Zyra e Kryeministrit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, përgëzon presidentin shqiptar Bamir Topi, me rastin e aplikimit të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkim Evropian

29 Prill, 2009

Prishtinë, 29 prill 2009

Në mesazh thuhet:

I nderuari president Topi,

Kam nderin dhe privilegjin që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës t’Ju shpreh urimet më të sinqerta me rastin e aplikimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkim Evropian.

Një muaj më parë, Shqipëria, u bë pjesë e organizatës më të fuqishme botërore për siguri dhe paqe, NATO-s, duke rikonfirmuar thellimin e progresit në procesin e arritjes së standardeve të larta demokratike euroatlantike.

Qeveria e Republikës së Kosovës dhe gjithë qytetarët e saj i gëzohen arritjeve të Shqipërisë në kuadër të procesit të rëndësishëm të Integrimit në Bashkimin Evropian.

Ne besojmë se institucionet e Republikës së Shqipërisë do ta luajnë rolin e duhur për të mbështetur dhe afirmuar të arriturat e shtetit të Kosovës, në funksion të përshpejtimit të integrimit të Kosovës në institucionet euroatlantike.

Integrimi i ardhshëm i Shqipërisë në Bashkim Evropian do të jetë  edhe një hap i madh i popullit shqiptar dhe një e arritur për gjithë rajonin tonë, duke kontribuar kështu në thellimin e paqes, stabilitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim edhe njëherë iu shpreh përgëzimet më të mira.

Hashim Thaçi,
Kryeministër i Republikës së Kosovës

Last modified: 29 Prill, 2009

Comments are closed.