Prishtinë, 11 shkurt 2013
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot në takim Raportuesen e Parlamentit Evropian për Kosovën, Ulrike Lunacek.
Kryeministri Thaçi ka falënderuar znj.Lunacek për kontributin e saj dhe të anëtarëve të Parlamentit Evropian lidhur me mbrojtjen e interesave të Kosovës në Bruksel, sidomos me Rezolutën për Kosovën, e miratuar nga Komiteti për Politika të Jashtme të Bashkimit Evropian.
Në takim është diskutuar edhe për implementimin e marrëveshjeve të arritura në procesin e dialogut në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri Thaçi ka kërkuar përkrahje më të madhe nga Bashkimi Evropian për implementimin e këtyre marrëveshjeve.
Në këtë kuadër, është diskutuar edhe për Fondin Zhvillimor për veriun, fond ky që do t’i raportojë një bordi të përbashkët ku do të bëjnë pjesë institucionet e Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
“Strukturat paralele do të shuhen, ata që nuk kanë qenë të involvuar në krim do të kenë mundësi të aplikojnë për tu punësuar në institucionet lokale në veri, mbi bazën e një rekrutimi individual” ka thënë kryeministri Thaçi.
Nga ana e saj, Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Ulrike Lunacek ka falënderuar kryeministrin për konstruktivitetin e treguar në dialog, si dhe për punën e deritanishme në përmbushjen e agjendës evropiane, duke konfirmuar mbështetjen e fuqishme nga ana e anëtarëve të Parlamentit Evropian për Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit.
Last modified: 13 Maj, 2022