Zyra e Kryeministrit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi uron mësuesit dhe punonjësit e arsimit të Kosovës me rastin e 7 Marsit , Ditës së Mësuesit

7 Mars, 2012

Në telegramin e urimit thuhet:

Të nderuar, mësues, arsimtarë, pedagogë dhe punonjës të arsimit,
Shtatë Marsi, Dita e Mësuesit është ndër ditët më të rëndësishme në historinë e arsimit shqip, e cila shënohet me krenari dhe dinjitet  në të gjitha institucionet e arsimit në Republikën e Kosovës.
Shtatë Marsi na kthen kujtesën tek hapja e shkollës së parë shqipe dhe te angazhimi i pareshtur i rilindësve dhe mësuesve  shqiptarë për emancipim të përgjithshëm kombëtar, kulturor dhe shkencor.
Punonjësit e arsimit në Kosovë kanë merita të jashtëzakonshme në përgatitjen e gjeneratave që vunë themelet e dijes, shkencës dhe institucioneve që mbrojtën identitetin kombëtar dhe realizuan krijimin e shtetit të pavarur, të lirë dhe demokratik të Kosovës.
Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh mirënjohjen për të gjithë mësuesit, arsimtarët dhe pedagogët që kontribuuan në ngritjen e sistemit të arsimit, krijimin e kuadrove profesionale në të gjitha fushat e shoqërisë, shkencës dhe kulturës.
Qeveria e Republikës së Kosovës do të angazhohet edhe më shumë për thellimin e reformave në edukim, duke e bërë arsimin njërën nga komponentët themelore të zhvillimit ekonomik të Kosovës së re dhe evropiane.
Qeveria e Kosovës zotohet se do të bëjë edhe më shumë për ngritjen e cilësisë së edukimit në Kosovë, duke e bërë të konkurrueshëm me standardet më të larta të nivelit ndërkombëtar.

Hashim Thaçi,   Kryeministër i Republikës së Kosovës
 

Last modified: 7 Mars, 2012

Comments are closed.