Zyra e Kryeministrit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka takuar sot kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj

27 Mars, 2013

 

Prishtinë, 27 mars 2013

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka takuar sot kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Në takim është biseduar për takimin e shtatë mes kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq dhe për zhvillimet politike ne vend.

Kryeministri Thaçi e ka informuar z.Haradinaj për ecurinë e procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë.

Në takim, kryeministri Thaçi e falënderoi liderin e AAK-së për mbështetjen dhe marrjen e përgjegjësive nga kjo parti, edhe në Bruksel përmes përfaqësuesit të saj, z.Shala, por edhe prezantimin e tyre në opinionin publik dhe qëndrimet e tyre në Kuvendin e Kosovës dhe në përgjithësi participimin e AAK-së në këtë proces të rëndësishëm për shtetin e Kosovës.

Kryeministri Thaçi ritheksoi qëndrimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës se procesi i integrimit të pjesës veriore të Kosovës do të bëhet duke respektuar në plotëni Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, duke hapur kështu perspektivën e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira për funksionimin e institucioneve legjitime edhe në atë pjesë të territorit të Kosovës.

Kryeministri Thaçi dhe kryetari i AAK-së, Haradinaj diskutuan edhe për procesin e reformës zgjedhore dhe nevojën e konsensusit në përmbylljen e këtij procesi të rëndësishëm.

Last modified: 14 Maj, 2022

Comments are closed.