Prishtinë 11 mars 2009
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi sot ka bërë përurimin e një konvikti të ri në kompleksin e Qendrës së Studentëve të Universitetit të Prishtinës.
Në këtë ceremoni merrnin pjesë ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj, ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Pula-Shiroka, kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, deputetë, udhëheqës të Universitetit dhe studentë.
Kryeministri Hashim Thaçi në një fjalë rasti tha se është kjo një ditë e veçantë për të kaluarën tonë, përvjetori i 28 i demonstratave të ‘81-ës, i kërkesës për Kosovën Republikë.
“Para 28 vitesh, gjeneratat e mëparshme rezistuan dhe kërkuan që Kosova të bëhet Republikë, të respektohet vullneti i qytetarëve të Kosovës, ndërkaq u deshën shumë përpjekje e sakrifica gjithë popullore, me mbështetje të plotë ndërkombëtare, të fitojmë të drejtën tonë që Kosova të jetë shtet i pavarur, sovran e demokratik”, tha z. Thaçi
Kryeministri Hashim Thaçi tha se jemi sot këtu për të kujtuar të kaluarën, por edhe për të përuruar të sotmen dhe të ardhmen. Prandaj përurimi i këtij objekti të ri banesor në Qendrën e Studentëve, është vetëm fillimi i ndryshimeve të mëdha që do të ndodhin edhe në të ardhmen në Kosovë.
“Kompleksi Universitar është vend i bekuar për Kosovën, sepse gjithmonë ka qenë vend i afrimit, bashkimit të energjive rinore kosovare dhe për lëvizjen e përgjithshme popullore në vend” theksoi kryeministri Thaçi duke premtuar se do të vazhdohet me ndërtime të reja këtë vit dhe vitet e tjera në mënyrë që rinia, studentët tonë ti kenë kushtet sipas standardeve bashkëkohore si të gjithë studentët dhe të rinjtë në Evropë e botë”.
Ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, tha se nuk është vetëm përurim objekti, por përurim edhe i Kosovës së re.
“Kjo Qendër nuk e ka pasur funksionin vetëm për qendër të studentëve, por edhe funksion të rëndësishëm për lëvizjen tonë kombëtare”, tha ai, duke shtuar se si Ministria e Arsimit dhe Qeveria do të vazhdojnë ta modernizojnë Qendrën e Studentëve.
Last modified: 11 Mars, 2009