muliqi, e cila i ka tetë martirë dhe një dëshmor dhe nëntë luftëtarë të UÇK-së. Prej këtyre tetë martirëve, katër martirë ishin nxënës, pra ishin të mitur, Ganiu, Musa, Behrami edhe Abazi. Tash Sejfullahu është dëshmor i kësaj familje i rënë në betejën më 19 gusht 1998, pa i bërë 17 vjet. Pa i mbushur 17 vjet të plota, ai e ka shitur lopën në Qirez për të blerë armën e për t’iu bashkëngjitur UÇK-së, për të luftuar forcat okupatore serbe.

Andaj ne jemi sot këtu për të treguar solidaritetin institucional e kombëtar, qytetar e njerëzor me familjen Muliqi, me bacën Asllan edhe me familjen Deliu dhe me të gjitha familjet e dëshmorëve dhe martirëve të kombit tonë, të cilat i dhanë kaq shumë Kosovës për liri e për pavarësi, për çlirim e për bashkim.

Me keqardhje më duhet sërish të konstatoj që as për vrasjet, 23 të vrarët e masakrës në Abri të Epërme më 26 shtator 1998, dhe as për vrasjet e masakrës sërish në Abri të Epërme, më 30 mars 1999, nuk ka asnjë të akuzuar e as të dënuar, ndonëse u bënë plot vite që Kuvendi i Republikës së Kosovës me plotësim ndryshimin e ligjit dhe më pastaj Ministria e Drejtësisë me të gjithë mekanizmat e elementet përkatës e ka mundësuar edhe akuzën, edhe gjykimin, edhe dënimin në mungesë.

Pra, për tetë martirët e familjes Muliqi dhe për 23 martirët e familjes Deliu, sot e kësaj dite askush nuk është akuzuar dhe s’ka mbajtur dënim.

Andaj unë edhe njëherë e lus Prokurorinë e Shtetit që më krejt çfarë kanë e dinë, të angazhohen maksimalisht ditë e natë në mënyrë që ata vrasës për të cilët ka edhe dëshmitarë të gjallë, të ndiqen, të akuzohen e të dënohen. Sepse pa drejtësi, me vetëm të vërtetën, plagët vazhdojnë të mbesin të hapura e të njoma.

Lavdi dëshmorëve e martirëve të kombit, lavdi dëshmorëve e martirëve këtu në Abri të Epërme, të familjes Muliqi e Deliu!

Last modified: 30 Mars, 2024

Comments are closed.

×