Prishtinë, 31 maj 2009
Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha shembi në mënyrë simbolike murin e fundit ndarës, të tunelit, për t’u takuar në anën tjetër të tij, me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, që shoqërohej nga zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, ministri i Transportit dhe Postw-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, anëtarë tjerë të qeverisë, e deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Pasi përshkuan tunelin, të kryeministrat Thaçi e Berisha, dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp, në prani të qindra qytetarëve vendas dhe atyre të ardhur nga Kosova.
Fjala e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në ceremoninë e inaugurimin e hapjes së tunelit të autostradës Durrës – Kukës – Morinë.
I nderuari kryeministër i Shqipërisë, zoti Sali Berisha,
E nderuara kryetare e Kuvendit të Shqipërisë Topalli,
Të nderuar ministra, zëvendësministra, deputetë të dy qeverive e kuvendeve tona, I nderuari ambasador Walker,
Sot, këtu në Kalimash, sjell për ju, i nderuari Kryeministër Berisha, mesazhet e përgëzimet të qeverisë së Kosovës, të institucioneve të saj , të gjithë popullit të Kosovës për këtë kryevepër.
Sot është një ditë madhe për të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë. Sot është një ditë e madhe dhe shumë e rëndësishme edhe për mua personalisht, sepse ekziston një lidhje shumë e fuqishme mes këtij rrugëtimi dhe lirisë së Kosovës. Janë të shumta dhe të pallogaritshme rastet, kur unë dhe bashkëluftëtarët e mi, me orë të tëra, në shi, në borë dhe në acar, e bëmë këtë rrugë, në këmbë, për lirinë e vendit. Që sot, Kosova dhe Shqipëria, Tirana dhe Prishtina janë si kurrë ndonjëherë më pranë njëra tjetrës dhe do të afrohen dhe më tepër. Tirana dhe Prishtina janë si kurrë ndonjëherë pranë njëra-tjetrës dhe kështu do të jemi përgjithmonë.
Pa dyshim, një element qendror i kësaj afërsie shpirtërore, fizike dhe materiale është liria dhe pavarësia e Kosovës, vetë shteti i Kosovës. Pavarësia e Kosovës i jep kësaj rruge dimensionin e plotë të afrimit, është vetë kuptimi i autostradës. Kjo rrugë është dalja e Kosovës në det.
I nderuari kryeministër,
Ne kemi qene të ndarë në shekuj, por kurrë nuk kemi qenë larg njeri-tjetrit. Gjithmonë kemi punuar për tu afruar, gjithmonë kemi sakrifikuar për tu afruar dhe ja, erdhi dita, Kosova është e pavarur, Shqipëria në NATO dhe sot ndërtojmë autostrada. Dhe unë e di, siç e dini të gjithë ju se kurrë më, të rinjtë tanë, as të Shqipërisë dhe as të Kosovës nuk do të ecin më në këmbë, nëpër baltë, fshehurazi dhe me tmerrin e frikës, për të bërë këtë rrugëtim të lirisë dhe zhvillimit të vendeve tona. Na ka ndarë historia, na ka ndarë padrejtësia. Na ndanin bjeshkët, malet e thepisura, dhe muret. Sot të gjitha këto pengesa janë zëvendësuar me punë, me vullnet, me ideal, me vizion, duke u shndërruar në dhjetëra e dhjetëra ura dhe tunele komunikimi.
Prandaj, i nderuari Kryeministër i Shqipërisë, zoti Sali Berisha,
Ju përgëzoj në emër të Kosovës, popullit të saj, për këtë punë kolosale, për këtë kryevepër, ju përgëzoj ju personalisht, qeverinë tuaj dhe popullin shqiptar. Përveç dëshirave, ëndrrës për integrim kombëtar dhe euroatlantik, kjo rrugë do të mbartë ide, mallra, rritje ekonomike për të dy vendet tona. Kjo rrugë do ti japë shtytje zhvillimeve të shumanshme të dy vendeve tona.
I nderuari kryeministër i Shqipërisë, zoti Sali Berisha,
Si kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, zotohem se për një kohë shumë të shkurtër, kjo rrugë do të vazhdojë tutje, Vermicë, Prizren, dhe në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë.
Bashkërisht kemi thyer perandori e pushtues, e do të thyejmë edhe male e bjeshkë që na dalin përpara. Kjo është autostrada e shpresës, e besimit, e punës dhe e zhvillimit të shqiptarëve. Kjo është historia jonë. Kjo është rruga e integrimeve kombëtare dhe euroatlantike, rruga e shekullit të ri. Kjo është rruga e paqes, stabilitetit dhe zhvillimit.
Faleminderit, urime dhe suksese ju dhe të gjithë shqiptarëve.
Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha: Nuk ka male, nuk ka pengesa, nuk ka asgjë, që mund ta ndajë kombin tonë
Fjala e kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha në ceremoninë e inaugurimit të hapjes së tunelit të autostradës Durrës – Kukës – Morinë.
Zoti kryeministër i Kosovës Hashim Thaçi,
Zonja Kryetare e Parlamentit të Shqipërisë Jozefina Topalli,
Të nderuar ministra, parlamentarë, qeveritarë vendorë të Shqipërisë dhe Kosovës,
Të dashur miq, zonja Ajzenhauer, mbesë e gjeneralit liberator të Evropës, të Presidentit të SHBA-ve, ikonës së ndershmërisë dhe përkushtimit të kombit të tij, Dvajt Ajzenhauer, mike e çmuar e kombit shqiptar,
I dashur ambasadori Walker, heroi ynë kombëtar,
I dashur miku im Sharik Tara, zonja Tara, Sinan Tara,
të nderuar përfaqësues të lartë të Kompanisë Bechtel Enka,
Qytetarë dhe qytetare të mbarë Shqipërisë!
“Së pari dëshiroj tu përshëndes të gjithëve përzemërsisht, të ndaj me ju gëzimin e madh të shndërrimit sot në këtë moment të një ëndrre gjithëshqiptare në realitet. Sot ne përjetuam këtu realizimin e njërës prej ëndrrave më të bukura të shqiptareve, përjetuam shembjen, jo të një muri por të një mali, përjetuam shembjen, jo të një muri, por të pamundësisë.
Sot ne inauguruam së bashku me Kryeministrin e Kosovës, z.Hashim Thaçi, me ju zotërinj ministra, zonja Kryetare, miq të dashur, tunelin e Kalimashit, një nga kryeveprat në fushën e ndërtimit në Evropë dhe më gjere.
Ky tunel para së gjithash është tuneli i bashkimit të kombit. Sot ne vendosëm se nuk ka male, nuk ka pengesa, nuk ka asgjë, që mund ta ndaje, jo vetëm shpirtërisht por as fizikisht këtë komb.
Sot, ne inauguruam tunelin, që bashkon jo vetëm shqiptaret, por inauguruam tunelin që me shërbimet që ofron në fushën e transportit dhe të qarkullimit, bashkon më shumë shqiptarët me kombe të tjera të rajonit, maqedonasit, serbet, bullgarët dhe të gjitha kombet e këtij rajoni. Sot, ne inauguruam tunelin, i cili do të bëjë që brigjet e Shqipërisë, portet e saj, tu shërbejnë jo vetëm shqiptarëve në Shqipëri dhe Kosovë, por tu shërbejë të gjitha kombeve te rajonit. Në të vërtetë tuneli mund të kishte shumë emra.
Miku im Sharik Tara me thotë mbrëmë në darkë, se ky tunel është tuneli i miqësisë. I dashur Sharik, ke 20 vjet që vjen në këto vende. Të kanë sjellë këtu rrënjët e tua të hershme, por dhe dashuria e madhe, jo vetëm për shqiptarët, me të cilët ti je i lidhur me shumë rrënjë dhe fije, por dhe të fqinjëve dhe kombeve të tjera përreth. Kam një kënaqësi të madhe miku im, se ti sot me Bechtelin, me nje nga kompanitë lider botërore në fushën e ndërtimit, u shndërron shqiptareve dhe jo vetëm shqiptarëve, një ëndërr të madhe në realitet. Tuneli është një vepër e kushtueshme, por dua të theksoj se për një komb dhe njerëz kohëhumbur sic jemi ne, çmimi i kohës është çmimi i të gjitha çmimeve, ndaj dhe ky tunel kushton shumë më pak, se sa koha e kalimtarëve nëpër të, në një vit të vetëm.
Tuneli ka qenë i vështirë dhe i kushtueshëm, por çmimi i tij është dhjetëra e qindra herë më i vogël, se vlera e tij e madhe morale, se bashkimi që sjell midis njerëzve, se shërbimi që iu bën njerëzve dhe qytetarëve, si dhe dalja në det që i jep Kosovës, dalja në det që i jep jo vetëm Kosovës, por dhe fqinjëve të saj.
Unë dua ta mbyll fjalën time me disa mirënjohje dhe falënderime të veçanta. Se pari, një falënderim dhe mirënjohje të madhe dua tu bëj të gjithë punonjësve, inxhinierëve, teknikëve, të kompanisë Bechtel-Enka, të cilët realizuan këtë projekt, këtë tunel, në kohë rekord, sollën këtu në këto male dhe gryka teknologjitë më të larta bashkëkohore, disiplinën më të lartë, ekspertizën më të thellë. Ne ju mbetemi mirënjohës juve. Ju do të jeni pjesë e historisë sonë, e përpjekjes sonë për zhvillim dhe modernitet.
Dua të shpreh mirënjohje të thellë ndaj ministrit Basha, ministrit Olldashi, të cilët me një përkushtim të jashtëzakonshëm ndoqën zbatimin e këtij projekti, zbatuan porositë e Kryeministrit dhe të qeverisë dhe sot projekti është realitet.
Dua të falënderoj të gjithë punonjësit e administratës, të cilët me përmbushjen e detyrimeve të tyre, bënë të mundur këtë kryevepër të shqiptareve. Sot Kim Mehmeti më dërgoi një mesazh në të cilin më shkruante se kjo pothuaj është mrekullia shqiptare. Edhe unë jam dakort me Kim Mehmetin.
Dua të falënderoj Parlamentin për mbështetjen e madhe që i dha projektit, të falënderoj miqtë e mi kudo në botë të cilët, më kanë inkurajuar shumë për realizimin e këtij projekti të madh. Dua tu falënderoj, ju Ëilliam Ëalker, që je sot midis nesh dhe ju zonja Ajzenhauer.
Unë do ta mbyll fjalën time me një zotim, se pas këtij tuneli dhe këtij korridori qeveria ime nuk do të lerë mal pa shembur, nuk do të lerë asgjë pa bërë, në mënyrë që shqiptareve tua japim Shqipërinë në pëllëmbë të dorës.
Edhe njëherë Gëzuar!
Last modified: 31 Maj, 2009