Zyra e Kryeministrit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka zhvilluar sot një takim me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, baroneshën Catherine Ashton

20 Shtator, 2010

Prishtinë, 20 shtator 2010

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka zhvilluar sot një takim në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashme dhe Siguri, baroneshën Catherine Ashton.

Në takim është biseduar për zhvillimet e fundit për Kosovën, për hapat që do të ndërmirren pas opinionit pozitiv të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për Kosovën, veçanërisht hapat që ndërlidhen me bashkëpunimin ndërshtetëror mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, si dhe për përkushtimet e institucioneve të Kosovës për përmbushjen e standardeve për integrim në Bashkim Evropian, posaçërisht lidhur me procesin e liberalizimit të vizave.

Me këtë rast, kryeministri Hashim Thaçi theksoi se pas konfirmimit të ligjshmërisë së Pavarësisë së Kosovës nga GJND-ja dhe pas miratimit të Rezolutës nga ana e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që e njeh dhe e mbështetë këtë realitet politik, juridik dhe kushtetues, Republika e Kosovës është duke fuqizuar gjithë përkushtimet institucionale shtëtërore për përmbushjen e të gjitha standardeve demokratike për integrim në institucionet euro-atlantike.

Në këtë vazhdë, theksoi kryeministri Thaçi, Republika e Kosovës do të jetë thellësisht e përkushtuar për forcimin e bashkëpunimit rajonal, në interes të paqes, të stabilitetit, të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, si dhe të fqinjësisë së mirë, si parakusht për integrimin e plotë të rajonit të Evropës Juglindore në BE dhe në NATO.

Në takimin mes kryeministrit Hashim Thaçi dhe baroneshës Ashton është diskutuar me theks të veçantë edhe për hapat që do të ndërmirren lidhur me bashkëpunimin ndërshtetëror mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, lidhur me tema të natyrës teknike, me interes për të dyja shtetet.

Kryeministri Hashim Thaçi fillimin e këtij bashkëpunimi ndërshtetëror e ka vlerësuar si fillim të një kapitulli të ri për thellimin e bashkëpunimit mes shteteve të rajonit, që Republika e Kosovës e ka promovuar tashmë një kohë të gjatë.

Unë si kryeministër i Qeverisë së Republika e Kosovës, por edhe të gjitha institucionet e vendit, jemi të hapur të bisedojmë edhe me Serbinë për temat në interes të vendeve dhe qytetarëve tanë. Por, ne asnjëherë dhe në asnjë mënyrë, nuk do të diskutojmë për çështjet që kanë të bëjnë me rregullimin tonë të brendshëm shtetëror. Çështja e statusit të Kosovës është përmbyllur më 17 shkurt 2008, me shpalljen e Kosovës, shtet i pavarur dhe sovran, në bazë të Propozimit Gjithpërfshirës të Presidentit Ahtisaari. Ky realitet është konfirmuar edhe me opinionin e GJND-së dhe me Rezolutën e OKB-së – theksoi kryeministri Thaçi.

Në takimin e sontëm të kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton është diskutuar edhe për hapat që kanë ndërmarrë dhe do të ndërmarrin në vazhdimësi institucionet e Republikës së Kosovës për përmbushjen e të gjitha kritereve për integrim në Bashkimin Evropian.

Kryeministri Hashim Thaçi në këtë aspekt theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura për pranimin e Udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, si dhe në vazhdimësi do të shtojë angazhimet për plotësimin edhe të kritereve tjera që kanë të bëjnë me përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të Kosovës.

Nga ana e saj, Përfaqësuesja e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, vlerësoi lartë përkushtimin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe të qeverisë që ai drejton, për fuqizimin e bashkëpunimit rajonal në shërbim të përmbushjes së kritereve nga ana e vendeve të rajonit të Evropës Juglindore për integrim në BE.

Baronesha Ashton me këtë rast inkurajoi kryeministrin Hashim Thaçi për gatishmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të biseduar me Qeverinë e Republikës së Serbisë për çështjet e bashkëpunimit ndërshtetëror mes dyja shteteve. Kjo qasje e komunikimit është në interes të të gjithëve dhe i hap perspektivë zhvillimore rajonit – u shpreh baronesha Ashton në takim.

Last modified: 20 Shtator, 2010

Comments are closed.