Prishtinë, 26 janar 2010
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i ka dëshiruar mirëseardhje ambasadorit të ri të Republikës së Francës në Prishtinë, Jean François Fitou, në takimin e parë njohës që ka zhvilluar sot.
Duke vlerësuar lartë ndihmën dhe përkrahjen e Francës për Kosovën, si dhe bashkëpunimin e mirë të ndërtuar në mes të dyja vendeve, kryeministri Thaçi është angazhuar që ky bashkëpunim të thellohet edhe më tej në të ardhmen.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar të vazhdojë angazhimet e veta për të ndërtuar marrëdhënie të mira dhe shumë të afërta, me të gjithë miqtë, që e kanë mbështetur Kosovën dhe popullin e saj, në rrugën e demokratizimit dhe të shtetndërtimit”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.
Ambasadori Jean François Fitou është shprehur se do të angazhohet për vazhdimin e bashkëpunimit të mirë me të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës dhe ka shprehur zotimet e Qeverisë franceze për të vazhduar mbështetjen e Kosovës në ndërtimin dhe konsolidimin e demokracisë dhe në proceset integruese evropiane.
Last modified: 26 Janar, 2010