Podujevë, 16 qershor 2015
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në përurimin e Fabrikës së veshjeve sportive “S Sprint” në fshatin Letancë të Komunës së Podujevës. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm edhe kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, drejtori i misionit të USAID-it në Kosovë, James Hope, dhe përfaqësues të bizneseve e qytetarë.
Fjala e plotë e kryeministrit Isa Mustafa.
I nderuar kryetar i Komunës së Podujevës, z. Agim Veliu,
E nderuara familje Sopa,
Të nderuar përfaqësues të USAID-it, Agjencionit Amerikan për Zhvillim Ndërkombëtar,
Përfaqësues të Asociacionit të Biznesit, z. Agim dhe bashkëpunëtorët tuaj,
Të gjithë ju qytetarë.
Ju uroj për këtë program shumë të rëndësishëm, i cili jo vetëm që përfaqëson simbolikën e zhvillimit tonë ekonomik jashtë zhvillimit bujqësor, për të cilin foli kryetari i Komunës këtu, por edhe për investime të rëndësishme dhe për iniciativa të rëndësishme biznesore që njerëzit tanë po i marrin, që kanë për qëllim ofrimin e produkteve vendore. Janë veshjet sportive ato të cilat do ta cilësojnë këtë fabrikë, dhe poashtu është furnizimi i tregut tonë dhe rritja e konkurrencës së brendshme në tregun kosovar por edhe në tregun regjional, shpresoj nesër.
Unë e konsideroj shumë të rëndësishme kyçjen e USAID-it dhe përkrahjen e këtij projekti, duke pas parasysh se Agjencioni Amerikan për Zhvillim Ndërkombëtar ka përkrah shumë projekte zhvillimore në shumë komuna, shumë iniciativa, sidomos të rinjve, grave dhe ndërmarrësve privat. Ka nxit zhvillimin e sektorit privat tek ne, sepse ky sektor duhet ta merr përgjegjësinë dhe barrën e zhvillimit ekonomik.
Është me rëndësi të madhe që Kuvendi i Komunës dhe Komuna e Podujevës po merr masa për krijimin e kushteve më të volitshme për investitorët vendor, sa i përket edhe lirimit nga taksat komunale, por poashtu ne në nivelin qendror me Programin Qeveritar jemi përcaktuar që të krijojmë kushte më të mira për bizneset, të ndryshojmë politikat fiskale të cilat do të bëhen më të përshtatshme për zhvillimin e biznesit vendor, të themelojmë Fondin për Zhvillim, i cili do të jetë fond garantues për investitorët fillestar, poashtu do të jetë fond i subvencionimit të normave të interesit, sidomos për fushën e bujqësisë dhe fushat tjera në të cilat veçmas të rinjtë dhe gratë dhe investitorët tjerë nuk kanë mundësi që të ofrojnë garancionet e tyre dhe të kthejnë gjithë shumën e kredisë, si dhe për fondet tjera iniciale për përkrahjen e bizneseve.
Jemi të interesuar që të kemi një zhvillim me propozim të biznesit të brendshëm, i cili pastaj do të ndikoj në rritjen e punësimit dhe rritjen e efekteve ekonomike, sepse zhvillimi jonë dhe punësimi nuk mund të bëhet jashtë zhvillimit të sektorit privat.
Punësimi këtu prej tridhjetë punëtorëve është i rëndësishëm për këtë pjesë. Është i rëndësishëm poashtu përkrahja që keni marrë për punësimin shtesë të mbi njëzet punëtorëve tjerë, dhe ambicia juaj, mesa e lexova sot tek një shënim, që doni të arrini në 200 të punësuar krahas zgjerimit të prodhimtarisë dhe hapjes së reparteve të reja.
Unë ju uroj shumë suksese, dhe poashtu ju premtoj dhe zotohem se Qeveria e Republikës së Kosovës do të punoj shumë në mënyrë që të përkrah sektorin e biznesit privat, do të përkrah punësimin dhe zhvillimin ekonomik, sepse pa zhvillim ekonomik nuk ka forcim të shtetit tonë, forcim të demokracisë dhe integrime të vërteta evropiane.
Ju faleminderit dhe urime.
Last modified: 16 Qershor, 2015