Prishtinë, 4 qershor 2013
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi gjatë takimit me studentët amerikanë i njoftoi për të arriturat e shtetit të Kosovës, për zhvillimet aktuale politike. Në takim theks i veçantë iu kushtua raporteve të shkëlqyeshme në mes të shtetit të Kosovës dhe SHBA-ve.
Në takim, u bisedua edhe për procesin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë në këto 15 vite, në të cilat z.Thaçi ka qenë pjesëmarrës.
Këto procese të bisedimeve, Kryeministri i cilësoi të vështira, por që ishin në shërbim të demokracisë dhe vlerave evropiane.
Në këtë kuadër, Kryeministri ka potencuar procesin negociator në Rambuje dhe Paris, që rezultoi me intervenimin ushtarak të NATO-s dhe me çlirimin e Kosovës, pastaj bisedimet e Vjenës që rezultuan me Pakon e Presidentit Ahtisaari dhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës, e deri në takimet që po zhvillohen së fundmi në Bruksel, që rezultuan me arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve, Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe përshpejtimin e procesit të integrimeve europiane dhe euro-atlantike.
Studentët amerikanë të Universitetit Arcadia të Shtetit të Pensilvanisë shprehën falënderimin e tyre për pritjen e ngrohtë që iu bë nga kryeministri Hashim Thaçi dhe shprehën interesimin për relacionet ndëretnike në Kosovë.
Kryeministri Thaçi duke iu përgjigjur pyetjeve të tyre theksoi se” Kosova është shtet i të gjithë qytetarëve pa dallim etnie, feje apo race dhe për këtë arsye në Kosovë të gjitha komunitetet gëzojnë të drejta afirmative, që shprehet me përfaqësim në Kuvendin e Kosovës, në Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe në të gjitha institucionet tjera të Kosovës.
Last modified: 4 Qershor, 2013