Zyra e Kryeministrit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot komandantin e KFOR-it, Markus Bentler

10 Qershor, 2010

Prishtinë, 10 qershor 2010

Në takim është biseduar për gjendjen aktuale politike dhe të sigurisë në vend, për thellimin e bashkëpunimit me KFOR-in dhe institucionet ndërkombëtare në Kosovë, për përkushtimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për sundimin e rendit dhe ligjit dhe për çështje tjera me interes.

Kryeministri Hashim Thaçi në takim me komandantin e KFOR-it, Bentler, gjendjen e sigurisë në vend e vlerësoi të qetë dhe stabile.

Gjatë takimit, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi riafirmoi përkushtimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për luftën e pakompromis ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke potencuar se para ligjit të gjithë janë të barabartë. Në këtë kuadër, kryeministri Thaçi vlerësoi rolin mbështetës, fascilitues të EULEX-it, ICO-së dhe KFOR-it dhe u shpreh se vetëm me thellimin e këtij partneriteti, Republika e Kosovës do të arrijë t’i përmbushë kriteret për anëtarësim në institucionet euro-atlantike.

Në takim me komandantin e KFOR-it, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka shprehur gatishmërinë e qeverisë dhe të gjitha institucioneve të vendit për përmbylljen me sukses të procesit të transferit të kompetencave nga KFOR-i në Policinë e Kosovës për ruajtjen e kufinjve të Kosovës dhe mbrojtjen e monumenteve religjioze.

Nga ana e tij, komandanti i KFOR-it, Markus Bentler, përgëzoi kryeministrin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi për të gjitha përkushtimet e qeverisë për fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit në vend, me theks të veçant për përkushtimet në luftën e pakompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Roli i KFOR-it do të vazhdojë të jetë gjithnjë në mbështetje të sigurisë dhe stabilitetit të vendit dhe në funksion të avancimit të proceseve zhvillimore në Kosovë – u shpreh komandanti i KFORI-t, Bentler

Last modified: 10 Qershor, 2010

Comments are closed.